• Kreu
  • Ajri
  • Së shpejti do të testohen në Tiranë autobusët elektrikë

Së shpejti do të testohen në Tiranë autobusët elektrikë

Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e të gjithë rrjetit të rrugëve të brendshme të fshatit Mushqeta, të cilat lidhin banorët e kësaj zone me njeri-tjetrin dhe rrugën nacionale Tiranë – Elbasan. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Admir Abrija, inspektoi përfundimin e projektit dhe theksoi se investimet në infrastrukturë në fshatrat që shtrihen përgjatë rrugës së vjetër Tiranë-Elbasan vijnë edhe si një përgjigje e Bashkisë së Tiranës për të amortizuar kostot që solli ndërtimi i autostradës për këtë zonë.

Kryebashkiaku theksoi se krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të madhe edhe transportit publik. Ndaj, ai dha lajmin për të gjithë qytetarët e Tiranës, se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të nisë testimin se si do të funksionojnë mjetet elektrike të transportit publik.

“Po investojmë tek rrugët, por edhe tek mjetet e reja të transportit. Sapo kemi konfirmuar që këtë vjeshtë Tirana të jetë qyteti ku do të testojmë autobusët elektrikë për herë të parë, për të parë se si përgjigjen me parametrat e rrugëve të Tiranës, të motit, të temperaturës dhe të distancave të linjave tona. Me të kaluar me sukses periudhën e testimit do të bëjmë porositë për t’u siguruar që Tirana është avangardë në Evropën Juglindore, kur vjen puna edhe tek cilësia e transportit, por sigurisht edhe tek infrastruktura që na mundëson transporti”, bëri të ditur Veliaj.

Print