• Kreu
  • Mbetjet
  • QKShK i kërkon Bashkisë Elbasan të marrë masa për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve

QKShK i kërkon Bashkisë Elbasan të marrë masa për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve

Pavarësisht se Elbasani ka ndër nivelet më të larta të sëmundjeve të ndikuara nga ndotja (si psh. kanceri), menaxhimi i mbetjeve duket se nuk është ndër përparësitë e bashkisë. Bashkia Elbasan nuk ka aprovuar një plan vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve, siç kërkohet nga ligji, dhe siç e kanë aprovuar disa bashki të tjera si psh. Durrësi dhe Tirana. Nuk ka asnjë përpjekje për riciklim mbetjesh në nivel bashkiak. Të gjitha mbetjet urbane të Elbasanit përfundojnë sot në incinerator dhe digjen.

Në praktikën europiane dhe në frymën e ligjit shqiptar, bashkitë duhet të çojnë në incinerator mbetjet reziduale (të mbetura pas ndarjes veçmas të mbetjeve të riciklueshme) dhe jo gjithë mbetjet bashkiake.

Fshatra të tërë në Elbasan nuk mbulohen me shërbimin e pastrimit. Shumë nga njësitë administrative vuajnë mungesën e kazanëve të mbeturinave. Banorët ankohen se mjeti i pastrimit vjen shumë rrallë, gati një herë në muaj, në Papër, Labinot-Fushë, Shirgjan.

Bashkia Elbasan ka mungesë transparence me publikun. Në faqen e saj zyrtare mungon informacion që kërkohet nga ligji “Për të Drejtën e Informimit”, si psh. informacioni mbi taksën e pastrimit, mbi kontratat konçesionare të pastrimit, mbi buxhetet faktike të pastrimit. Mungojnë tekstet e vendimeve bashkiake. Përgjigjet ndaj kërkesave për informacion të Qendrës Kombëtare Për Shërbime Komunitare jepen me vonesë ose nuk jepen fare.

Bashkia e Elbasanit i prokuron shërbimet e pastrimit tek kompanitë private. Në disa raste shërbimet janë prokuruar në tender me negocim të drejtpërdrejtë, pa garë. Këto lloj tenderash janë të ekspozuar ndaj kurrupsionit, pa efiçencë buxhetore, dhe janë shënuar me „flamur të kuq“ në databazën e të dhënave të www.operprocurement.al:

Po përmend tenderat e vitit 2016 për kryerjen e shërbimit të pastrimit në qytetin e Elbasanit për periudhën 11.07.2016- 10.08.2016; 10.06.2016- 10.07.2016; 01.03.2016 deri 30.04.2016; 01.03.2016 deri 30.04.2016, apo tenderat e vitit 2015 për periudhën 01.01.2016-29.02.2016, 01.11.2015-31.12.2015.

Përdorimi i tenderave të tillë mund të ketë kontribuar në rritjen graduale dhe dyfishimin e shpenzimeve të bashkisë për pastrimin në vitin 2015 në krahasim me vitin 2008. Nëse në vitin 2008 shpenzimet për pastrimin ishin ~63 milion lekë, në vitin 2015 këto shpenzime ishin 137 milion lekë.

Nuk ka asnjë informacion publik se çfarë ka bërë deri tani bashkia e Elbasanit për të realizuar objektivat e Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane, 2010-2025, si psh. riciklimin e plastikës me 20% brenda vitit 2015, e 40% brenda vitit 2020. Publikimi i informacioni mbi arritjet ose dështimet në zbatimin e objektivave të përcaktuara nga ky plan dhe aktet e tjera ligjore do të shtonte transparencën e punës së bashkisë.

Në një letër zyrtare, Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (QKShK), i ka kërkuar Bashkisë Elbasan që të respektojë ligjin dhe të marrë masa për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve. Bashkia nuk ka kthyer përgjigje ndaj këtyre rekomandimeve.

Print