• Kreu
  • Mbetjet
  • “Bomba me sahat” e mbetjeve në Porto-Romano

“Bomba me sahat” e mbetjeve në Porto-Romano

“Problemi më urgjent mjedisor në Bashkinë e Durrësit është depozitimi dhe trajtimi i mbetjeve të ngurta. Depozita e Porto‑Romanos është kthyer në një bombë me sahat. Në këtë kontekst zgjidhja e depozitës së re të mbetjeve të ngurta është urgjente dhe strategjike”, ishte ky konkulzioni që nxorri në muajin shkurt 2016, Bashkia Durrës dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit”. “Boma me sahat” është vendosur rreth 3-4 kilometra në veri të qytetit të Durrësit. Ajo zë një sipërfaqe prej 80.000 m2 me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura.

Çdo ditë për ta “pasuruar” strukturën e kësaj ‘bombe’ kontribuojnë tri bashki: ajo e Durrësit, Shijakut dhe e Kavajës. Kamufilimi i saj është arritur duke lejuar ndërtimin e banesave aty pranë, në fushën e Porto-Romanos.

Sipas Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për bashkinë e Durrësit 2010-2025, qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto-Romano, që është vendhedhje për nga standardet, e cila është hapur që në fillim të viteve’ 90 dhe është parashikuar të ketë jetëgjatësi për 25 vjet (deri në vitin 2015).

Ndotja e ajrit dhe nëntokës

Nga monitorimet e gjashtë‑mujorit të parë të vitit 2012, cilësia e ajrit në bashkinë Durrës paraqitej problematike, si pasojë e rritjes së grimcave PM 2.5 dhe PM 10. Sipas “Analizës dhe Vlerësimit të Territorit”, tek faktorët që kontribuojnë në këtë situatë renditej edhe djegia e mbeturinave në zonën e vendgrumbullimit të mbetjeve.

Ndërsa lidhur me ndotjen e ujërave, renditej edhe “vendet e pasigurta të hedhjes së mbeturinave si Porto-Romano, përsa i përket ujërave nëntokësore dhe zonave akuifere (shtresë nëntokësore toke e përshkueshme nga uji dhe që mban ujë). Po ashtu depozita e Porto-Romanos dhe depozitat e deritanishme të njësive administrative, rrezikojnë të ndosin napat freatike (zona e ngopjes, një “rezervuar”, në të cilin relativisht të gjitha poret janë të ngopura me ujë) për arsye të cektësisë së tyre.

Ndërsa sipas Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve, performanca mjedisore e vendhedhjes është katastrofike, për shkak të çdo aspekti të emetimeve potenciale. Vendhedhja vuan nga ndotja e mbetjeve, lëngjet që rrjedhin nga vendhedhja përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe në det, emetimet e pakontrolluara të biogazrave, e gjithashtu vendi merr flakë rregullisht në kohë të thatë, duke shkarkuar përqëndrime të larta të dioksinave dhe furaneve.

Por nga vëzhgimi disamujor i Citizens Channel, rezulton se mbeturinat digjen pa ndërprerje përgjatë 24 orëve, në çdo stinë.

“Vendgrumbullimi i mbetjeve në Porto-Romano është një depo helmi me dyer të hapura”, shprehet për Citizens Channel, Xhemal Mato, ekspert i mbetjeve të ngurta.

Më tej Mato shton se vendgrumbullimi është jashtë çdo standardi, pa rrethim, kafshët përdorin ujin e ndotur për të pirë, e më tej ato derdhen në det, duke ndikuar edhe tek bota ujore, e gjithashtu nuk ka studime për nivelin e ndotjes.

Ndërsa Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale në bashkinë Durrës, na bën me dije se nuk ka kapacitet për të kryer studime mbi nivelin e ndotjes.

Njerëzit dhe kafshët jetojnë me mbeturinat

Nëse shkon në orët e para të mëngjesit në vendgrumbullimin e mbeturinave, mund të mendosh se ajo është një minierë. Me një dritë të vendosur në kokë, të rriturit punojnë edhe përgjatë natës për të grumbulluar bidona plastikë, kartona, kanaçe dhe hekura. Nga ky aktivitet ata shprehen për Citizens Channel se fitojnë rreth 10 mijë lekë të vjetra në ditë.

Ndërsa fëmijët i gjen kryesisht përgjatë gjithë ditës. Disa pasi mbarojnë shkollën, e të tjerë “mësimet” i marrin duke gërmuar midis mbeturinave të tri qyteteve. Makinat që sjellin mbeturinat janë “transporti i tyre urban”.

“Kjo është makina e plehrave të Kavajës, do ta ndaloj që të hipi dhe të shkoj tek vendgrumbullimi”, shprehet një i mitur që ka dërguar për të shitur kanaçet dhe hekurat.

Këtu punojnë mbi 50 persona në ditë, të cilët kryesisht banojnë në zonën e Porto-Romanos ose Shën Vlashit, e që origjinën e kanë nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Banorët aty pranë, përgjatë rrugës “Kuvendi Françeskan”, vendgrumbullimin e mbeturinave e kanë parë si mundësinë e vetme të punësimit dhe sot shprehen se kasollet i zëvendësuan me shtëpi me tulla, duke punuar tek mbeturinat. Kjo megjithë koston e lartë shëndetësore, si sëmundje të ndryshme infektive dhe thyerje gjymtyrësh.

Ndërsa banorët e Porto-Romanos nuk kursehen të tregojnë se djegia e mbeturinave po i helmon çdo ditë. Shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, gjendet vetëm pak minuta larg këtij vendgrumbullimi.

Artikullin e plotë, mund ta lexoni këtu.

Print