Riciklimi informal në Shqipëri

Klik. Ndërkohë katër fëmijët rom nuk qeshin para aparatit. Të ulur gju më gju mbi mbetjet e venddepozitimit të Sharrës, ato luajnë me një kuti të vjetër makiazhi. Dikush bëhet si tigër e dikush si klloun. Ato janë jo më shumë se 5 vjeç, të veshur me rrecka e madje njëri është lakuriq. Jemi në mes të nëntorit. Nuk ka një sistem të ndarjes së mbetjeve në Shqipëri. Dy të tretat e bashkive mbështeten mbi kompani private për të mbledhur mbetjet, të cilat dërgohen mëpastaj në venddepozitime. Në Sharrë, vendi i hedhjes është ristrukturuar për të plotësuar normat sanitare evropiane. 

Është vendosur një mbulesë plastike dhe sistemi i metanizimit. Por, duke qenë se përdorja e venddepozitimeve është e kushtueshme për bashkitë (1400 Lek/ton në Bushat, afër Shkodrës), mbledhja e tyre jo gjithmonë zbatohet me rigorozitet.

Në të kundërt, sektori informal është shumë agresiv. Ai përbëhet kryesisht nga popullsi rome dhe egjiptiane. Megjithëse shumica e tyre (90 %) nuk janë të regjistruar në Regjistër (Census), pra nuk ekzistojnë, vlerësohet që rreth 12.000 jetojnë afër pikave të grumbullimit (rreth 1000 familje) dhe rishesin materialet e riciklueshme.

Mbledhësit janë të dy llojeve: ato të vendepozitimeve dhe ato të rrugës. Në vendepozitimin e hapur më shumë gjenden fëmijë para adoleshentë dhe gra. Ato shpesh mbledhin mbetjet herët në mëngjes, duke qenë se në këtë kohë vijnë dhe kamionët bashkiak. Në Elbasan, për shembull, mbetjet digjen rreth orës 9 të mëngjesit duke lënë vetëm pak orë për romët që të mbledhin pjesën e riciklueshme.

Një studim i kryer në Sharrë ka nxjerrë numra tronditës (1). Çdo ditë, 70% e fëmijëve dhe të rriturve shpenzojnë më shumë se 8 orë duke ndjekur kamionët që shkarkohen. 100 deri 200 kamionë vijnë çdo ditë në Sharrë duke sjellë 1000 – 1500 ton mbetje. Pas ndarjes, mbledhësit shesin plastikën për 25 Lek/kg, kartonin për 3,5-5 Lek/kg, aluminin për 90 Lek/kg dhe qelqin për 4-11 Lek/kg. Të ardhurat ditore mesatare jane 500 Lek/kg. Sa për kushtet e jetesës, 85% e romëve që punojnë informalisht në venddepozitim jetojnë në baraka kartoni apo druri në kushte shumë të këqija higjenike.

Në rrugë, mjetet e përdorura për mbledhjen e mbetjeve janë shpesh qesharake. Hipur mbi karroca apo biçikleta të modifikuara, mbledhësit (shpesh burra ose adoleshentë) kontrollojnë kazanët disa herë në ditë. Nga një studim i kryer nga shoqata Recycl’AGE (2) , në bashkëpunim me Lëvizjen Rinore të Romëve dhe Egjiptianëve ne Elbasan, ka dalë se këto mbledhës punojnë mesatarisht nga 7 orë në ditë. Ato mbledhin rreth 23 kg plastikë në ditë, e cila, e shitur me 20 Lek/kg i sjell një fitim prej mesatarisht 470 Lek/kg.

Ndonjëherë ato zbrasin kazanët duke lënë mbetjet e pambuluara në trotuar, duke i rritur reputacionin e keq, sidomos mes punonjësve bashkiak (të cilët gjithashtu mbajnë mënjanë mbetje të riciklueshme gjatë mbledhjes së tyre, për t’i pasur si të ardhura shtesë).

Në mes të procesit, janë ndërmjetësit të cilët blejnë mbetjet nga mbledhësit, i grumbullojnë stok dhe i shesin në sasi të mëdha tek impiantet e riciklimit, që mund të jenë larg nga pika e mbledhjes, apo t’i eksportojnë (zakonisht aluminin). Duke qenë se ndërmjetësit janë të paktë, mbledhësit rom dhe egjiptian shpesh nuk mund të zgjedhin se tek cili do t’i shesin mbetjet. Për më tepër, janë ndërmjetësit ato që u japin mjetet e transportit dhe të grumbullimit, kështu që mbledhësit janë të varur nga ndërmjetësit. Mungesa e konkurencës mes ndërmjetësve i lejon ato të vendosin sipas dëshirës çmimin e blerjes së materialeve të riciklueshme nga mbledhësit.

Në shtator 2015 Amazing Waste Project, një projekt për mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme filloi në Shqipëri. Projekti synon të formalizojë sektorin e mbledhjes informale të mbetjeve në Shqipëri. Projekti ka si qëllim të formalizojë sektorin informal të mbledhjes së mbetjeve; organizimin e ricikluesve në kooperativa dhe të ngrejë një sistem mbledhje sipas një modeli kapilar. Për çdo kilogram mbetje që qytetarët do t’i japin mbledhësve (të cilët do të vijnë në ndërtesa), ato do të marrin një kupon. Ky kupon mund të përdoret më tej në supermarket, ristorante, bare etj.

Kjo përvojë nuk është e re (Brazil, Indi, zona e Magrebit) dhe tani ka fakte në terren që kjo lloj qasje siguronm përfitime ekonomike, ekologjike dhe sociale për të gjithë palët, që nga bashkitë e mbledhësit e deri tek bizneset e qytetarët.

1. Study report on the situation of the Roma living and working at the waste collection site in Sharre by IFAW, ARSIS, FBSH, and financed by Cooperazione Italiana allo Sviluppo

2. Analysis about informal collector’s data, Elbasan, Albania. Data collected and analyzed by Recycl’AGE Association and Roma & Egyptian Youth Movement.

Amazing Waste Project

www.amazingwasteproject.com

Print