• Kreu
  • Mbetjet
  • Ripërdorimi/riciklimi i veshjeve për një mjedis të qëndrueshëm

Ripërdorimi/riciklimi i veshjeve për një mjedis të qëndrueshëm

Prekur edhe herë të tjera si temë, e cila ka shumë për të diskutuar, mbledhja e veshjeve që në burim dhe më pas ripërdorimi/riciklimi duket se në Tiranë tashmë është bërë realitet. Qytetarët në tërësi procesin e parë, atë të ripërdorimit e kanë bërë, hërë për arsye ekonomike dhe herë të tjera si traditë e dhurimit të rrobave nga të afërmit. Ndërsa për trajtimin e mëtejshëm të tyre, siç është edhe riciklimi, e njohin specialistët apo dashamirës të mjedisit. Mbledhja e veshjeve apo sendeve të tjera, ku si lëndë bazë kanë leckën ka qenë një proces i vështirë dhe gati i pamundur për t’u realizuar për vite me radhë.

Ka pasur nisma të vogla, të cilat pasi bënin mbledhjen e rrobave të përdorura por jo vetëm, i ndanin këto materiale lecke në rripa dhe më pas i dërgonin në destinacionin porositës. Kjo nismë siç edhe filloi po ashtu mbaroi, pasi kishte mungesë të lëndës së parë si edhe ishte një proces i kushtueshëm.

Sot në vitin 2017, një firmë shqiptare me partneritet italian realizon mbledhjen e veshkeve të përdoruara dhe materialeve të tjera prej lecke që në burim. Materiali i mbledhur do të ketë dy funksione; për dhurim kryesisht fëmijëve jetim dhe ajo çka do të mbetet pas proceseve paraprake si seleksionimi, dezinfektimi dhe paketimi, më pas do të shkojë në Itali, ku partneri italian i firmës shqiptare “Galutex” do ta dërgojë në destinacionet pritëse për riciklim. Gjithashtu, materiali bazë i përftuar nga procesi i mbledhjes (veshjet e ndryshme) pas negociatave apo lidhjeve të kontratave me gjigantë të prodhimit të makinave (Fiat, Alfa Romeo apo Ferrari) do të ndahen në copa të vogla, ku më pas do dërgohen në këto kompani të prodhimit të makinave, të cilat do t’i përdorin gjatë punës së tyre të përditshme.

Vendosja e 31 kontenierëve për mbledhjen e rrobave të përdorura është një projekt individual, bërë realitet edhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Znj. Galutex, e cila është edhe administratore e projektit të saponisur tregon se kjo nismë ka filluar si një projekt pilot, i përqëndruar kryesisht në zonën qëndrore të Tiranës, ku sipas saj nëse projekti ecën sipas pritshmërive, ai do të shtrihet edhe në zonat përtej qendrës apo në zonat periferike të Tiranës.

Sipas Insititutit të Statistikave në vitin 2017 përqindja e tekstileve zë 2.9% - 3% të të gjithë masës së mbetjeve urbane te kompostueshme. Nisma të tilla do të ndihmojnë në uljen e masës së mbetjeve, si edhe do të zbusin ndjeshëm koston e transportit të këtyre mbetjeve drejt landfilleve, jo vetëm për Tiranën, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Administratorja e firmës “Galutex” vazhdon të na tregojë plot pasion, se projektin e saj të ri ajo dëshiron ta promovojë edhe më tej, duke kryer fushata sensibilizuese nëpër shkolla, insititucione apo edhe bashkëpunime me biznese të ndyshme private. Nisma të tilla private apo institucionale ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit ku ne jetojmë, duke marrë masat e nevojshme për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tij.
A do të ishte efikase një nismë e tillë edhe për letrën apo plastikën, ku mbledhja e tyre që në burim do të lehtësonte punën e ricikluesve, si edhe do të ulte masën e kontenierëve të tejmbushur?

Print