• Kreu
  • Ajri
  • 6 masa urgjente për të ulur ndotjen e ajrit

6 masa urgjente për të ulur ndotjen e ajrit

Ndotja e ajrit është problemi më i madh shëndetësor dhe mjedisor pothuajse i tërë qyteteve të mëdha. Ndotja e ajrit është shumë më keq se ç’mendojmë ne! Këtë vit Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cilësoi ndotjen e ajrit si rrezikun e vetëm më të madh në botë për shëndetin dhe mjedisin. Megjithatë shumë prej nesh vazhdojnë të jenë rehat. Fakti se ndotja e ajrit mund të mos duket me sy të lirë, nuk do të thotë se ajo nuk ekziston. Për shembull sa herë e shohim Tiranën nga Dajti kuptojmë më qartë se ku jetojmë dhe çfare ajri thithim, sesa kur jemi në Tiranë.

OBSH deklaron se më shumë se gjysma e popullsisë urbane në botë vuan ndotjen e ajrit në nivele 2.5 herë më të larta se nivelet e rekomanduara.

Shkelja e vazhdueshme e normave të ndotjes së ajrit në qytetet e mëdha duket se nuk po përbën më shqetësim real për banorët, rasti më flagrant është rehatimi i qytetarëve në Tiranë. Jemi shumë herë më të ndjeshëm ndaj aksidenteve rrugore, krahasuar me ndotjen e ajrit, e cila është realisht dy herë më vdekjeprurëse se aksidentet rrugore.

Problemet kryesore të ndotjes së ajrit në qytete vijnë nga grimcat PM dhe emetimet CO2, (trafiku dhe ndërtimet). Duke thithur këtë ajër të ndotur më e pakta kemi probleme me frymëmarrjen, më tej vazhdojmë me mundësitë e larta të goditjeve në zemër, autizmit, skizofrenisë, deri në çmenduri.

Gjendja është vërtet alarmante, por lajmi i mirë është se ndotja nuk është e pashmangshme dhe ka disa zgjidhje të thjeshta dhe efikase. Më poshtë janë 6 masa të kombinuara që çdo bashki duhet të ndërmarri për të zvogëluar ndotjen dhe përmirësuar cilësinë e ajrit!

1. Reduktimi i trafikut nëpërmjet promovimit të pedalimit apo ecjes në qytet.

Të krijosh një qytet më tërheqës për këmbësorë apo çiklistë është mënyra më e mirë që të ulet përdorimi i automjeteve. Frika në rrugë është një shqetësim shumë i madh dhe arsyeja kryesore që shumë qytetarë nuk pedalojnë. Më shumë se 60% e britanikëve thonë që do pedalonin çdo ditë nëse ndiheshin të sigurt. Në pesë qytete të ShBA, ku praktika e përgjithshme është që pjesa kryesore e rrugëve të kenë hapësirë dhe infrastrukturë të veçantë për çiklistët, u vu re një rritje e menjëhershme prej 171% e përdorimit të biçikletave dhe një përgjysmim i numrit të aksidenteve.

Edhe ecja në qytet është një alternativë e riformimit të qyteteve moderne, e mbështetur me masa që kjo ecje të jetë efiçente, e këndshme, e sigurt. Ndër masat e zbatuara: zgjerim trotuaresh, vendosja e regjimit pedonal në rrugë e bulevarde, riadministrim i kryqëzimeve për dhënie të përparësisë te këmbësori. Kështu ulen ndotjet dhe rritet ai që Charles Montgomeri emërton Indeksi i Kënaqësisë të një Qyteti.

2. Eliminimi i ndotjes nga automjetet nëpërmjet zonave me akses të kufizuar!

Përqendrimi i shumë automjeteve në zemër të qytetit e përkeqëson shumë shpejt cilësinë e ajrit. Zonat me akses të kufizuar për makinat kanë rezultuar mjaft të suksesshme në reduktimin e trafikut dhe uljen e ndotjes. Për shembull Londra e cila ka vendosur taksë ekstra për lëvizjen në zemër të qytetit e ka ulur ndieshëm trafikun që nga zbatimi i kësaj mase shtrënguese. Nga ana tjetër organizata për “Ajër të Pastër” në Londër, deklaron se në 2010 Londra kishte nivelin më të lartë të CO2 se cdo kryeqytet tjetër në Europë.

Kjo mospërputhje vjen për faktin se taksa e lëvizjes në qendër arriti të eliminonte vetëm një pjesë të makinave, përgjithësisht shoferët me të ardhura më të ulta, por jo ata që kanë mundësi të paguajnë, taksitë dhe shërbimet e transportit të mallrave të ndryshme. Përqendrimi i një numri të madh mjetesh motorrike në një zonë të caktuar rezulton fatal për shëndetin e qytetarve. Së fundmi në 2012 u vërtetua se emetimet e dioksidit të nitrogjenit janë shkaku kryesor i sëmundjeve kancerogjene në popullatën e qyteteve të mëdha.

Disa qytete kanë pasur më shumë sukses në uljen e ndotjes së ajrit përmes zbatimit të zonave të kufizuara se sa të tjera. Për shembull Bolonja në Itali, është rasti më i suksesshëm. Trafiku u reduktua nga 23% – 31% (në varësi të kohës dhe të ditës), por dhe emetimet e PM10 u reduktuan me 47%. Për këtë arritje Bolonja fitoi dhe çmimin e “Lëvizshmërisë Europiane” në 2011.

3. Vendosja e një industrie që rrespekton cilësinë e ajrit

Një industri e pastër ndërtimi është një faktor kyç në përmirësimin e ajrit të qytetit, qoftë në aspektin e efiçensës energjitike të ndërtesave si dhe në atë të ndërtimit të godinave. Ndërkohë që ndërtimi dhe rrëzimi i godinave krijojnë impakt të keq në cilësi të ajrit nëpërmjet lëshimit të pluhurave, duhet vendos një standart në monitorimin e cilësisë. Dhe kjo duhet të shoqërohet me fokusim për ndërtimin e godinave e efiçensë të lartë energjitike.

Shembuj qytetesh me masa të forta kanë nisur që në vitin 1990 kur Manila ndaloi me ligj ndërtimin e furrnaltave, dhe Freiburgut në Gjermani ku është adaptuar legjislacion për minimizim e konsumit energjitik në godinat e reja. Ujërat e shiut pastrohen e ripërdoren për pastrim rrugësh, tallashi I mbetur nga indistria ripërdoret për ngrohje. Çdo shtëpi ka një mini-përpunues mbetjesh nga ku prodhohet biogaz që përdoret për ngrohje dhe gatim.

4. Rrugët me karar, janë me zarar!

Ndërtimi i rrugëve është parë historikisht nga qytetet si zgjidhje për të ulur nivelet e trafikur dhe për të rritur kapacitetin. Dhe si çdo ndodhi që mbështetet në traditë, shpesh ky proçes tejkalon vlefshmërinë e tij në kohë. Ska shumë kohë që kryebashkiaku i Londrës shpalli idenë e krijimi të shtigjeve nëntokësore duke thënë se “lirohen hapësira në rrugët mbitokësore për këmbësorët, çiklistët dhe parqet publike. Si ide, ngjan e bukur. Por çdo studim në vëndet që kanë rritur kapacitetin e tyre rrugor në këtë mënyrë, ka treguar që impakti në cilësi të ajrit ka qenë gjithmonë negativ. Më shumë rrugë, do të thotë më shumë makina në qarkullim dhe kjo automatikisht sjell përqindje më të larta të gazrave dëmtues në atmosferën e një syprine qyteti të çfarëdoshëm. Rezultat ky diametralisht i kundërt nga pretendimi fillestar i këtyre skemave.

Prova të përmirësimit të trafikut jepen dhe në raporte të ndryshme që hartohen mbi qytete me rrjet rrugor miks dhe dendësi të lartë banimi. Pra, sa më shumë lloje përdoruesish të akomodojë një rrugë (automjete, transpot publik, biçikleta, këmbësorë) aq më shumë rritet mundësia që banorët e zonës të zgjedhin diçka ndryshe nga autovetura.

5. Modifikimi i automjeteve të vjetra ndotëse!

Sot, automjetet projektohen për të punuar me fuqi hibride por shumica dërrmuese e automjeteve që qarkullojnë në rrugët tona janë të vjetra dhe mjaft ndotëse. Një ndër zgjidhjet që preferohet gjërësisht është përshtatja e automjeteve të vjetra me filtra pastrues për uljen e gazrave ndotës që lëshohen. Shqetësimi më i madh vjen nga motorrat dizel të gjeneratave të kaluara. Ata kanë impakt shtatë herë më të madhë se ndikimi i kombinuar i 181 agjentëve ndotës të gjurmuar nga Agjencia e Mbrojtjes në ShBA. Po bëhen investime në këtë fushë dhe nëse menohet si shpenzim i madh si për rastin e ShBA ku qarkullojnë mbi 11 milionë automjete në të cilat masa duhen marrë, përllogaritet që për çdo dollar të shpenzuar në këto teknologji, 12 dollarë kursehen në monetarizimin e dëmeve shëndetësore.

Por nuk janë vetëm motorat dizel. Shumë triçikla në qytete aziatike operojnë më motorra 2-kohësh që shkarkojnë gaze 13 herë më dëmtuese se motorra të tjerë. Edhe pse është tentuar që këto të zevendësohen me modele më mderne, thjeshtësia e tyre mekanike si dhe kostoja e ulët e mirëmbajtjes mekanike I bën ato akoma alterrnativa të tërheqshme.

Modifikimi i këtyre mejeteve apo edhe zëvëndësimi I tyre me më të pastra, është një nevojë imediate pasi do lejojë një frymëmarrje në vënde ku përdorimi I tyre kap masat dominante në transport, si Azia, India dhe Filipinet.

6. Gjelbërimi qytetit

Ruajtja dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbërta megjithsëse e domosdoshme nuk mund të funksionojë e izoluar pa 5 veprimet e mësipërme. Gjelbërimi rrit cilësinë e ajrit dhe ndihmon që hapësirat urbane të prodhojnë vetë një pjesë të oksigjenit. Kurora e gjelbërt rreth qytetit është gjithashtu jetike për banorët, dhe ky është fataliteti i Tiranës sonë. Nga Farka, Selita e deri ne Linzë kurora është shkatërruar tërësisht nga ndërtimet babzore.

Një nga funksionet më të rëndësishme të bimësisë në qytete është edhe reduktimi i efektit të ngrohjes nga betoni dhe asfalti, të cilat thithin rrezatimin dhe lëshojnë nxehtësi. Bimët thithin rrezatimin e dëmshëm, lëshojnë avull dhe kanë efekt freskues që zbut efektin serë në qendrat e qyteteve.

Tirana ka nevojën e të gjitha masave të sipërpërmendura. Jetojmë në një qytet me një trafik të dominuar me automjete (një pjesë e mirë e tyre të një moshe të madhe), në një qytet ku për minimalisht 20 vite është menduar si e si të rritet sipërfaqja e asfaltit që përdoret masivisht nga automjete private shpesh herë duke ulur ndjeshëm sipërfarqjet jeshile të qytetit që i përkasin jo vetëm shoferëve por edhe këmbësorëve dhe çiklistëve të Tiranës. Duhet vepruar në të gjashta fushat e sipërpërmendura në mënyrë që të përmirësohet jeta në qytetet tona duke dhënë shëmullin dhe për brezat në vijim që të mos ndjekin traditën e abuzimit por të përqafojnë motivimin dhe punën për të ndryshuar në të mirë të të gjithëve.

Print