stebleve

Një “Dardhë” Korçe ende e pashfrytëzuar: Stebleva, kaq afër dhe larg nesh

Edhe pse konsiderohet një perlë e paprekur e turizmit malor dhe natyrës piktoreske, Stebleva e Gollobordës, krahina mes Dibrës dhe Librazhdit, është shumë afër por edhe shumë larg për shkak të infrastrukturës së munguar. 8 vjet më parë filloi investimi për rrugën që lidh Peshkopinë me Librazhdin, por nga 26 kilometër rrugë vetëm 11 u ndërtuan pjesë-pjesë, ndërsa 15 të tjera mbetën në gjendjen e mëparshme. Si pasojë e rrugës, në dimër Stebleva braktiset nga banorët. Nga 300 syresh që jetojnë gjatë verës, në dimër guxojnë vetëm 30, ndërsa të tjerët kanë zhvendosen në qytetet ku kanë ndërtuar jetë urbane.

Stebleva, një mrekulli që as shitet dhe as blihet lehtë

Stebleva, një nga fshatrat e krahinës së Gollobordës, 35 km larg nga Librazhdi, është një fshat i vizitueshëm gjatë verës. Rrethuar me pyje të lartë, ajër i freskët dhe gjelbërim ngado, është një oaz i mrekullueshëm në lindje të Shqipërisë. Mersin Hoxha, kryetari i Shoqatës “Stebleva”, ndryshe nga kolegët e tij të shoqatave dibrane në Tiranë, që kujtohen për vendlindjen vetëm për Ditë vere a Shëngjergj, është kthyer ta drejtojë shoqatën e tij në Steblevë, aty ku ka trojet e të parëve të tij.