furra gelqere

ISHMP operacion blic në Fushë-Krujë për mbylljen e 21 furrave gëlqere

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve ndërmori ditën e djeshme operacionin blic për mbylljen e 21 furrave të gëlqeres funksionale në zonën e Fushë-Krujës. Operacioni i kryesuar nga ISHMP dhe mbështetur nga IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojë për disa ditë deri në mbylljen e plotë të të gjitha furrave në këtë zonë. Për herë të parë mbyllja e furrave të gëlqeres nga ISHMP u realizua në vitin 2013 kur u identifikuan 220 furra gëlqere funksionale në këtë zonë. Prej aksioneve të vazhdueshme, në vitin 2015 numri i tyre u ul në 110 furra gëlqere, ndërsa sot falë punës së inspektorëve të mjedisit janë aktive vetëm 21 furra gëlqere, të cilat do të mbyllen deri në përfundim të këtij aksioni.

ISHMP përfundon aksionin për mbylljen e furrave të gëlqeres, në rrethin Krujë

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP) ka përfunduar aksionin e nisur gjatë muajit Mars, në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës për mbylljen e furrave të gëlqeres. Gjatë këtij aksioni Inspektoriati ka identifikuar ngritjen e aktivitetit të paligjshëm të një totali prej 30 furrave të gëlqeres, të cilat janë prishur të gjitha dhe është realizuar mbyllja e plotë e aktivitetit të tyre. Nga të cilat 13 furra gëlqere ushtronin aktivitetin e paligjshëm në zonën e Borizanës, dhe 17 të tjerat në zonën e Krastës, rrethi Krujë.

Krujë, furrat e gëlqeres “sfidojnë” shtetin

Bizneset e gëlqeres në zonën e Krujës sfidojnë shtetin. Megjithëse janë zhvilluar dhjetëra aksione për mbylljen e furrave, ato vazhdojnë aktivitetin në mënyrë ilegale. Gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare” vëzhguan për disa muaj situatën në Krujë, ku folën me pronarë dhe punëtorë në këto biznese, të cilët thanë se kanë paguar ryshfet që të vijojnë punën. Madje, një pronar tha se paguan 500 mijë lekë ryshfet çdo muaj në mënyrë që të vijojë të prodhojë gëlqere i qetë. Ndërkohë, mitëmarrësit janë inspektorë të Mjedisit dhe Pyjeve, si dhe punonjës policie.

Krujë, mbyllen 33 furra të paligjshme gëlqeresh. Klosi "Forca e ligjit, e ashpër për ata që do t’i rihapin"

Në Krujë pesë vjet më parë nisi aksioni për mbylljen e furrave të gëlqeres në Krujë e Fushë-Krujë. Por me gjithë kontrollet e shumta, autoritetet nuk e kanë fituar betejën me këto ndotës masivë të ajrit. Inspektorët kanë zbuluar së fundmi 33 gropa të reja, të cilat sipas tyre do të mbyllen. Ministri Blendi Klosi paralajmëroi se forca e ligjit do të jetë e ashpër për këdo që tenton ta shkelë atë.

Mbyllen furrat e gëlqeres, por banorët e Krujës thonë se do i rihapin

Furrat e paligjshme të prodhimit të gëlqeres në zonën e Krujës u shkatërruan sepse ato shkaktojnë një ndotje të madhe në mjedis, duke djegur gomat e automjeteve. Por banorët e zonës e injorojnë këtë shkak dhe thonë se ato furra janë e vetme mundësi punësimi. “Gëlqeren nuk e do asnjë. Po ishim të detyruar se ishim pa punë”, thotë një banor. “I ndiznin dhe natën. Nëse do të bëjnë tym i digjnin për 5 ditë, bënin më pak tym”, shprehet një tjetër. Por në fakt përveç nivelit të lartë të ndotjes dhe dëmit në shëndetin e banorëve, kjo ishte panorama që ofronte qyteti historik për turistët që e vizitonin atë.

Milieukontakt: Diskutime mbi monitorimin e subjekteve në Krujë e Krastë. Burimi kryesor i ndotjes së ajrit dhe ndotjes akustike ne qytet

Milieukontakt Shqipëri ka zhvilluar gjatë kësaj jave takime pune me ekspertë të bashkisë dhe OJF-ve të Krujës për të diskutuar mbi monitorimin e subjekteve (kryesisht guroret, gropat e gëlqeres, fabrikat e çementos dhe përpunim inertesh) që operojnë në malin e Krujës dhe Krastë të cilat janë burimi kryesor i ndotjes së ajrit në qytet. Nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në përgjigje të kërkesës drejtuar në datë 10/07/2017 janë marrë informacion për rreth 22 subjekte të tipit gurore që operojnë në Malin e Krujës dhe Krastë, por nga burime vendore evidentohet një numër shumë më i madh subjektesh.

Ndotja në fshatrat e Krujës po rrezikon jetën dhe shëndetin e shtetasve

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), ndoqi me shqetësim pamjet filmike të publikuara nga emisioni investigativ “Fiks Fare” i televizionit Top Channel. Në këto pamje u transmetua ndotja shqetësuese nga djegia e furrave të gëlqeres në fshatin Borizanë dhe Nikël të Krujës. Para disa javësh, vëzhgues të KShH-së kanë kryer verifikime në fshatin Borizanë dhe Kadias të Krujës. Verifikimet e kryera nga KShH krijuan bindjen se aktiviteti i guroreve dhe djegies së furrave gëlqerore në këto fshatra ishte jo vetëm i kundraligjshëm por përmbante dhe elementë kriminalë sepse dëmtonte rëndë mjedisin dhe është me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Pranga për furrat e gëlqeres

Rindezja e furrave që prodhojnë gëlqere duke djegur goma automjetesh ka çuar në pranga 3 persona nga Fushë-Kruja dhe Kruja. Policia e Krujës në bashkëpunim me prokurorinë ka bërë kontrolle dhe ka arrestuar në flagrancë vetëm në 24 orët e fundit shtetasit Saba Kodheli nga Fushë-Kruja, Arben Demërxhiu dhe Fatmir Shullazi nga Kruja. Ata akuzohen për veprën penale “ndotje e ajrit” dhe janë kapur nga policia në momentin që kishin ndezur furrat në mënyrë ilegale.