Kamez

'Mbetjet', Mjedisi përgënjeshtron Mziun: Nuk ka aplikim për leje

Ndërkohë që qytetarët e Kamzës presin prej 3 ditësh një zgjidhje të problemit të mbetjeve në lumin e Tërkuzës, burime nga Ministria e Mjedisit konfirmojnë se nuk ka asnjë aplikim për leje mjedisore, pavarësisht pretendimit të kryetarit të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Sipas ministrisë edhe aprovimi për venddepozitimin jepet në bazë të një studimi dhe jo vetëm përmes një kërkese. Nga ana tjetër, Kryebashkiaku i Kamzës është shprehur se bashkia dhe këshilli bashkiak kanë miratuar krijimin e një pike tjetër të mbledhjes së mbetjeve në Valias, por Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë i refuzon lejen e mjedisit Bashkisë Kamëz, duke sjellë për pasojë këtë situatë.

“Mali” i mbetjeve urbane jashtë kontrollit shton frikën për epidemi te qytetarët e Kamzës

Kriza e mbetjeve urbane ka shpërthyer në çdo rrugë të bashkisë së Kamzës. Koshat e mbeturinave janë plot dhe banorët i frikësohen shpërthimit të mundshëm të një epidemie. Kjo situatë është edhe më e rënduar në lagjet e brendshme, ku aktivistët thonë se makinat e pastrimit kalojnë një herë në javë dhe ku qytetarët i djegin vetë mbeturinat. Aktivistët e Qendrës Rinore ATA thanë për BIRN se mbetjet ndotnin lumin Tërkuzë prej të paktën një viti dhe se kulmi qe djegia e mbeturinave urbane dhe spitalore në një fushë të hapur në rrugën Argjinatura.

Fabrika e shkrirjes në Kamëz, rrezik për banorët

Emisioni Fiks Fare solli mbrëmjen e së mërkurës rastin e banorëve të lagjes numër 4 në Bashkinë e Kamzës, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një fabrike shkrirjeje në lagjen e tyre. Ata thanë për Fiksin se ndihen të rrezikuar nga tymërat dhe ndotja. “Ku do t’i rrisim fëmijët? Për ata kemi më shumë frikë, se ne e kaluam tonën”, tha një e moshuar. Të tjerë banorë pohuan se e kanë shumë pranë shtëpive fabrikën dhe kjo përbën një rrezik shumë të madh. “Tre gra kanë dashur të vrasin veten para disa ditësh, këtu para fabrikës, se vihet në rrezik jeta e fëmijëve të tyre”, tha një tjetër banor.

Masakra mjedisore, mbetjet e Kamzës depozitohen në lumin e Tërkuzës

Prej 16 vitesh Bashkia e Kamzës po kryen një masakër mjedisore në lumin e Tërkuzës, ku në mënyrë të kundraligjshme depoziton mbetjet e saj urbane pranë rrjedhës së lumit. Sa herë rritet sasia e ujit, rrjedha e saj i merr me vete mbetjet dhe i shpërndan përgjatë gjithë shtratit deri në fshtatrat e Fushë Kujës. Report Tv ka kryer një investigim për këtë fenomen, që sipas banorëve të zonës po i detyron të braktisin gjithçka dhe të largohen ku të mundin. 11 kilometra nga Tirana, në zonën e quajtur Zall Herr, ndodhet ky vendshkarkim mbetjesh i cili është shumë pranë lumit të Tërkuzës dhe shumë pranë banesave të kësaj zone.

Mbetjet në Kamëz, banorët në protestë, Mziu refuzon t'i takojë

Qytetarët e Kamzës dhe përfaqësues të shoqatave ambientaliste, kanë protestuar mëngjesin e kësaj të hëne përpara Bashkisë së Kamzës, kundër hedhjes së mbetjeve dhe djegies së tyre në lumin e Tërkuzës. Protestuesit kanë ndërmarrë edhe një peticion, ndërsa kanë kërkuar takim me kryebashkiakun Xhelal Mziu por ky i fundit i ka refuzuar, duke vendosur dy kushte për ta, të jenë banorë të Kamzës dhe të kenë paguar taksën e pastrimit. Ata u futën në ambientet e hollit të Bashkisë Kamëz, por janë ndaluar nga punonjës të Policisë Bashkiake.

Qindra tonë mbetje digjen pranë lumit Tërkuzë

Vijon masakra mjedisore pranë fshatit Kasallë dhe në zonën e Tërkuzës në Tiranë. Qindra tonë mbetje digjen çdo ditë. Report TV ishte në një prej grumbullimeve me mbetje, që hidhen nga Bashkia e Kamzës dhe më pas u vihet zjarri. Këto mbetje thonë banorët pranë lumit Tërkuz janë hedhur 4 ditë më parë dhe menjëherë më pas u vihet zjarri nga ana e punonjësve të bashkisë. Zjarri i përmasave të mëdha, por tymi ka ndotur ajrin dhe banorët nuk hapin as dritaret për shkak të erës së keqe dhe kanë frikë se mos sëmuren.