laguna e Patokut

Instalohet sinjalistikë për natyrën në lagunën e Patokut

Sinjalistika në zonat e mbrojtura ndihmon në ndërgjegjësimin dhe promovimin e vlerave natyrore të tyre. Ekipi i Shoqatës për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë (ASPBM), në bashkëpunim me stafin e zonave të mbrojtura dhe njësinë administrative Fushë–Kuqe, ka instaluar dy tabela informative në lagunën e Patokut. Tabelat japin informacion për kufijtë në terren të zonës së mbrojtur, aktivitetet miqësore me natyrën, dhe disa nga llojet e faunës e florës. Bashkë me kullën e vrojtimit këto tabela synojnë të promovojnë ruajtjen e biodiversitetit të lagunës Patok.

Kapet gaforre e rrallë në Lagunën e Patokut

Në rrjetat e peshkatarëve në Lagunën e Patokut, përpos gjahut të kërkuar siç janë peshqit, ka rënë dhe një gaforre me përmasa më të mëdha sesa të zakonshmet. Biologut Prof. Dr. Idriz Haxhia tha se kjo gafore është e rrallë për shkak të përmasave të saja. “Kjo gaforre e gjetur sot pranë Lagunës në patok ishte gjetja e peshkatarëve të zonës e cila shfaqet rrallë me të tilla përmasa”,- tha ai. Peshku është ushqimi i preferuar i gaforres së detit, si dhe të tjera gjallesa detare. Gaforrja shërben si ushqim i preferuar dhe gatuhet në disa lokale të zonës së Lagunës.

Ahmet Zani

Një Guidë Eko-turistike për Lagunën e Patokut

“Patoku – ndër komplekset ligatinore më të rëndësishme në Shqipëri, me diversitet të lartë habitatesh dhe shpendësh ujorë, shtegtarë dhe dimërues.” …Ky ka qenë referimi i dedikuar lagunës së Patokut në Ekoguidën Turistike, që Shoqata për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë ka konceptuar me qellim promovimin e turizmit ekologjik në këtë zonë. Krahas përshkrimit të historisë së Lagunës dhe kuzhinës tradicionale, hapësirë e veçantë i është lënë dhe diversitetit të shpendëve ujorë dhe nxitjes së aktiviteteve rekreative, si: shëtitje në natyrë dhe bird-watching.

Patok: Kapet breshka gjigante 400 kg

Një breshkë gjigante me peshë 400 kg u nxorr mëngjesin e 19 gushtit në bregdetin e Patokut. Breshka kishte ngecur në rrjetat e peshkatarëve të familjes Calis në lagunën e Patokut, ndërsa diametri i saj arrin në 1.34 metra, dhe ka lënë me gojë hapur gjithë pushuesit që e kanë parë. Ky është viti i dytë radhazi që lloji i breshkës kurriz-lëkurore (Dermochelys coriacea) është kapur në gjirin e Drinit. Mendohet se ajo ka ardhur në bregdetin shqiptar nga Oqeani Atlantik. Fillimisht ajo iu është nënshtruar marrjes së të dhënave shkencore dhe më pas është rikthyer sërish në det.

Zgjerohet rrjeti i vrojtuesve lokalë të natyrës "Bird Eye" në Lagunën e Patokut

"Shoqata për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë” është duke zbatuar projektin “Krijimi dhe nxitja e mekanizmave lokale për ruajtjen e gjendjes natyrore të Lagunës së Patokut", mbështetur nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri në kuadër të programit ACHIEVE, financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti synon të përmirësojë ruajtjen e vlerave natyrore të zonës së mbrojtur të Lagunës së Patokut nëpërmjet nxitjes dhe përfshirjes së komunitetit lokal. Për këtë qëllim tashmë janë formuar katër ekipe “Bird Eye” të përbërë nga 24 nxënës të shkollave 9 – vjeçare: “Nikoll Miri”, Gurëz, “Nik Tom Prela”, Gorre, Fushë Kuqe dhe Adriatik.