• Kreu
  • Ajri
  • Zhvillimi i një vendi shihet tek transporti publik, jo tek makina personale

Zhvillimi i një vendi shihet tek transporti publik, jo tek makina personale

“Një vend i zhvilluar nuk është ai ku të varfërit kanë makina, por kur të pasurit përdorin transportin publik”. Kjo thënie e politikanit Gustavo Petros të sjellë në vëmendje situatën në vendin tonë, ku edhe pse ekonomikisht jemi një vend jo i pasur, kur bëhet fjalë për makina, në shumë familje shqiptare gjen edhe dy makina, dhe ata që kanë në pronësi një të tillë preferojnë më shumë ta përdorin atë se transportin publik. Komoditeti që japin makinat është i kënaqshëm, por a e dini se ka një kosto të lartë shëndetësore?

Sipas një raporti të fundit, rezulton që transporti në zonat urbane kontribuon me 44% në ndotjen e ajrit. Të gjithë ndotësit që çlirohen nga automjetet janë të dëmshëm për shëndetin.

Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar në Tiranë dhe advokimit mediatik për përmirësimin e situatës së ndotjes së ajrit që shkaktohet nga sektori i transportit, Shoqata “Together for Life” organizoi sot seancën e dytë të trajnimit “Ajër i pastër në Tiranë. Më shumë ecje, biçikleta dhe transport publik”. Ky trajnim u zhvillua në kuadër të projektit “ACHIEVE”, që financohet nga Bashkimi Evropian në Shqipëri dhe zbatohet nga REC Shqipëri. Në trajnim morën pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare, specialistë të Shëndetit Publik, përfaqësues nga 3 njësi administrative në Tiranë si dhe gazetarë që mbulojnë çështjet e mjedisit, të cilët dhanë idetë dhe njohuritë e tyre mbi çështjet mjedisore.

Specialistja e mjedisit, Valbona Mazreku, shpjegoi në mënyrë të detajuar politikat e BE-së dhe legjislacionin në sektorin e cilësisë së ajrit, ligjin shqiptar për menaxhimin e integruar të cilësisë së ajrit, vështirësitë e zbatimit të politikave kombëtare dhe lokale etj.

“Ndotja e ajrit është një problem thelbësor dhe i rëndësishëm që lidhet me shëndetin publik. Disa ndotës, në veçanti, ndotja nga lëndët e ngurta pezull në atmosferë (PM), janë përgjegjës për rritjen e vdekshmërisë dhe prekshmërisë, në mënyrë parësore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore”, u shpreh znj. Mazreku.

Një raport i fundit i OBSH tregon se mbi 1800 shqiptarë vdesin çdo vit nga ajri i ndotur. Me 64 vdekje për çdo 100 mijë banorë, Shqipëria është e njëzeta mes 184 vende për numrin më të lartë të vdekjeve me shkak ndotjen e ajrit.

Të gjithë ndotësit e ajrit kanë gjithashtu potencialin të shkaktojnë sëmundje të ndryshme, duke filluar nga sëmundjet respiratore, probleme me frymëmarrjen, kollë, astmë; irritim të syve, hundës, fytit; sëmundje kardiovaskulare e deri tek sëmundjet vdekjeprurëse siç është kanceri.

“Kjo ndotje vjen kryesisht nga shkarkimet e automjeteve dhe infrastruktura e rrugëve në ndërtim”.

Në 6 qytetet kryesore në Shqipëri, në 3 prej tyre niveli i ndotësve është më i lartë se normat e BE-së, përkatësisht në Tiranë, Korçë dhe Elbasan.

Transporti në zonat urbane kontribuon me 44% në ndotjen e ajrit: Mosha e makinës suaj, lloji dhe cilësia e karburantit që përdorni, shpeshtësia me të cilën i ndërroni filtrat dhe i kryeni servis makinës janë faktorët kryesorë në sasinë e gazë ndotësve që shkarkohen në ajër.

Bllokimet nga trafiku për shkak të menaxhimit joeficent të tij rrisin shkarkimin e këtyre ndotësve. Në Shqipëri nuk janë të përcaktuar standardet për automjetet që hidhen në treg. Kjo do të thotë që në rrugë gjen çdolloj makine, me kushtin që viti i prodhimit të korrespondojë me standardin e ndotjes të atij viti prodhimi.

“Monitorimi i cilësisë së ajrit nuk përputhet plotësisht me standardet e vendosura nga direktivat përkatëse të BE. Nuk ka plane lokale për cilësinë e ajrit të brendshëm dhe nuk ka aktivitete për të parandaluar shkeljet e normave kufij”, u shpreh znj. Mazreku.

Automjetet, objektet industriale, djegia e mbetjeve etj, shkarkojnë në ajër kimikate të dëmshme për shëndetin e njerëzve dhe gjallesave të tjera. Më të dukshmit janë bloza dhe pluhurat, por ka edhe ndotës që nuk shihen me sy dhe janë shumë të rrezikshëm për shëndetin. Të tillë janë CO2, CO, No2, SO2 dhe metalet e rënda.

Violeta Kila, specialiste e njësisë administrative nr. 1, tregoi se pas kryerjes së një check-up-i nga një mjek italian tek 3 familje, dy nga Tirana dhe një nga Berati, rezultoi se të gjithë pjesëtarët e familjes kishin metale të rënda në organizëm, si mërkur, për shkak të ndotjes së ajrit dhe ujit.

Mërkuri ka efekte toksike në sistemin nervor, tretës dhe imunitar, si dhe tek mushkëritë, veshkat, lëkura dhe sytë.

Përveç ndikimeve të rrezikshme në shëndet, ndotja e ajrit ka edhe një ndikim në anën sociale, si humbje të ditëve të punës, kosto në shëndet, dëmtim të pasurisë, reduktim të kulturave bujqësore, humbje e të ardhurave nga turizmi; dëmtim në zhvillimin mendor të fëmijëve për shkak të toksikimit etj.

Eriselda Ndoj, specialiste e shëndetit publik në Rrëshen, tregoi se të vetmet kontrolle që bëhen në qytetin e saj janë ato të ujit, bëhen analiza për të parë nëse është i pijshëm ose jo. Një problem që ajo ngriti ishte menaxhimi i mbetjeve spitalore, ku shumë nga subjektet që prodhojnë mbetjet spitalore (spitalet dhe klinikat dentare) nuk zbatojnë detyrimin ligjor për trajtimin e tyre.

Mbetjet spitalore janë mbetje të rrezikshme, por pjesa më e madhe e tyre trajtohet si mbetje urbane, digjen ose hidhen në koshat e plehrave.

Ndotja nga aktivitetet bujqësore, kimikatet dhe nënproduktet e agroindustrisë janë gjithashtu shumë të dëmshëm ndaj mjedisit natyror dhe mund të përbëjnë një problem edhe për njerëzit. Përdorimi jo i duhur i pesticideve për të vrarë insektet në të korra mund të shkaktojnë një dëm të madh në mjedis. Shkarkimet nga përdorimi i karburanteve nga traktorët dhe pajisje të tjera të fermave të përdorura në bujqësi. Zjarret, mund të jenë shumë të dëmshëm për mjedisin nëse plehrat dhe mbetjet që vijnë nga ky sektor digjen në mënyrë të pakontrolluar.

Në fund të takimit, Mazreku përmendi sfidat për të ardhmen që synojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit urban përmes miratimit dhe zbatimit te plotë te standardeve evropiane të cilësisë së ajrit urban dhe të shkarkimeve në ajër. Ajri i ndotur ju prek dhe juve!

Mos rrini më indiferentë ndaj ajrit që thithni ju dhe fëmijët tuaj.

Print