• Kreu
  • Mbetjet
  • Raporti i DP: Qytetarët e Tiranës s'janë korrekt në ndarjen e mbetjeve

Raporti i DP: Qytetarët e Tiranës s'janë korrekt në ndarjen e mbetjeve

Sensibilizimi i qytetarëve në Tiranë për të hedhur mbetjet në vendet e duhura lë shumë për të dëshiruar. Me gjithë masat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit, Bashkia Tiranë, për të informuar banorët përmes rrjeteve sociale, mediave apo drejtpërdrejt përmes fushatave sensibilizuese, sërish situata nuk ka ndryshuar. Qytetarët vazhdojnë të gabojnë në këtë drejtim, edhe pse kushtet nuk mungojnë dhe të gjitha rrugët janë të pajisura me koshat përkatës.

Nga vëzhgimet që Njësia e Monitorimit, (drejtori në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit) bën çdo ditë në terren, janë vënë re situata nga më të ndryshmet. Në disa raste mbetje të ndryshme hidhen jashtë koshave; në disa raste të tjera mbetje të sasive të mëdha hidhen në koshat e vegjël të cilët janë të papërshtatshëm për këto lloje mbeturinash, madje dëmtojnë edhe vetë koshat nga sasia dhe pesha e rëndë.

‘’Urbanizimi, procesi i rritjes së popullatës urbane, i progresit dhe zhvillimit të qyteteve, padyshim që ka patur edhe ndikimet e veta negative. Një prej tyre është ndotja e ambientit si pasojë e shtimit të mbetjeve urbane. Për të minimizuar këtë problematikë përveç kontenierëve që janë të pranishëm kudo në Tiranë Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit, Bashkia Tiranë ka shtuar numrin e koshave të vegjël, të cilët janë në administrim të saj. Duam të theksojmë se këta kosha shërbejnë për mbetje të rastësishme, kryesisht ambalazhime por qytetar të papërgjegjshëm, hedhin në to mbetje të çfardollojshme shtëpiake dhe industriale, madje edhe mbetje të përmasave disa herë më të mëdha se vet përmasa e koshave,’’ thonë specialistët e DPN1.

Edhe me koshat e riciklimit shfaqet e njëjta problematikë. Specialistët shtojnë se janë shumë të paktë qytetarët që respektojnë ndarjen e mbetjeve sipas përcaktimeve të koshave. Shumica ose neglizhojnë ose nuk kanë informacionin e duhur.

‘’Rëndom në rrugët e qytetit shikon këtë pamje, pavarësisht punës së palodhur të punëtorëvë të DPN1, të cilët i pastrojnë këta kosha 2 herë në ditë, dhe masave të ndërmara nga kjo drejtori për të ndërgjegjësuar qytetarët për të bërë dallimin e koshave nga kontenierët dhe për të diferencuar mbetjet që duhet të hidhen ne kosha nga ato që duhet të hidhen ne kontenier,’’ shtojnë më tej specialistët.

Problematika të tilla dokumentohen përditë nga specialistët e DPN1, përmes fotove të cilat tregojnë qartë se banorët janë ende shumë larg kulturës së mbajtjes pastër të qytetit ku jetojnë dhe derdhjes në vendin dhe mënyrën e duhur të mbetjeve të ndryshme.

‘Kjo situatë nuk mund të zgjidhet vetëm me punën e drejtorisë sonë, por edhe me kontributin e qytetarëve në këtë drejtim. Sigurisht që duhet të jemi të gjithë bashkë për një qytet më të pastër, për një të ardhme më të mirë. Qytetarët duhet të kuptojnë se Tirana është shtëpia jonë e përbashkët dhe duhet të kujdesemi për pastërtinë e saj ashtu siç kujdesemi për shtëpitë tona,’’ theksojnë më tej specialistët e DPN 1.

Sipas statistikave të marra në Drejtoria e Gjelbërimit pranë DPN1, muajt e fundit Tiranës i janë shtur 150 kosha të rinj krahas 496 koshave dekorativë dhe riciklues të instaluar më herët; përgjatë brezit të gjelbër të Lanës, në bulevard, lulishte, blloqe banimi, shkolla, çerdhe e institucione të tjera.

Print