Bençe-Kurvelesh

Stop HEC-eve në Luginën e Bënçës

Një grup prej 20 aktivistësh mjedisorë udhëtuan në datë 20 maj 2017 nga Tirana drejt Tepelenës, për të njohur nga afër problemet e komunitetit të fshatit Bënçë në malësinë e Kurveleshit gjeneruar nga konfliktet e përdorimit të ujit në përpjekjen e radhës për ndërtimin e HEC Bënçë. Mbas 2 vjetësh studimesh e kërkimesh shkencore dhe mbështetje të komunitetit për të reaguar në rastet kur të drejtat e tyre nëpërkëmben ose shkelen në emër të zhvillimit ekonomik ka ardhur koha të veprojmë së bashku me ta për ti përfaqësuar dhe mbështetur në kundërshtimin e këtyre investimeve dhe anulimin e kontratës konçesionare në rrugë ligjore.

Zona Bënçë-Kurvelesh synohet të jetë një zonë e mbrojtur

Zona Bënçë-Kurvelesh në territorin e ri adminstrativ të bashkisë Tepelenë po synohet të jetë një zonë e mbrojtur. Kryetari i bashkisë, Termet Peçi, tha për ATSH-në se “Nisur nga vlerat mjedisore e ekoturistike, nga larmia e diversitetit të florës dhe faunës, po edhe për atraktivitetin nga resurset që bart, kjo zonë hyn në prioritetet e bashkisë për t’u shndërruar në një zonë të mbrojtur dhe për të fituar këtë status si Park Rajonal Natyror. Po bashkëpunohet për këtë qëllim me AKZM dhe strukturat e saj në qarkun e Gjirokastrës me qëllim që ky territor të marrë status të ri ligjor”.