• Kreu
  • Ajri
  • Tiranë: Gati flota e autobusëve elektrikë

Tiranë: Gati flota e autobusëve elektrikë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë një intervistë të veçantë për Report Tv me gazetaren Rashela Shehu, gjatë udhëtimit me biçikletë në kuadër të "Ditës pa Makina". Veliaj foli për vizionin e Bashkisë së Tiranës për të promovuar mjetet ekologjike të cilat reduktojnë ndotjen dhe mbrojnë mjedisin. Kryetari i Bashkisë paralajmëroi masa drastike me gjoba për të gjithë ata që bllokojnë me automjete korsitë e dedikuara për biçikleta.

"Është trefishuar numri i biçikletave që qarkullojnë në Tiranë. Bashkia do gjobisë këdo që bllokon me makinë korsitë e dedikuara. Betejën për mentalitet duhet ta kemi të gjithë bashkë, jo vetëm kryetari i bashkisë. Do vijë dita kur do të ndryshojmë, beteja për mentalitet është në qindra qytete të botës. Do i luajmë fenë me gjoba, nëse nuk e kanë problem të zënë korsinë për 30 mijë lekë, as ne se kemi problem të vëmë gjoba. Duke thënë ma zuri korsinë kjo targë, e kemi të lehtë.", tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë përcolli mesazhe të qarta dhe tregoi atë çfarë ndodh me kryeqytetin, punën që bëhet për pastrimin si dhe për lançimin e autobusëve elektrikë brenda këtij muaji. Veliaj deklaroi se shumë shpejt do të nisin testimet e autobusëve elektrikë.

“Në Tiranë Bashkia ka licencuar rreth 800 taksi të cilat të gjitha bashkë prodhojnë në një vit 3200 ton karbon. Imagjinoni 200 mijë makina dhe 60-70 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë në Tiranë, çfarë ndodh dhe sa mijë ton.

Kur Kina që ka patur reputacionin e vendit të mbi industrializuar ka dhënë urdhër që të gjithë makinat që do të prodhohen të reja të jenë elektrike dhe kur Kina që është një vend kaq i madh dhe që luhen kaq shumë interesa ekonomike merr një vendim të tillë të guximshëm, një vend i vogël si Shqipëria apo një qytet si Tirana duhet medoemos ta marrë këtë vendim.

Më vjen mirë që sot kemi kompani taksish, të cilat janë 100% elektrike. Doni të merrni udhëtime taksi, përdorni një nga makinat elektrike të taksive, paguani të njëjtin çmim që prodhon metri, pro ama i kemi shpëtuar natyrës dhe fëmijëve të këtij qyteti një ndotje të jashtëzakonshme.

Ju kam thënë të 25 operatorëve në Tiranë, kërcënimin se keni nga njëri-tjetrin, konkurrencën e keni nga Bashkia e Tiranës, e cila po përgatitet që të krijojë një kompani të vetën dhe sigurisht që do të marrë kë linjë të ketë mundësi të përballojë me blerjet e autobusëve që të mundet. Operatorët kanë nënshkruar një kontratë e cila ka një klauzolë, që në çdo moment që bashkia ka alternativë transportin elektrik ose me hidrogjen, do t’i heqë licencën dikujt që e ka me naftë për ta zëvendësuar me dikë që e ka makinë elektrike. Ndaj mesazhi për operatorët, vraponi blini autobusë elektrike”, tha Veliaj.

Print