• Kreu
  • Ajri
  • Alarmi nga ndotja, 630 raste në vit nga kanceri i mushkërive në Shqipëri

Alarmi nga ndotja, 630 raste në vit nga kanceri i mushkërive në Shqipëri

Mjekët japin alarmin për vdekjet nga ndotja e ajrit. Gjatë një viti, në Shqipëri janë prekur 630 persona nga kanceri i mushkërive. Dhe, vit pas viti, kemi 50 raste më shumë se viti paraardhës. Në shtator të vitit 2014, qeveria shqiptare miratoi me një Vendim të Këshillit të Ministrave Strategjinë Kombëtare të Cilësisë së Ajrit, ku tregohen disa nga mangësitë. Në atë kohë u evidentua se Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik nuk kishin praktika të mirëfillta me monitorimin e ajrit në linjë me kërkesat e BE-së; nuk kontrollohen shkarkimet e gazeve nga automjetet, nga impiantet industriale, mungojnë planet qendrore dhe lokale.

Ndërkohë, në dhjetor 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit analizoi këtë strategji, ndërsa doli në përfundimin se vlerat e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk janë reale dhe gjithëpërfshirëse.
Sot, në të gjithë Shqipërinë, janë vetëm 7 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit, të cilat monitorojnë pa ndërprerje, por 2 prej tyre për një periudhë dy vjeçare nuk kanë qenë në gjendje pune. Numri i stacioneve nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhënë përfaqësuese. Instituti i Shëndetit Publik nuk kryen inspektime sa i përket tejkalimit të normave të shkarkimeve të elementëve ndotës të ajrit, nuk ka asnjë laborator për matjen e shkarkimeve. ISHP nuk ka kryer asnjë studim që të vlerësojë lidhjen shkak pasojë mbi ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndetin e popullatës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 18,000 njerëz vdesin çdo ditë nga ndotja e ajrit, ose sa 11.2% e të gjitha vdekjeve në botë. OBT ka krijuar edhe një hartë me zonat më të rrezikuara nga kjo ndotje. Vihet re se Shqipëria është në zonën ‘portokalli’, duke u vlerësuar si një shkallë e mesme e rrezikut nga ndotja e ajrit. Rreth 92% e popullsisë së botës, ku përfshihet edhe Shqipëria jeton në një mjedis me ajër të ndotur. Ndotja e ajrit është një nga katër shkaqet që rrezikojnë jetën e njeriut, pas tensionit, rrezikut nga dietat dhe duhanpirja.

Shqipëria renditet në vendin e 65-të për nga indeksi i ndotjes.
“Fiks Fare” shkoi në Institutin e Shëndetit Publik, ku drejtoresha tha se Raporti i KLSH-së ka bërë vetëm pyetje. “Ne nuk mund të bëjmë dot një studim për sa i përket sëmundjeve, do kosto të madhe, mbi 20 mijë euro! Stacionet e monitorimit të ajrit nuk janë të akredituar” thotë ajo.

Fiksi shkoi në një nga stacionet e monitorimit të ajrit të ISHP-së. Specialisti tha se ISHP-ja mat pluhurat, plumbin, karbonin etj. Stacionet janë dhuratë nga OBSH. “ISHP-ja ka dy stacione, një pranë godinës së ISHP-së dhe tjetri te poliklinika qendrore të zona e 9 katësheve. Nuk janë të kalibruara dhe akredituara, ne bëjmë vetëm matje krahësimore” tha ai.

Ndërkohë, Fiksi shkoi edhe në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, e cila ka stacione monitorimi të ajrit në Korçë, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Durrës dhe një stacion të lëvizshëm. Nga muaji tetor 2017 stacionet nuk punojnë. Sipas AKM-së, nuk ka pasur lekë për mirëmbajte. “Nuk punon as stacioni i lëvizshëm. Asnjë stacion nuk është i akredituar dhe kalibruar. Në 2018 ne kemi parashikuar që të vëmë në punë këto stacione dhe të shtojmë disa stacione në Tiranë, Fier dhe Elbasan” thotë ajo.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Mjekja Silvana Bala, shefe e Shërbimit të Pneumologjisë. tha se në vitin 2017 ka pasur 630 raste kanceri të mushkërive në Shqipëri, 50 më shumë se 2016. “Krahas kancerit, ajri i ndotës shkakton astmë, çrregullime pulmonare dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Elbasani, zona naftëmbajtëse e qarkut të Fierit dhe Tirana me trafik dhe ndërtime, zonat më të ndotura. Kemi më shumë pacientë nga këto zona” përfundon mjekja.

Print