pylli i Sodes

Drejt degradimit Pylli i Sodës në Vlorë, u premtua se do ruhet 24 orë

Edhe pse vetëm shtatë kilometra larg qendrës së Vlorës, Pylli i Sodës vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. Mbetje të ndryshme urbane dhe inerte kanë zaptuar çdo ditë sipërfaqe të tëra të zonës së pyllëzuar. Problem tjetër që është mjaft shqetësues është edhe prerja e qindra drurëve, çka ka sjellë rrafshimin në pjesën më të madhe të tij. Gjatë muajit shkurt në një deklaratë për media, kreu i bashkisë u shpreh se Pylli i Sodës do të ruhet 24 orë nga policia bashkiake, por vetëm dy muaj më pas pamja që të ofron ky vend është e mjerueshme, pasi në çdo dy metër hasen mbetje nga më të ndryshme. Premtimi i kryetarit të bashkisë Vlorë ishte vetëm mediatik, por asgjë në realitet.

Parajsa e humbur e Plazhit të Vjetër

Nga Rudina Xhunga

Aty ishte dikur një pyll me pisha. Pylli i Sodës. Mushkëria e qytetit, rrjeta e mushkonjave, krenaria e Vlorës. Vlonjatët e kishin vendin e preferuar të plazhit. Nëse hyje në atë pyll, nuk të dilej më. Nuk mbaronin zogjtë, boçat e pishës dhe ajri kishte aromë, ngjyrë dhe melodi. Kush ka shkuar fëmijë në atë pyll, nuk ka sesi të harrojë bukën me djathë dhe domate, pasi dilte nga deti dhe gjumin në batanijen e shtruar mbi halat e pishës. Pastaj kthimi në shtëpi, ndërsa pak më tutje ishin fatlumët, ata që nuk ktheheshin në shtëpi, ata që hynin në det, kur binte boria dhe loznin në lumë gjithë ditën, sepse ishin mysafirët e Kampit të Pionierëve, aty ku vinin fëmijë nga e gjithë Shqipëria.