• Kreu
  • Ajri
  • Shoqata “Together For Life”, ndërgjegjësim qytetarëve për lëvizshmërinë

Shoqata “Together For Life”, ndërgjegjësim qytetarëve për lëvizshmërinë

Gjatë muajve të parë të këtij viti, Shoqata “Together for Life”, ka organizuar një sërë aktivitetesh me fokus rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorim alternativ në lëvizje si; ecja me këmbë, biçikletat dhe transporti urban. Ndotja e ajrit është një problem thelbësor dhe i rëndësishëm që lidhet me shëndetin publik. Disa ndotës janë përgjegjës për rritjen e vdekshmërisë dhe prekshmërisë, në mënyrë parësore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.

Ndonëse disa institucione shtetërore janë përgjegjëse për masat që duhen marrë në kuadër të legjislacionit të tyre të posaçëm, të cilat çojnë në ruajtjen ose përmirësimin e cilësisë së ajrit, qytetarët kanë një rol kyç në respektimin dhe kontributin për cilësinë e ajrit dhe një mjedis sa më të pastër. Nismat e Shoqatës “Together for Life” janë realizuar në dy drejtime;

- trajnime me gazetarë të çështjeve sociale dhe mjedisore si dhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile

- seanca ndërgjegjësuese me nxënës të shkollave të mesme të Tiranës.

Në dy trajnimet e mbajtura për gazetarët, qëllimi ka qënë informimi me nismat ligjore, standartet e Bashkimit Europian si dhe masat që duhen marrë për rritjen e vizibilitetit për këtë çështje në media. Seancat ndërgjegjësuese përfshijnë 5 shkolla të mesme të Tiranës, publike dhe jopublike. Shkollat e përzgjedhura kanë qënë; gjimnazet “Sami Frashëri”, “Aleks Buda”, “Ibrahim Rugova” si dhe shkollat jopublike “Faik Konica” dhe kolegji “Tutgut Ozal”.

Nxënësit e kanë parë si të domosdoshme zhvillimin e këtyre orëve të hapura për t’u informuar rreth situatës së ndotjes së ajrit në Shqipëri dhe interesi i tyre është shfaqur edhe me pjesëmarrjen e tyre aktive në diskutime dhe prezantime të ideve që ata kanë paraqitur në lëndët mësimore si projekte për përmirësimin e ajrit në komunitetet ku ata jetojnë e më gjerë.

Këto aktivitete janë realizuar në kuadër të projektit “Ajër i pastër në Tiranë; më shumë ecje, biçikleta dhe transport urban” si pjesë e nga program ACHIEVE, i zbatuar nga REC Shqipëri me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian.

Print