• Kreu
  • Ajri
  • Shkodra, i pari qytet në vend me Plan të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane

Shkodra, i pari qytet në vend me Plan të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane

Shkodra po bëhet i pari qytet në Shqipëri me Plan të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane, i hartuar mbi bazë të plotë të dhënash të marra direkt nga terreni sipas metodologjisë dhe standardeve evropiane. 35 vëzhgues, studentë të Fakultetit Ekonomik dhe përfaqësues të Organizatës GO2 po kryejnë matjet në terren për parkimet e qytetit të Shkodrës në kuadër të punës për hartimin e Planit të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane (PLQU-SUMP) të Bashkisë Shkodër. Në ditën e parë u vëzhguan parkimet në rrugët "Zogu I", "Bujar Bishanaku", "Qemal Draçini" dhe "Studenti".

Ndërsa ditën e dytë, më datë 1 Prill 2017, më shumë se 43 vëzhgues u zhvendosën në rrugët "Skënderbeu", "Mehmet Pashë Plaku", "Daut Boriçi", "Edith Durham", "Wilson", dhe "Teuta". Vëzhguesit janë trajnuar më parë, ndërsa në terren janë pajisur me dokumente identifikimi, me formularin përkatës, si dhe janë të veshur me jelekë të verdhë fosforeshentë. Ata po regjistrojnë targat dhe tipat e automjeteve të parkuara në parkimet e rrugëve të mësipërme, kohën e qëndrimit të automjeteve në parkim dhe sipërfaqen që zë secili automjet.

Targat dhe tipet e automjeteve të regjistruara nuk do të publikohen. Regjistrimi i targave dhe i tipit të automjeteve bëhet për qëllime studimore. Ai nevojitet për të përllogaritur sa kohë qëndron një automjet i parkuar dhe sa shpesh ndërrohen automjetet në këto parkime çdo 15 minuta, brenda 14 orëve të këtij vëzhgimi. Rezultatet që do të dalin nga këto matje, të cilat realizohen për herë të parë në Shqipëri, do të përpunohen dhe analizohen për të shërbyer si bazë në hartimin e Planit të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane të Bashkisë Shkodër.

Pas përfundimit të matjes së trafikut në terren, e së fundmi edhe të matjes së parkimeve publike, Organizata GO2 ka përfunduar anketimin e 2000 personave (banorë, shkolla dhe qendra pune private e publike) në qytet dhe në 6 njëstë adminstrative të Bashkisë Shkodër.

Këto të dhëna do të përpunohen dhe analizohen në programe kompjuterike, me ndihmën e Fakultetit Ekonomik dhe të ekspertëve të huaj. Faza e fundit për hartimin e PLQU të Bashkisë Shkodër do të finalizohet me dizenjimin e secilit prej kryqëzimeve, përmes ndihmës dhe bashkëpunimit me Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Plani i Lëzivjes së Qëndrueshme Urbane të Bashkisë Shkodër po hartohet nga Organizata GO2, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, Fakultetin Ekonomik të Universitetit "Luigj Gurakuqi", Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës së Universitetit Politeknik të Tiranës në kuadër të Projektit TEUTA me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes programit ACHIEVE të zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri.

Hartimi i këtij Plani ka marrë miratimin për bashkëpunim edhe nga e Këshillit Bashkiak të Shkodrës në mbledhjen e datës 1 Gusht 2016.

Print