• Kreu
  • Mbetjet
  • Inagurohet në Elbasan impianti i Përpunimit të Mbetjeve dhe Prodhimit të Energjisë

Inagurohet në Elbasan impianti i Përpunimit të Mbetjeve dhe Prodhimit të Energjisë

Këtë të martë, është inaguruar në Elbasan, impianti i Përpunimit të Mbetjeve dhe Prodhimit të Energjisë. Ministri i Mjedisit, gjatë inagurimit është shprehur se "kjo është padiskutim një ditë e shënuar, jo vetëm për mua si Ministër Mjedisi, por më së shumti për të ardhmen e mjedisit shqiptar, për jetën e sigurt të qytetarëve, pasi së bashku ia dolëm që të ndërtojmë një model të vërtetë suksesi. Ky impiant që ne po inaugurojmë sot, e them me garanci, se do të shndërrojë njëherë e përgjithmonë imazhin e Shqipërisë, sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Sot Elbasani është shndërruar nga qyteti më i ndotur apo gangrena mjedisore e vendit tonë, si rëndom i janë referuar në 25 vite ekspertët mjedisorë, padiskutim në një model që nuk duhet të jetë një histori e veçuar suksesi, por duhet pasuar dhe nga të tjera projekte si ky.”

Sipas Ministrisë së Mjedisit, falë këtij investimi:

- U rehabilitua plotësisht dampa ekzistuese e mbetjeve që ishte kthyer në një gangrenë për qytetin e Elbasanit dhe shndërrimi i tij në një park rekreativ dhe të gjelbëruar.

- U ndërtua një landfill i ri, brenda të gjitha standarteve të Bashkimit Evropian me një impiant modern të trajtimit të ujërave, i cili u bë funksional me kapacitet të plotë, rreth një vit më parë.

- U inaguarua i parin impiant në Shqipëri për prodhimin e energjisë nga mbetjet duke bërë të mundur që dhe jetëgjatësia e landfillit të jetë mbi 80 vjet.

Impianti është në gjendje të prodhojë 2.85 Megavat energji elektrike në orë, si dhe rreth 11 megavat avuj në orë, të cilat në të ardhmen, do të përdoren për serrat hidroponike, që do të ngrihen aty pranë.

“Ky impiant, i pari i këtij lloji është investimi më i madh i bërë ndonjëherë në fushën e mjedisit në vendin tonë. Falë bashkëpunimit me Gjigandët Botërorë të teknologjisë si: Paul Wurth, Siemens apo Tama është bërë e mundur që ky impiant të jetë super ekologjik, në respekt të plotë të natyrës dhe njerëzve. Qytetarët e Qarkut Elbasan, nga sot do të kenë një shans më shumë, ata do të rrisin fëmijët e tyre në një ambjent të sigurt dhe të shëndetshëm. Unë personalisht ndihem krenar, pasi nga sot hapim një kapitull krejtësisht të ri të menaxhimit të mbetjeve në vend, kapitullin e një Mjedisi Europian”, përfundoi Koka.

Print