MZHUT

Himara, Vunoi dhe Dhërmiu shpallen qendra historike

Fshatrat turistik Himarë, Vuno dhe Dhërmi janë shpallur Qendra Historike nga Këshilli i Ministrave që ka miratuar edhe vendimet përkatëse, për miratimin e rregullores për administrimin e tyre dhe zonave të mbrojtura përrreth. Fshatrat kanë marrë këtë status pas kërkesës që Ministria e Kulturës kishte bërë prej kohësh, në mënyrë që këto zona të marrin një tjetër vëmendje, duke qenë se edhe turizmi në këtë zonë është shumë i zhvilluar. Ky vendim do të vihet në zbatim nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Zhvillimit Urban dhe kjo do të bëhet në bazë të ligjit ‘'Për trashëgiminë kulturore”.

Informacioni për mbetjet urbane tashmë edhe në Gjeoportalin e Autoritetit Shtetëror

Pas prezantimit të hartës së parë dixhitale dhe interaktive të venddepozitimeve ekzistuese të mbetjeve të ngurta urbane, MZHU në bashkëpunim me ASIG, tashmë ka përfshirë dhe integruar informacionin mbi venddepozitimet e mbetjeve të ngurta urbane edhe në Gjeoportalin e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor. Harta evidenton situatën mbi venddepozitimet ekzistuese në territorin e vendit. Informacioni është publik për gjithë aktorët e mundshëm si institucione qendrore e lokale, donatorë, investitorë, zhvillues dhe qytetarë.

MZhU dhe BB nisin punën për Rehabilitimin Urban të Jugut

Projekti me vlerë investimi 55 milion euro do të shtrihet në 5 vitet e ardhshme në qarqet Berat, Fier, Gjirokastër e Vlorë, dhe Bashkitë respektive. Synimi është që nëpërmjet projekteve të infrastrukturës urbane dhe projekteve të rigjenerimit urban, të stimulohet zhvillim ekonomik dhe turistik për rajonin e Jugut, duke krijuar premisa të shtuara për një lidhje më integrale me komunitetet lokale dhe aktorët e biznesit lokal. Grupi ndërinstitucional dhe misioni i Bankës Botërore kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e bashkive që kanë aplikuar për projekte.

Projektet e turizmit, qeveria skemë financimi deri në 50% të kostos

Qeveria shqiptare do të mbështesë financiarisht projekte më fushën e turizmit. Vendimi i miratuar në mbledhjen e qeverisë përcakton afatet dhe kriteret të kërkesë-propozimeve. Në vendim thuhet konkretisht se, Ministria Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nëpërmjet fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, financon projekte studimi, promovimi dhe edukimi apo modele inovative të produkteve turistike, në funksion të turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë.