Semani i Detit të Vdekur

Ai quhet Petraq Trifka. Është i zoti i tavernës më të mirë në Seman. Gjithmonë i qeshur, dhe me fytyrën e skuqur nga zjarri i kuzhinës. Kur pyet çfarë ka, ai përgjigjet gjithmonë njësoj: “Çfarë nuk ka. Ka iriq që ta dish ti me sa zor e zëmë, kërmij të mbledhur kur ka rënë vesa, bretkosa që të lëpish gishtat, peshk e ngjala të sapodala nga rrjeta, tavë bibe që e ka traditë zona. “Çfarë do ti, thotë dhe ta mbush tavolinën, që të rrish tre ditë duke ngrënë. Sapo ka hapur një tavernë të re, ngjitur me të vjetrën. “E bëra për 25 ditë -tregon, se erdhën këta të TAP, e donin kushte të mira për të ngrënë drekën, përditë.” Dhe Petraqi nuk e mendoi dy herë. Ndërtoi brenda muajit një tavernë moderne, ku tavolinat janë përditë të zëna.

Petraqi është njeri i kënaqur me punën që bën. “Punoj e ia dal të paguaj shtetin dhe ç’mbetet, është imja. Myzeqarët edhe kur ishin hyzmeqarë kishin merak të paguan të tretat beut, pastaj ç’mbetej, qe për vete. Ne kështu jemi, kokulur në punë. Ke parë myzeqar të bëjë sherre? “- thotë Petraqi që erdhi nga Kolonja e Lushnjës, në Seman se aty afër ka detin dhe kush është afër detit, është afër mbretit. Po mbreti i Petraqit, edhe pse rruga që të çon aty është përfunduar nga TAP, është gjithmonë bosh. Deti i vdekur i Semanit, me rërën më të mirë në Shqipëri, ka vetëm ndonjë peshkatar të trembur, kur sheh kamera, se mendon, ku i dihet mos ka dalë ndonjë ligj që ndalon peshkimin me rrjeta. Kur shikon atë hapësirë të madhe, bosh, të merr e qara. Si ndodh në një vend aq të vogël si yni, ta lëmë të shkretë atë copë Adriatik? Banorët tregojnë se askush nuk vjen në Seman të lahet, se deti është i ndotur. Bankers ka derdhur naftë dhe nëse lahesh aty, infektohesh. Por asnjë, asnjëherë nuk e ka ngritur zërin. Ke dëgjuar lalë të bërtasë, -thonë, ndaj nuk na pyeti njeri, na e sollën Bankersin këtu, e morën naftën, e ndotën zonën dhe ikën.
Tani erdhën të tjerë dhe askush nuk merr përsipër dëmin e madh që i bënë kësaj zone. Luftar Paja më merr prej dore dhe më tregon se dikur Semani i fëmijërisë së tij, ishte me fushat plot me kuaj të egër, pyje të tëra me pisha pambarim, plazhi me rërë që i zhdukte gjithë sëmundjet dhe deti, një det nga s’të dilej kurrë. Tani me gjithë nostalgjinë, aktori që i dha 33 vjet Fierit, e ka lënë Semanin e fëmijërisë së bukur në një libër dhe vetë rri në Orikum për plazh. Një burrë që ka marrë një byrek me vete dhe unë pres derisa e mbaron të gjithë, thotë se i ka ende në vesh, zhurmat e fëmijëve të kabinave. “Ajo rërë pa anë e fund, ishte plot gaz. Tani kabinat i mori deti dhe Semanin e mori lumi. Vdiq, mbaroi. Ja unë vij e ha këtë byrek dhe ulem në rërë e shullehem, pastaj iki në këmbë në fshat. Lahem në çezmë.” Kur i pyet banoret, çfarë bën Bashkia, të thonë që Bashkia përpiqet, po ç’të bëjë Bashkia, Bankersi nuk pyet për bashki.
Të shkretët njerëz, nuk hapin gojë të thonë një fjalë të keqe për askënd, madje as për Kryetarin e Bashkisë që është në gjithë kuptimin e fjalës një butak butaforik. Kur i kërkoj të më japë një intervistë në Seman, duke i shpjeguar se kjo zonë duhet të marrë vëmendje se mund të ketë shumë mundësi zhvillimi, më thotë: Hajde në zyrë më mirë, se kush shkon deri ne Seman. Ai ka aq frikë e ndot nga zona që drejton, sa as nuk shkon ta vizitojë, jo më të ëndërrojë për të, të besojë te ajo, të japë një dorë për ndryshimin e saj, nga një tokë e mjerë buzë detit të vdekur, në vitrinën më befasuese të Myzeqesë. Se nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ka aq shumë shanse ajo zonë. Ka qenë e begatë, është plot njerëz të urtë dhe punëtorë që mbjellin bostan, pjeshkë, domate në oborre dhe i hanë vetë, nëse nuk i shesin dot te dera, ku s’ kalon kush. Kur i sheh tek sjellin bagëtitë në buzëmbrëmje, të hequr, të lodhur, të pa buzëqeshur, të ngjan sikur po lexon Lumin e Vdekur të Jakov Xoxës dhe asgjë nuk ka ndryshuar veç beut, që tani është njëfarë Armando Subashi. Kur shkoj në Apolloni, që është aq afër Semanit dhe fshatin e shoh nga lart, bindem se nuk ka shanse të mos zhvillohet ajo zonë. Apoloninë e gjej plot. Një ceremoni kurorëzimi, bëhet në kishë dhe unë me ministren Kumbaro, shkojmë dhe i urojmë të sapo kurorëzuarit, pasi mbarojmë intervistën për rijetëzimin e monumenteve kulturore.
Në fakt ky është rijetëzimi. Ajo dasmë i jep jetë historisë. Dhe ky është Semani, me Apoloninë në derë, me detin, me rerën, me ushqimet që vijnë nga toka, në gojë, ky është Semani i agroturizmit të munguar, Semani i njerëzve që duan vetëm mundësinë e hapjes së rrugës, nga do të vijë mirëqënia e tyre. Kanë ikur të gjithë në emigracion dhe e kanë braktisur fshatin, por paratë janë aty, në tokën që lanë. Ajo tokë do t’i bëjë të pasur. Fermat, bujtinat, shtëpitë pritëse, hotelet në plazh, restorantet, të gjitha do e popullojnë një ditë Semanin. Atë ditë, deti do të jetë plot fëmijë që bërtasin e luajnë si dikur rreth pellgjeve në plazh, ku deti vjen e shkon dhe lë peshk në rërë, kur tërhiqet. Nuk është përrallë, është mundësia që do ta ketë zona, lënë peng, tek shpërdoruesit e pasurisë më të madhe të Shqipërisë, agroturizmit, në emër të fitimit të shpejtë dhe të fshehtë. Atë ditë kur Semani do të kthehet në vitrinën e bukur të Myzeqesë, do të jetë një hapësirë më shumë për fundjavat tona, për pushimet tona, do të konkurrojë Golemin dhe Gjirin e Lalëzit, do të pasurojë njerëzit që tani vrasin miza. Dhe kjo do të ndodhë, sepse nuk kemi luksin ta humbasim atë copë tokë të magjepsur, ku rëra dhe deti po qajnë për njeriun. Atë ditë Semani nuk do të jetë më Semani i detit të vdekur.

Print