gjendje e jashtëzakonshme

Përmbytjet në Greqi: Gjendje e jashtëzakonshme në Selanik e Peloponez

Në rajonet e Selanikut dhe Peloponezit është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga të reshurat e rrëmbyeshme dyditëshe të shiut, lajmëroi agjencia ANA. Në mbledhjen në qytetin Kalamata, në të cilën ka marrë pjesë delegacioni qeveritar, është vendosur të ndërmerren masa të jashtëzakonshme. Deri tani nga përmbytjet humbën jetën katër persona, ndërsa një person rezulton i zhdukur.

Përmbytjet nga reshjet e shiut, Serbia shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Shirat e dendur të orëve të fundit në Serbi kanë shkaktuar fryrje të lumenjve si edhe përmbytje në disa zona të Serbisë Qendrore dhe asaj Perëndimore, ku autoritetet kanë shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme, njoftoi Ministria e Brendshme e vendit ballkanik. Ajo shtoi se dhjetëra persona janë evakuar. Shërbimi meteorologjik vendas njoftoi se intensiteti i shirave do të bjerë sot pasdite dhe nesër në mëngjes për të rifilluar gjatë ditëve në vazhdim. “Gjendja e emergjencës është shpallur në Çaçak, Topola, Bajina Basta, Pozega, Novi Pazar, Arilje dhe Lucani për shkak të reshjeve masive të shiut dhe fryrjes së lumenjve”, njoftoi agjencia zyrtare serbe e lajmeve, TANJUG.

SHBA, ngricat mbyllin shkollat. Gjendje emergjence në Alabama

Stuhitë dimërore dhe reshjet rekord të dëborës kanë sjellë mbylljen e shkollave dhe temperatura nën zero në disa prej rajoneve qëndrore e atyre perëndimore në Shtetet e Bashkuara, të përballura me një mot të acartë. Këshillat e meteorologëve për kujdes nga kushtet atmosferike ekstreme u shoqëruan në Cincinnati të Ohios me mbylljen e më shumë se 150 shkollave publike. Në Denver të Colorados, më të prekurit nga situata e vështirë ishin të pastrehët. Punonjës të ndihmës e vullnetarë kanë dalë në mes të të ftohtit për t’i shpërndarë kësaj kategorie aq të rrezikuar nga ngricat batanije, dyshekë kundër të ftohtit e ushqime të ngrohta.

Stuhia ‘Stella’, gjendje e jashtëzakonshme në disa pjesë të SHBA-së

Shtetet verilindore të SHBA-së, Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensilvania dhe Virxhinia kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të një stuhie të madhe të borës. Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar alarmin për stuhi nga Pensilvania në lindje deri në Mein në jugperëndim. Shkollat janë mbyllur, ndërsa mbi 6 800 fluturime janë anuluar. Kushtet e motit kanë bërë që edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, të shtyjë për të premten udhëtimin për në Uashington, ku do të takojë presidentin Donald Trump. Me erëra deri në 100 kilometra në orë, stuhia Stella pritet të shkaktojë pengesa të mëdha për banorët, thonë parashikuesit e motit.

Zjarret përfshijnë Greqinë, gjendje e jashtëzakonshme në Hios

Organet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin Hios në Egjeun lindor për shkak të zjarreve që kanë shpërthyer në jug të tij prej mëngjesit të së hënës. Megjithë përpjekjet, repartet e zjarrfikësve ende nuk mund t’i kontrollojnë dot pasi në zonë fryjnë erëra të fuqishme dhe temperaturat janë tepër të larta, ndërsa janë rrezikuar edhe shtëpitë e banorëve të paktën në gjashtë fshatra. Zjarret kanë djegur edhe shumë prej pyjeve me pemë që japin lëndën e parë në prodhimin e çamçakëzit, drurë që rriten vetëm në këtë ishull dhe që duhen të paktën 6 vjet që të japin prodhimin e tyre, në fillim të muajit gusht.