• Kreu
  • Mbetjet
  • Mëmëlisht- Hudënisht më e pastër, shoqata “Unë, Gruaja” mobilizon komunitetin

Mëmëlisht- Hudënisht më e pastër, shoqata “Unë, Gruaja” mobilizon komunitetin

Kjo që po ju prezantojmë sot nuk është një ditë e shënuar mjedisore, është një nga 365 ditët e vitit. Disa gra aktive të shoqatës u mblodhën, diskutuan dhe vendosën të jenë ato iniciatoret dhe nxitëset e një aktiviteti pastrimi e sensibilizimit. Kësaj nisme iu bashkuan banorë të zonës, burra, gra e të rinj, nxënës e fëmijë. Shoqata “Unë, Gruaja” i pajisi me materiale pastrimi dhe disa broshura informuese. Të gjithë bashkë dolën në zonën Mëmëlisht- Hudënisht përgjatë rrugëve të fshatrave dhe bregut të liqenit për të pastruar.

“Duam që fëmijët tanë të vlerësojnë dhe të dinë të mbajnë pastër mjedisin, vetëm kështu do jemi të sigurta që u kemi trashëguar kujdesin për veten, për shëndetin e tyre" - këto janë fjalët e Kanditës, Dashuries, Mirelës, Enxhit, e të tjera nënave të cilat u bënë protagoniste për pastrimin e zonës ku ato banojnë. Duam të na shohin të tjerët, t’u vijë turp dhe të na kujtojnë ne sa herë që bëhen gati të hedhin mbeturina në rrugë”.

Mesazhi i tyre është shumë i fortë.

"Një perlë si kjo që po shihni, duhet ta mirëmbajmë, - Se ne e duam veten tonë, i duam edhe Miqtë" - kështu u thonë me ngadalë, me urtësi fëmijëve të tyre teksa pastrojnë ato që kanë lënë pas pushuesit e kësaj dite të nxehtë korriku.

Ne si shoqatë ndihemi shumë krenare për këto gra. Për mesazhin që kanë marrë dhe që e përcjellin, për urtësinë, për iniciativën, për vazhdimësinë. Na gëzon fakti që ne po mundemi të realizojmë drejtpërdrejtë misionin tonë!

Shoqata “Unë, Gruaja” Pogradec, është pjesë e rrjetit për shërbime mjedisore në Shqipëri (N.E.S). Në kuadër të projektit "Financimi i Shërbimeve Mjedisore pas Reformës Administrativo-Territoriale", po zbatohen edhe një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese ku shoqata aktivizon, nxit dhe organizon të rinjtë apo edhe grupe të caktuara për të kryer aktivitete të tilla.

Print