dita e maleve

11 dhjetor - Dita Ndërkombëtare e Maleve

11 dhjetori është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e maleve në jetën tonë dhe për të theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të maleve. Dita Ndërkombëtare e Maleve ka fillesat e saj në 1992, kur u miratua kapitulli i 13 i Axhendës 21 “Menaxhimi i Sistemeve Delikate: Zhvillimi i Qëndrueshëm i Maleve” në Konferencën e OKBsë për Mjedisin dhe Zhvillimin. Pas suksesit që pati Viti Ndërkombëtar i Maleve në 2002-in, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 11 Dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Maleve.

Dajti n'Fest: Jehonë Ditës Ndërkombëtare të Maleve

Me dëborën e parë në Dajt i dhamë jehonë Ditës Ndërkombëtare të Maleve! Dajti n'Fest 2017 ofroi për qytetarët e Tiranës gjatë kësaj fundjave mundësi pa fund argëtimi, ndërsa banorët e zonës patën mundësi që të ekspozonin dhe të shisnin produktet e tyre agroushqimore. Muzikë, gara road-bike, hiking në një shteg të ri, hedhje me parashutë, fluturim me balonë, folk, rock climbing, ishin disa nga surprizat që organizatorët kishin menduar si mundësi argëtimi për pjesëmarrësit e shumtë që pëlqejnë turizmin malor dhe sportet ekstreme.