• Kreu
  • Mbetjet
  • Ndryshimi i politikave për mbetjet urbane i kushton shtrenjtë shqiptarëve

Ndryshimi i politikave për mbetjet urbane i kushton shtrenjtë shqiptarëve

Në 18 Prill 2017, në fshatin Katund i Ri të njësisë administrative Bradashesh, rreth 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit, kryeministri Edi Rama së bashku me ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri si dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, inaguroi hapjen e inceneratorit të djegies së plehrave të Elbasanit – një investim me partneritet publik privat, i pari i këtij lloji në Shqipëri. “Jemi këtu për të parë nga afër një impiant që është shëmbëlltyrë kuptimplotë e teknologjisë së fundit dhe padyshim, një investim për të cilën nuk kemi si të mos jemi krenarë,” i tha Rama dinjitarëve dhe të pranishmëve të mbledhur.

“U jam shumë mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave. Ky i fundit, megjithëse është gjirokastrit, në këtë rast e zgjidhi deri në fund qesen, gjë që ju siguroj, nuk është e lehtë,” shtoi Rama.

Kryeministri kishte të drejtë ndërsa pohonte se ministri i Financave e kishte zgjidhur qesen, sepse ndërtimi i inceneratorit të Elbasanit në total i kushton taksapaguesve 21 milionë euro, të cilat po paguhen me këste për një periudhë 6 vjeçare ndaj kompanisë ndërtuese Albtek Energy.

Me gjithë shpenzimet e larta që kanë inceneratorët, kryeministri deklaroi se ‘nuk kishin parë gjë akoma sepse ky është vetëm fillimi,” duke shtuar që ai shpresonte të bindte edhe qytetarët e bashkisë Fier të ndërtonin një incenerator, sidomos fshatrat ku parashikohet të ngrihet projekti, i cili kundërshtohet nga banorët e zonës dhe këshilltarët bashkiak të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Jam i bindur që falë këtij shembulli fantastik dhe falë faktit që kontributor shumë i rëndësishëm në këtë arritje është ministri i Mjedisit dhe këshilltarët e Bashkisë së Fierit, të partisë simotër të Lëvizjes Socialistë për Integrim, tanimë do jenë të bindur që nuk është fitore ta bllokosh zhvillimin e një projekti të tillë edhe në Fier, por fitore është ta ndërtosh,” tha Rama, i cili në atë kohë bashkëqeveriste me LSI-në.

“Kështu që shpresoj shumë që do të ktheheni në Fier të frymëzuar, të entuziazmuar dhe të gjithë së bashku do t’i bindim edhe banorët e Fierit, sidomos banorët e zonës ku parashikohet të ndërtohet ky projekt, që ky projekt nuk sjell ndotje, por ky projekt sjell ekonomi, sjell punësim, sjell zhvillim,” shtoi ai.

Përveç incineratorëve të Elbasanit dhe Fier, të cilat janë projekte partneriteti publik privat të paguara me këste në një periudhë 6 vjeçare, qeveria ka dhënë dhe një koncesion 30-vjeçar për ndërtimin e një inceneratori edhe më të madh në Tiranë, i cili pritet të financohet nëpërmjet arkëtimit të një tarife depozitimi nga bashkitë e qarkut.

Ky bum koncesionesh për inceneratorë bie ndesh me planin kombëtar për menaxhimin e mbetjeve të miratuar nga qeveria shqiptare, i cili i jep përparësi parandalimit, ripërdorimit dhe riciklimit përpara asgjësimit të mbetjeve, dhe parashikon trajtimin e tyre nëpërmjet landfildeve.

Ekspertët dhe aktivistët mjedisorë paralajmërojnë se duke i dhënë përparësi inceneratorëve kundrejt trajtimit të mbetjeve nëpërmjet rickilimit dhe depozitimit, qeveria po shumëfishon kostot e menaxhimit të mbetjeve urbane, ndërkohë që nënvizojnë që incenerimi është një proces që prodhon gazra të rrezikshëm kancerogjen dhe Shqipëria nuk ka kapacitetin e duhur institucional për të monitoruar normat e shkarkimeve.

E pyetur nga Ministria e Mjedisit deklaroi se inceneratori i Elbasanit është i teknologjisë së fundit dhe kishte norma shkarkimi të standardeve të Bashkimit Europian. Edhe Albtek Energy u shpreh se teknologjia e përdorur në ndërtimin e inceneratorit ishte e avancuar.

“Teknologjia e përdorur është nga teknologjitë më të fundit dhe të përparuara në BE, dhe ajo sigurohet nga shoqëri me famë ndërkombëtare, prestigjioze dhe me reputacion të lartë si Tama Aernova, Siemens, Chemservice e mjaft shoqëri të tjera,” tha kompania në një përgjigje me shkrim.

Ndërkohë që bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për të dhënë detaje mbi koncesionin 30-vjeçar për ndërtimin e inceneratorit në kryeqytet.

Përmbysja e planit për menaxhimin e mbetjeve

Shqipëria është një nga vendet me menaxhimin më të keq të mbetjeve në rajon dhe situata paraqitet alarmante në të gjithë vendin, por nuk mund të themi të njëjtën gjë në aspektin ligjor, pasi legjislacioni për menaxhimin e mbetjeve është përmirësuar me ligje të reja, të cilat i përafrohen standardeve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, debati për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri vendos përballë njëri-tjetrit dy fakte kontradiktore. Nga njëra anë legjislacioni shqiptar mbështet riciklimin, me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve dhe nga ana tjetër qeveria Shqiptare, e cila ka marrë përsipër ngritjen e tre incineratorëve, duke parë si zgjidhje asgjësimin e mbetjeve.

Legjislacioni shqiptar i jep përparësi menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke ndjekur një hierarki të qartë që fillon me parandalimin, ripërdorimin, riciklimin dhe vetëm si mundësi të fundit, asgjësimin që mund të kryhet nëpërmjet inceneratorëve. Sipas planit të menaxhimit të mbetjeve 2010-2025, të draftuar dhe miratuar nga qeveria shqiptare me ndihmën e Bashkimin Europian, deri në vitin 2020 Shqipëria duhet të ndërtojë 12 landfilde inxhinierike për grumbullimin e mbetjeve bashkiake sipas standardeve të BE-së. Këto landfillde janë opsioni final i asgjësimit sipas planit të menaxhimit të mbetjeve dhe jo inceneratorët.

Sipas ekspertëve të mjedisit, vendimi i qeverisë për të injoruar planin e menaxhimit të mbetjeve në favor të ndërtimin e inceneratorëve për djegien nuk mbështet në ligj.

“U ndërtua landfilli i Bushatit, në Shkodër dhe landfilli i Bajkaj në Sarandë, njëkohësisht po planifikohej të bëhej rimodernizimi i landfillit të Sharrës dhe ka pasur plane për të ngritur landfille të tjerë,” tha Rezart Kapedani, ekspert mjedisor pranë Qendrës Rajonale të Mjedisit, REC.

“Gjatë këtyre dy viteve të fundit ndodhi një logjikë tjetër mbi landfillet dhe është dhënë një fokus incineratorëve. Nuk ka një bazë ligjore ose një akt-veprim që të ndryshojë strategjia. Strategjia nuk ka ndryshuar, por nuk po respektohet,” shtoi ai.

Konflikti midis planit për menaxhimin e mbetjeve dhe vendimeve të qeverisë vihet në pah dhe nga Siir Kilkis, eksperte në Këshillin Kërkimor Shkencor dhe Teknologjik të Turqisë (TÜBİTAK), e cila është marrë me çështjen e mbetjeve në Shqipëri.

“Ekziston një konflikt pasi Strategjia Kombëtare e Mbetjeve në Shqipëri thotë të zhvillojë procesin e ndarjes së mbetjeve dhe riciklimi, kjo tashmë është miratuar dhe duhet zbatuar,” tha ajo.

Për drejtorin e Klubit Ekologjik Elbasan Ahmet Mehmeti, moszbatimi i Strategjive dhe Planeve në Shqipëri i ngjan me moszbatimin e ligjeve, që edhe” kur janë shumë të mirë nuk zbatohen pasi tek ne mungon mekanizmi i zbatimit të tyre.”

“Për mua riciklimi është parësori,” thekson Mehmeti. “Riciklimi çon në minimizimin e mbetjeve të pariciklueshme ose në përdorimin tërësor të tyre dhe shndërrimin në të dobishme, pra komplet të riciklueshme,” shtoi ai.

E pyetur nga BIRN se ku është bazuar qeveri për miratimin e tre inceneratorëve, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave, pranë Ministrisë së Mjedisit, Pëllumb Abeshi tha se është bazuar në ligjin për Menaxhimin dhe Integrimin e Mbetjeve.

Inceneratorët rrisin kostot

Incenerimi është forma e fundit e parashikuar nga plani kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, por e para për sa i përket kostos së trajtimit të tyre, më e shtrenjtë nga të gjitha format e tjera të paraqitura në piramidën e përpunimit të mbetjeve.

Incineratorët që prodhojnë energji janë të kushtueshëm si për t’u ndërtuar, por edhe për t’u menaxhuar dhe kompanitë shpesh e kompensojnë këtë duke negociuar kontrata afatgjata me bashkitë dhe në skenarin e Shqipërisë, me qeverinë direkt.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, si pjesë e partneriteti publik privat për inceneratorin e Elbasanit qeveria do të paguajë në total 21 milionë euro ndërkohë që inceneratori i Fierit do të kushtojë 28 milionë euro. Projekti me koncesion 30-vjeçar për inceneratorin e Tiranës kushton 128 milionë, dhe pritet të paguhet nëpërmjet një tarife nga bashkia e Tiranës.

“Vlera e plotë e projektit të inceneratorit të Elbasanit është 21 milion euro, ndërsa e incineratorit të Fierit është 28 milion euro, që do të paguhen gradualisht për një periudhë 6 vjeçare,” tha Pëllumb Abeshi ,Drejtori i Përgjithshëm i Politikave pranë Ministrisë së Mjedisit.

Në krahasim me inceneratorët landfillet janë më të lirë për t’u ndërtuar dhe kanë një kosto më të ulët operimi. Për shembull, landfilli i Bushatit, i cili i shërben një popullate prej 200,000 banorësh (e ngjashme me popullsinë e mbuluar nga incerneratori i Elbasanit), është llogaritur të trajtojë 130 tonë mbetje në ditë për 20 vjet dhe ka kushtuar vetëm 4.2 milionë euro.

“Nga ana e logjikës ekonomike për aq sa dimë, kostot për ndërtimin e një incineratori janë më të larta se kostot për të ngritur një landfill. Por edhe kostot operative janë më të larta. Në Shqipëri, për asgjësimin e mbetjeve me landfill duhen 10-12 euro për ton, ndërsa kostot për asgjësimin e mbetjeve me landfilld në Europë janë rreth 50-80 euro për ton mbetje,” tha për BIRN përfaqësuesi i REC Albania, Rezart Kapedani.

“Nga ana ekonomike nuk e dimë se si do mbulohet kjo në Shqipëri,” shtoi ai.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore Eco Albania, nënvizon se në qoftë se bëhet në mënyrën e duhur, incenerimi ose asgjësimit i mbetjeve me djegie ka një kosto të lartë financiare.

“Nëse djegia nuk bëhet në temperaturën e caktuar mbetjet e plastikës mund të çlirojnë lëndë të tilla si dioksina, të cilat janë burime të sëmundjeve kancerogjene nëse çlirohen në ajër, “ tha ai.

“Është njësoj si motorët e makinave, të cilët kur nuk funksionojnë në parametrat e përcaktuar, nuk arrijnë t’i djegin të gjitha lëndët që përmbajnë karburantet dhe më tej nëse këto lëndë si (oksidet e azotit, squfurit plumbit etj. ) çlirohen në ajër mund të përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e njerëzve,” paralajmëroi Nika.

Trajtimi i mbetjeve nëpërmjet kompostimit në landfille, shihet si një alternativë më e sigurt edhe nga ekologjisti Ahmet Mehmeti.

“Landfillet nuk prodhojnë ndotje si pluhurat, blozat, gazrat, midis të cilave, furonet e dioksinat që janë substanca toksike kancerogjene për njerëzit dhe botën shtazore, por edhe për bimët,” tha ai.

“Në landfill bëhet riciklimi kurse inceleratorët djegin këto lëndë të para shumë të çmueshme për t’i kthyer në energji, e cila krahas saj, prodhon gazra dhe pluhura, por dhe mbetje si hiret etj, që ndotin mjedisin sidomos kur temperaturat e djegies janë jashtë normave te lejuara,” përfundoi ai.

Kosto për shëndetin?

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Politikave, pranë Ministrisë së Mjedisit, z Pëllumb Abeshin incinerimi është një teknologji që përmban procesin e riciklimit, kompostimit dhe prodhimit të biogazit dhe pjesa e mbetjeve që mbeten, digjen. Sipas z. Abeshi të gjitha këto procese janë pjesë e teknologjive të miratuara tashmë për Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Nga ana tjetër, ekologjistë dhe ekspertë të fushës mendojnë të kundërtën, ata thonë se procesi i incinerimit shkatërron materialet e riciklueshme dhe kompostuese.

Megjithëse në Europë aplikohet në masë metoda e incinerimit si proces i fundit për zvogëlimin e volumit të mbetjeve të pariciklueshme, faktet tregojnë se i jepet një rëndësi shumë e madhe ndarjes së mbetjeve në bazë dhe riciklimit të tyre. Në shumë vende në Evropë, pjesa më e madhe të mbetjeve të gjeneruara riciklohet dhe më pas kompostohet në landfilde. Ky proces realziohet në mases 66% në Gjermani , Austria 57%, Sllovenia 54%, Zvicra dhe Belgjika 53% dhe Holanda 52%.

“Kompanitë e incinerimit dhe mbështetësit e tyre do të përpiqen t’ju bindin se nuk ka rrezik për shëndetin. Ata mund të justifikohen, por të djegësh mbetjet nuk është një metodë perfekte,” tha Kilkis.

“Duke djegur mbetjet ata mund të përfitojnë pak energji dhe ta përdorin atë, por shqetësimi më i madh mjedisor në lidhje me incineratorët është emetimi i ndotësve që paraqet rrezik për shëndetin publik. Këto janë lëndë të grimcuara, CO, plumbi, gazra acidike dhe grimca acidike,” shtoi ajo.

Ngjashëm me Kilkis, ekspertët e qendrës mjedisore Eden në Tiranë u shprehën se agjësimi i mbetjeve me anë të inceneratorëve përmban rreziqe për një vend si Shqipëria.

“Ne mendojmë që ngritja e një inceneratori (teknologji e përparuar për vendin tonë, por dhe shumë e rrezikshme nëse nuk procedohet dhe monitorohet siç duhet) nuk është aspak një zgjidhje e zgjuar për asgjësimin e mbeturinave,” u shpreh Qendra në një përgjigje me shkrim.

“Në këtë mënyrë ne nuk kemi një trajtim të mbeturinave si një lëndë e parë për riciklim, por kemi vetëm asgjësim të mbeturinave pa i trajtuar më parë ato,” përfundoi Eden.

Ndonëse zakonisht incernerimit i referohet si metodë për “eliminimin e mbetjeve”, ajo në thelb është një metodë e zvogëlimit të volumit të tyre. Hiri i mbetur pas djegies duhet gjithashtu të groposet në landfill, pavarësisht se volumi është më i vogël.

Alternativa “Zero Mbetje”

Me rritjen e nivelit të jetesës pas rënies së regjimit komunist dy dekada më parë, shoqëria shqiptare gjeneron gjithnjë e më shumë mbetje (të ngurta, të gazta e të lëngëta), të cilat lipset që të trajtohen në mënyra të ndryshme.

Sipas Olsi Nikës strategjia më e gjithë pranuar sot është ashtuquajtura strategji 3R (Reduktimi, Ripërdorimi, Riciklimi), i cili shton se vetëm pasi të sigurohet kalimi i mbetjeve në këto etapa, çfarë mbetet do të duhet të asgjësohet.

“Incenerimi është një ndër metodat mjaft të përdorura për asgjësimin e mbetjeve të ngurta. E thënë ndryshe incenerim do të thotë djegie në kushte rreptësisht të përcaktuara,” tha ai.

“Në gjykimin tim incenerimi është një nga mënyrat më të mira për asgjësimin e mbetjeve por jo mënyrë për trajtimin e tyre,” Nika shtoi.

Ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë e mbështesin ligjin shqiptar dhe janë për aplikimin e metodës “Zero Mbetje”, e cila kërkon të ripërdorë të gjitha produktet dhe mundësisht të mos dërgojë asgjë për djegie.

“Zero Mbetje” nënkupton trajtimin e produkteve, nënkupton proceset që zvogëlojnë vëllimin dhe toksicitetin e mbeturinave dhe materialeve, ruajtjen dhe rikuperimin e të gjitha burimeve dhe jo djegien ose varrosjen e tyre,” thotë ekspertja turke Siir Kilkis.

Ka shumë organizata ndërkombëtare që mbështesin fuqishëm metodën “Zero Mbetje” përfshirë grupe të tilla si Zero Mbetje Evropë, Aleanca Globale për Alternativat e Incineratorit, Rrjeti i Drejtësisë së Energjisë, të cilat janë bërë kundërshtarë të zjarrtë të teknologjisë së incinerimit, duke pretenduar se djegia dështon kur bëhet fjalë për përfitimin real të energjisë, dhe në të vërtetë inkurajon mbetjet.

Ka shumë qytete në mbarë botën, të cilat kanë përqafuar metodën “Zero Mbetje” dhe kanë gjetur zgjidhje të menaxhimit të mbetjeve që nuk janë ndotëse, që janë të orientuara nga komuniteti, përfshirëse, më pak të shtrenjta dhe miqësore ndaj klimës.

Rasti më i afërt gjeografikisht me Shqipërinë është qyteti i Ljubjanës, në Slloveni. Kryeqyteti slloven është kryeqyteti i parë në Evropë që ka deklaruar i pari në vitin 2014 mbështetjen e metodës “Zero Mbetje”, i cili grumbulloi në mënyrë të ndarë 61% të mbetjeve komunale. Qyteti është zotuar të përgjysmojë sasinë e mbetjeve dhe të rrisë sasinë me mbetjeve të ndara deri në 78% në vitin 2025.

Edhe pse jo shumë larg nga Lubjana gjeografikisht, ekspertët shprehen se politikbërësit shqiptarë mbeten akoma larg alternativave më të mira për menaxhimin e mbetjeve.

“Unë mendoj se në menaxhimin e mbetjeve duhet të ketë një qasje tjetër duke u trajtuar me seriozitetin e duhur pasi është fakt që mbetjet janë në fakt një emergjencë për Shqipërinë për sa kohë që na duhet të thërrasim Forcat e Armatosura për të ndërhyrë të paktën një herë në vit,” tha Olsi Nika, duke shtuar se fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Çështja e menaxhimit të mbetjeve është diçka më të cilën nuk dëshiron të merret askush por në të njëjtën kohë duan të përfitojnë të gjithë,” përfundoi ai.

Print