Drini i Zi

Dibër, protestë kundër HEC-eve; kundërshtohen projektet mbi Drinin e Zi

Banorë të Dibrës dhe anëtarë të shoqatave në mbrojtje të Luginës së Drinit të Zi protestuan këtë të hënë në qytetin e Peshkopisë kundër projekteve të ndërtimit të hidrocentraleve mbi këtë lum. Ata e quajnë shkatërrim të mjedisit, tokave të tyre por edhe zonave historike krijimin e liqevene ujëmbledhëse në këtë luginë. Në mbështetje të banorëve të zonës kanë shkuar edhe përfaqësues nga Këshilli Komunal i Dibrës së Madhe në Maqedoni. Sipas ekologjistëve që morën pjesë në këtë tubim, Shqipëria, e cila ka nënshkruar konventat ndërkombëtare, nuk mund të marrë asnjë vendim që prek mjedisin pa marrë miratimin e banorëve të zonës.

Prodhimi i energjisë në Drinin e Zi. Bie varianti i parë i Skavicës

Mes projekteve për prodhim të energjisë në Drinin e zi, kompania konsulente për qeverinë tonë, ‘Sogreas’ hedh poshte variantin e parë, HEC-in e Skavicës me një digë me lartësi 441 metra. Ministria e Energjisë dhe Industrisë organizoi sot një tryezë me donatorët mbi potencialin e shfrytëzimit të Drinit të Zi. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Banka Botërore, Banka gjermane KfW, SECO, GIZ, EBRD, Bashkimi Evropian, Koperacioni Italian dhe UNDP. Në tryezë u prezantua studimi i hartuar nga studio franceze ‘Sogrea’.