• Kreu
  • Ajri
  • Ndotja, Klosi: Lehtësi fiskale për makinat e reja

Ndotja, Klosi: Lehtësi fiskale për makinat e reja

Për të nxjerrë nga qarkullimi makinat e vjetra, të cilat konsiderohen si një ndër ndotëset më të mëdha në mjedis, qeveria pritet të kalojë një paketë të re masash lehtësuese për të nxitur blerjen e automjeteve të reja.

TAKSAT

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se pragu për importin do të jenë mjetet euro 4, thënë ndryshe kjo, makinat e prodhuara në 2005-n. Ndërkohë në sfidën për reduktimin e nivelit të ndotjes, masa do të ndërmerren edhe për përmirësimin e cilësisë së karburantit që tregtohet në vendin tonë, si edhe nxitjen e iniciativave ekonomike për shfrytëzimin e transportit publik.

“Ne si Ministri e Mjedisit do të kërkojmë që së bashku me ju të kemi një radikalizim të masave për të penguar këtë revansh të padëshiruar të rritjes së jetëgjatësisë së makinave në Shqipëri. Jemi këtu së bashku me ju për të diskutuar masa të reja fiskale për të ndihmuar futjen e makinave, të cilat premtojnë ndotje sa më të paktë të mjedisit, po ashtu nxitjen e masave për importimin e mjeteve euro-4, euro-5 dhe euro-6 tashmë, për të përmirësuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjë- simit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik, nxitjen e investimeve private në transportin publik”, tha Klosi.

Një taksim i diferencuar për automjetet, bazuar mbi jetëgjatësinë e tyre, është parashikuar edhe në programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme. I pranishëm në panairin e makinave, të organizuar dy ditë më parë, ministri kërkoi po ashtu arritjen e një dakordësie me koncesionarët, për t’u dhënë zgjidhje varrezave të makinave, të cilat gjenden kudo. Për këtë Klosi solli në vë mendje edhe zgjidhjen që i kanë dhënë sot kësaj problematike vendet e rajonit dhe Europës, e cila është asimilimi në masën 98% i tyre.

SKEMAT

Struktura e mjeteve në Shqipëri është e dominuar nga mjetet e vjetra me një moshë mesatare 20 vite, ndërkohë që në Europë mosha mesatare është 10.2 vite. Kjo sepse numri i automjeteve të përdorura që hyjnë në vendin tonë në raport me automjetet që shiten të reja është më i madh. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Transportit, rezultojnë të regjistruara 435 mijë autovetura. Numri total i mjeteve i kalon 560 mijë, ku përfshihen autobusë, kamionë, motorë etj. Strategjia Kombëtare për Cilësinë e Ajrit dhe Mjedisit parashtron daljen nga qarkullimi të automjeteve. Mosha dhe niveli i shkarkimit do të jenë dy nga indikatorët që do të merren në konsideratë.

Veç propozimit për nxjerrjen e automjeteve të para vitit ’95 nga qarkullimi, do të parashtrohet për t’u marrë në konsideratë edhe niveli i shkarkimit të tyre në mjedis. Nëse niveli i shkarkimit është mbi normat e lejuara, atëherë ky mjet nuk duhet të lejohet të qarkullojë. Kjo është mënyra më e mirë sesa një tregues, siç është viti i prodhimit, i cili nuk është i mjaftueshëm. Viti i prodhimit ka të bëjë me konsumimin e makinës, por nuk është i mjaftueshëm, sepse një makinë mund të ketë bërë 400 km për 15 vjet, një tjetër ka bërë 100 mijë km për 15 vjet. Pra, mosha është e njëjtë, konsumimi jo.

Print