• Kreu
  • Ajri
  • Do gjobitesh nëse i bie borisë së makinës

Do gjobitesh nëse i bie borisë së makinës

Ndotja akustike dhe problemet shëndetsore që ajo shkakton, çdo ditë e më shumë po shtyn qeveritarët dhe ekspertët t’i kushtojnë vëmendjen e nevojshme. Zhurma akustike për qytetin e Tiranës dhe jo vetëm, shkaktohet nga fluksi i madh i makinave dhe trafiku i rënduar, në orë të caktuar të ditës, kryesisht në mëngjes e darkë. Përveç qyteteve të mëdha si Tirana, Elbasani, Shkodra dhe Fieri, shqetësuese është edhe zhurma e shkaktuar nga lokalet e natës në rivierën shqiptare, që vizitohet nga turistët vendas dhe ata të huaj në verë.

Problemi është evidentuar dhe është tentuar të merren disa masa, por jo duke ulur nivelin e zhurmave apo dhënë zgjidhje përfundimtare. Inspektoriati i Shëndeti Publik, prej vitesh kontrollon zhurmat vetëm për lokalet e qendrës, pasi periferia vështirë se mund të menaxhohet, si pasojë e shpërndarjes së pakontrolluar demografike apo nga “mbirja” e bareve dhe kafeneve. Për të mos përmendur më pas bizneset e furrave të bukës. Nëse kryejmë një studim-monitorim të numrit të furrave për banorë, në qytetin e Tiranës mund të rezultojë se në një zonë prej 1000 metra katror do të gjejmë 2-3 furra buke. Pra duhet vlerësuar edhe ky shqetësim i komunitetit, pasi banorët të shqetësuar nga zhurma e furrave duhet të zgjohen që sapo zbardh dita.

Ligji Nr. 9774 (ligj i vitit 2007, ndryshuar në vitin 2013) paraqet qartë dhe saktë përkufizimet rreth zhurmave akustike, organet që i kontrollojnë dhe monitorojnë këto zhurma si edhe rastet penalizuese, deri në vendosje të gjobave apo pezullim të lejes së shfrytëzimit të çdo aktiviteti. Që të njihet dhe zbatohet siç duhet ligji mbi ndotjet aktustike, kërkohet bashkëpunim mes ministrisë së linjave dhe institucioneve të varësisë. Përgjatë takimeve të fillim prillit të këtij viti, Minsitri i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Klosi ka kërkuar pezullim të lejeve mjedisore për hotelet, baret dhe restorantet që do të shkaktojnë ndotje akustike, ndërkohë iu kërkohet të gjitha bashkive hartëzimi për ato bare, të cilave do iu lejohet muzika. Ato lokale që operojnë jashtë normave të lejimit të zhurmave do iu revokohet leja e shfrytëzimit.

Në udhëzimin e Ministrit po ashtu theksohet se oraret dhe normat e zhurmave duhet të jenë në përputhje me standardet e vendosura. Për të matur nivelin e zhurmave sipas hartëzimit në bashkitë e propozuara, mungesa e aparaturave do vështirësojë procesin, pasi matja e nivelit të zhurmave ofrohet vetëm nga laboratorët private të çertifikuar për këtë shërbim. Sipas burimeve jo zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, kjo ministri është duke bashkëpunuar me bashkitë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, për të parë mundësinë e penalizimit me gjobë për ata drejtues mjetesh që i bien borive.

Print