Kiri

Lumi Kir, i mbushur me kajakë në fundjavë

Një grup turistësh nga Gjermania, ishin në fundjavë në rrjedhën e Lumit Kir në Qarkun e Shkodrës. Ata mbërritën aty me mjetet e tyre motorrike dhe të pajisur me mjetet e lundrimit sportiv, kajak. Pasi studiuan vendin e përshtatshëm të sportit të tyre, të ndihmuar edhe nga guidat vendase, ata rrëshqitën përgjatë rrjedhës së Kirit. Kiri është një fshat i vendosur pranë lumit me të njëjtin emër, Kir. Në lashtësi ka pasur një kala që sot ka vetëm disa rrënoja, por edhe sot ky vend emërtohet “Qyteza e Kirit” ose “Kalaja e Kaurrit”. Me sa duket lumi ka marrë emrin e fshatit dhe jo fshati emrin e lumit, sepse në kohët e hershme ky lumë kishte emrin Clusala.

Shkodër, banorët pranë lumit Kir të rrezikuar e të pambrojtur

Prej 25 vitesh dhjetëra familje kryesisht nga zonat e thella të Dukagjinit kanë zbritur në qytetin e Shkodrës për një jetë më të mirë. Një prej zonave ku janë vendosur është lagja “Skenderbeg” në afërsi të brigjeve të lumit Kir pranë shinave të trenit. Edhe pse kanë 25 vite aty dhe shumë prej tyre paguajnë rregullisht taksat, vuajnë për shumë probleme. Kanë një mungesë të theksuar të infrastrukturës, amortizim të rrjetit elektrik por edhe mungesën e ujit të pijshëm. Një realitet i hidhur me të cilin përballen çdo ditë.