• Kreu
  • Ajri
  • Ndotja akustike, Shqipëria plan kundër "borive" të automjeteve

Ndotja akustike, Shqipëria plan kundër "borive" të automjeteve

Shqipëria renditet në vendin e 23-të mes 98 vendeve të analizuara nga Numbeo për indeksin e ndotjes akustike. Indeksi i përgjithshëm i ndotjes për vitin 2018 rezultoi 75.21 ndërkohë që indeksi i kombinuar i dy ekstremeve, pra shkallës më të lartë të ndotjes akustike dhe asaj më të ulët ka dhënë një rezultat prej 130.4. Nga vendet e rajonit vetëm Maqedonia ka një ndotje akustike më të lartë që e rendit atë në vendin e 12.

 Ndotja akustike nga trafiku dhe boritë

Ka një Kod të pashkruar mes shoferëve shqiptarë. Boria!! Nëse dikush hyn gabim dëgjon një simfoni borish që e shoqërojnë, nëse kërkon të të japë prioritet sërish është një bori për miratim, e njëjta edhe nëse është hapur drita e gjelbër e semaforit. E në këtë kaos trafiku, ajo që mendohet e fundit është “kontributi” në ndotjen akustike që shkaktohet në qytet. Por boritë janë vetëm njëri prej elementëve që e shkakton këtë zhurmë.

Të dhënat zyrtare të të Institutit të Shëndetit Publik dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, tregojnë se ndotja akustike  urbane në kryeqytet arrin në vlerën e 70 decibel ditën dhe 57 natën, pra rreth 20 decibel më e lartë se standardi i normave të Bashkimit Europian për nivelin kufi të ndotjes akustike.

Projekti “Pa zhurmë” 

E ndërsa eliminimi i plotë i ndotjes akustike është një ambicie që shkon përtej mundësive, reduktimi gradual përmes nismave të ndryshme mund të japë një kontribut pozitiv. Një nismë e tillë është edhe ajo “Pa zhurmë” që synon të advokojë pranë Bashkisë së Tiranës për të minimizuar përdorimin e borisë nga mjetet e transportit publik. I njëjti projekt synon që të lobojë që  kontrata dhe dhënia e licencës të jetë me kushtin e përdorimit të borisë elektronike dhe jo asaj me ajër për të gjitha kompanitë e transportit publik.

Sipas ligjit nr.9774, datë 12.07.2007 është bashkia ajo që harton dhe zbaton plane vendore për reduktimin e zhurmave si dhe shpall zonat e qeta nëpërmjet akteve nënligjore. Po kështu ajo u kërkon personave fizikë dhe juridikë marrjen e masave parandaluese për të respektuar kufirin minimal të zhurmave në zonat urbane. Por realiteti sot tregon se kjo është një kompetencë e pa ushtuar nga ana e vendorëve sidomos pjesën e trafikut dhe përdorimit të borive në kryqëzime dhe vende pa sinjalistikë të rregulluar.

Projekti synon përfshirjen e qytetarëve të Tiranës nëpërmjet hartimit të një dokumenti politikash dhe një fushate ndërgjegjesuese në nismën për të zëvendësuar boritë me ajër me ato elektrike.

Print