• Kreu
  • Ajri
  • Korsitë e biçikletave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë” – Bashkia hap garën për ndërtimin e 1.5 kilometrave

Korsitë e biçikletave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë” – Bashkia hap garën për ndërtimin e 1.5 kilometrave

Tiranës do të shtohen së shpejti edhe 1.5 kilometra korsi biçikletash përgjatë dy bulevardeve kryesore të qytetit, atij “Zogu i Parë” dhe “Dëshmorët e Kombit”. Bashkia e Tiranës ka hapur tashmë garën për subjektet që do të realizojnë këto projekte dhe afati për propozimin e ofertave është data 24 Gusht. Korsitë e dedikuara të Biçikletave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të ndërtohen në të dy anët e tij, aty ku aktualisht pjesa e rrugës është e vijëzuar dhe e përcaktuar si rrugë për çiklistë.

Korsitë do të nisin në pjesën ku bulevardi ndërpritet me Rrugën Myslym Shyri dhe me fundin e shëtitores Murat Toprani e do të përfundojnë në Sheshin “Nënë Tereza”.

Korsitë do të jenë 1.5 metra të gjera dhe me një brez sigurie prej 100 centimetrash e do të ketë një shtresë asfalti me ngjyrën e kuqe karakteristike për korsitë e tilla.

Fondi limit i vënë në dispozicion nga Bashkia për këtë projekt është 13.9 milionë lekë dhe pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë fituese, kjo e fundit do të ketë 7 javë kohë për të realizuar të gjitha punimet.

Sa i takon korsive të biçikletave në Bulevardin “Zogu i Parë”, Bashkia ka vendosur një fond prej 9.2 milionë lekësh dhe afati për realizimin e punimeve do të jetë 6 javë.

Korsia do të fillojë në anë të Muzeut Historik Kombëtar dhe do të përfundojë në rrugën e unazës. Rruga do të ketë një gjatësi prej 620 metrash dhe do të kalojë në trotuarin në mes të këtij bulevardi, i cili aktualisht përdoret edhe nga këmbësorët.

Pas ndërtimit të kësaj korsie të dedikuar me gjerësi rreth 2.5 metra, trotuari qendror do të përdoret vetëm nga biçikletat, ndërsa këmbësorët do të përdorin trotuarët anësorë.

Në janar të këtij viti, kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi planet për ndërtimin e 10 kilometrave shtesë korsi për biçikleta, duke i shtuar këtij rrjeti të gjithë gjatësinë e linjës Kombinat-Kinostudio.

Print