• Kreu
  • Mbetjet
  • Kundër landfillit, banorët e Verrisë bllokojnë autostradën Fier-Lushnje

Kundër landfillit, banorët e Verrisë bllokojnë autostradën Fier-Lushnje

Banorët e Verrisë sërish në protestë për mosndërtimin e landfillit në fshatin e tyre. Por ndryshe nga herët e kaluara ku ata kanë protestuar para Bashkisë së Fierit dhe në vendin ku do të ndërtohet landfilli, banorët sot kanë bllokuar autostradën nacionale Fier-Lushnjë, në te dyja anët e saj. Kanë qenë mbi 50 banorë të cilët kanë bllokuar autostradën, ata janë ulur në mes të rrugës duke shkaktuar radhë kilometrike të automjeteve të cilat po kalonin në autostradë. Edhe pse drejtuesit e mjeteve u kanë kërkuar që ta zhbllokojnë rrugën ata nuk i kanë marrë parasysh thirrjet e tyre.

Protesta e banorëve të Verrisë është shpërndarë sapo ata kanë marrë vesh se në vendngjarje po shkonin forcat e policisë. Në protestë më shumë kanë marrë pjesë gra dhe fëmijë në mënyrë që tu shmangeshin arrestimeve nga policia.

Ndërkohë që sipas burimeve të Policisë së Fierit janë shoqëruar rreth 7 banorë të fshatit Verri të cilët kanë qenë organizator të protestës e cila bllokoi autostradën për disa minuta.

Mbi ta rëndon akuza e organizimit të protestave në mënyrë të paligjshme. Pritet që sërish të ketë protesta para policisë së Fierit ku banorët kërkojnë lirimin e të afërmve të tyre.

Print