Kanionet e Skraparit

Hapet zyra e turizmit në Skrapar

Ndoshta jo të gjithë e njohin, por nëse dikush është në kërkim të turizmit të aventurës, atëherë një nga zgjedhjet që mund të bëjë janë kanionet e Skraparit. Për herë të parë kjo bashki inauguroi edhe zyrën e turizmit, e cila do të jetë në dispozicion të vizitorëve për t’i orientuar ata se ku duhet të shkojnë. Për Sonja Popën, drejtoren e turizmit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik kjo zonë ka shumë më tepër edhe se thjesht sporti rafting. Ushqimi dhe natyra e këtij vendi ka potenciale për të tërhequr sa më shumë turistë. Skrapari është vendi i turizmit të aventurës.

Rafting në fundjavë në kanionet e Osumit

Edhe kjo fundjavë grumbulloi në kanionet e Osumit shumë aventurierë të sporteve të ujit që shfrytëzuan ujërat e rrjedhshëm të këtij lumi për të marrë kënaqësinë që të jep sporti i raftingut. Me veshjet e tyre karakteristike dhe varkat portative të lundrimit, ata udhëtuan drejt ngushticave shkëmbore në afërsi të Skraparit. Kanioni i Osumit ka qenë thuajse i pashfrytëzuar për qëllime turistike deri në fillimin e viteve ’90. Por qysh nga ajo kohë kanionin kanë nisur ta vizitojnë turistë vendas e të huaj, kryesisht italianë dhe francezë, por dhe nga veriu i Europës, të cilët e kanë kthyer në një rit të përvitshëm sportin e raftingut në këtë lumë.

Rafting, resorti më i madh në Ballkan në Kanionet e Skraparit

Në Shqipëri, së shpejti do të ndërtohet e para qendër që do të mbledhë mbi 15 sporte në natyrë, duke krijuar mundësinë e tërheqjes së turistëve të huaj dhe vendas. Shtrihet në hapësirën e një ish-reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur dhe fare pranë kanioneve të Osumit. Kjo do t’i japë mundësi zonës që të zhvillojë ekonominë dhe të krijojë vende të reja pune, kryesisht për të rinjtë. Me fillimin e këtij viti, një sërë mediash të huaja kryesisht britanike, italiane, por edhe franceze i kanë kushtuar vëmendje të veçantë Shqipërisë si një destinacion “must” për t’u vizituar gjatë 2016-s.

Studentët amerikanë promovojnë kanionet e Osumit

Të cilësuara si “Koloradot” shqiptare kanionet e Osumit kanë tërhequr vazhdimisht turistët e aventurës në vendin tonë, por krijimi i Albania Aventure Resort, një qendër shumëfunksionale për sportet e natyrës, pritet të konsolidojë më tej zhvillimin e këtij turizmi. Një grup studentësh nga Universiteti i Politeknikut të Massachusetts janë të rinjtë e parë që bëhen vullnetarët e promovimit, njëkohësisht ambasadorët më të rinj të Shqipërisë në botë përsa i përketë turizmit të aventurës.