• Kreu
  • Mbetjet
  • Mbetjet spitalore mbushin vijën bregdetare. Ministri Klosi: Është krim mjedisor

Mbetjet spitalore mbushin vijën bregdetare. Ministri Klosi: Është krim mjedisor

Mbetjet spitalore dhe të llojeve të tjera në vijën bregdetare po kthehen në një “minë me sahat” për shëndetin e qytetarëve. Grykëderdhjet e lumenjve janë ndotësit më të mëdhenj të bregdetit shqiptar, i cili është mbushur me mbetje të llojeve të ndryshme deri tek ato spitalore. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ishte i pranishëm në aksionin që u krye dje për pastrimin e grykëderdhjes së lumit Erzen, deklaroi se në shumicën e rasteve ndotja është kryer me qëllim nga persona të papërgjegjshëm.

Sipas Klosit, deri më tani janë evidentuar 800 raste ku biznese të ndryshme që kanë komunikim me lumenjtë dhe detin, nuk e zbatojnë si duhet lejen mjedisore. Kreu i Mjedisit paralajmëroi vënien para përgjegjësisë penale për ndotësit e lumenjve, duke saktësuar se strukturat e Ministrisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit janë duke ndjekur situatën dhe evidentuar shkaktarët e ndotjes. Një tjetër problematikë, sipas tij, janë edhe mbetjet spitalore, për të cilat ai u kërkon organeve të drejtësisë të vënë para përgjegjësisë ligjore autorët.

“Është e pafalshme që në zonën më turistike të vendit të evidentohet një numër kaq i madh mbetjesh spitalore, që pa dyshim kanë një autor. U kërkojmë organeve të drejtë- sisë, dhe ne natyrisht do të bashkëpunojmë me organet e rendit, të vëmë para përgjegjësisë autorin konkret të këtij krimi mjedisor.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është në krye të një aksioni të madh për të evidentuar të gjithë shkelësit. Kemi evidentuar 800 raste kur biznese të ndryshme kanë komunikim me lumenjtë dhe leja mjedisore nuk zbatohet. Do të aplikohen masa ekstreme për shkelësit e ligjit, të cilët ndotin mjedisin”, u shpreh ministri Klosi.

Ai ishte dy ditë më parë në organizimin “Të pastrojmë Shqipërinë”, i cili përfshin tri konceptet për aksionin kombëtar dhe evidentimin e zonave më problematike. Më alarmante është cilësuar ndotja spitalore, pasi është vënë re se në lumenjtë e vendit tonë janë hedhur shumë medikamente të skaduara dhe mbetje që grumbullohen nga spitale të ndryshme.

Edhe dje në grykëderdhjen e Erzenit, por e njëjta situatë është edhe në atë të Ishmit, është evidentuar një sasi e madhe mbetjesh të tilla.

Pasi aksioni të përfundojë me pastrimin e grykëderdhjes së lumit Erzen, do të fokusohet në pastrimin e grykëderdhjes së lumit Ishëm, i cili ka ndotur një sipërfaqe shumë të madhe bregdeti në atë zonë, një ndër perlat e bregdetit në veri të Durrësit. Lumi Erzen shkarkon në det mbetje të shumta që vijnë nga kryeqyteti, ndërsa ai i Ishmit zbraz tonelata mbetjesh të ndryshme, deri te kafshët e ngordhura në det.

Por, paradoksi qëndron se janë edhe biznese të ndryshme, të cilat për përfitime vetjake gjejnë rrugën më të shkurtër duke i derdhur mbetjet në lum dhe ky i fundit i përcjell në det të hapur.

Print