• Kreu
  • Mbetjet
  • 'Mbetjet', Mjedisi përgënjeshtron Mziun: Nuk ka aplikim për leje

'Mbetjet', Mjedisi përgënjeshtron Mziun: Nuk ka aplikim për leje

Ndërkohë që qytetarët e Kamzës presin prej 3 ditësh një zgjidhje të problemit të mbetjeve në lumin e Tërkuzës, burime nga Ministria e Mjedisit konfirmojnë se nuk ka asnjë aplikim për leje mjedisore, pavarësisht pretendimit të kryetarit të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Sipas ministrisë edhe aprovimi për venddepozitimin jepet në bazë të një studimi dhe jo vetëm përmes një kërkese. Nga ana tjetër, Kryebashkiaku i Kamzës është shprehur se bashkia dhe këshilli bashkiak kanë miratuar krijimin e një pike tjetër të mbledhjes së mbetjeve në Valias, por Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë i refuzon lejen e mjedisit Bashkisë Kamëz, duke sjellë për pasojë këtë situatë.

“Ndaj në i jemi drejtuar përsëri ministrisë dhe QKR-së për të licencuar vendepozitimin tjetër të mbetjeve urbane. Pasi kemi bërë aplikimin e saj që mban datën 06.01.2016, kemi refuzim të lejes mjedisore, në mënyrë të pakuptimtë”, u shpreh kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu.

Banorët e Kamzës protestuan mëngjesin e së hënës para Bashkisë së Kamzës duke kërkuar që të mos hidhen më mbeturina në venddgrumbullimin e Zall Herrit. Edhe pse prej ditësh janë në pritje të zgjdhjes së problemit përmes miratimit të vendgrumbullimit të ri në Valias, Ministria e Mjedisit konfirmon se Bashkia nuk ka bërë asnjë aplikim pavarësisht se pretendon dhe pret zgjidhje.

Sa i përket landiflit të kërkuar nga ana e Bashkisë së Kamzës, burime nga ministria pohojnë për Report TV se landfill nuk mund të ketë Kamza, pasi ai do të jetë rajonal dhe për këtë i duhet të ketë marrëveshje edhe me Bashkinë Tiranë.

Banorët e zonës për rreth vendgrumbullimit u tërhoqën nga protesta me argumentin se brenda dy ditësh do të merrnin zgjidhje nga ana e bashkisë.

Por edhe pse kanë kaluar tre ditë ata nuk kanë marrë një zgjidhje, por në mungesë edhe të kërkesës për një vendgrumbullim të ri, duket se problemi i tyre nuk do të marrë zgjidhje edhe për një kohë të gjatë.

Print