• Kreu
  • Mbetjet
  • Ndotja në Shushicë, Bashkia Selenicë lejon hedhjen e mbetjeve në lumë

Ndotja në Shushicë, Bashkia Selenicë lejon hedhjen e mbetjeve në lumë

Ndotja e lumenjve tashmë është një problem i ditur. Shumë bashki të përballura me mungesë fondesh, lejojnë hedhjen e mbetjeve urbane dhe jo vetëm, në shtratin e lumit. Por ka dhe bashki të cilat me vetëdije të plotë hedhin vet mbetjet në lumë. Problemi më i madh qëndron në fshatra, pasi lumenjtë janë shumë afër dhe fondet janë më të pakta. Lënia në hije nga qeveria dhe mos vëmendja për fonde për krijimin e landfilleve apo impianteve të riciklimit ka sjell masakra mjedisore.

Në shumësinë e rasteve që ka në të gjithë Shqipërinë, ne po ju sjellim foto nga lumi Shushicë, aty ku mbetjet janë të pranishme në shumë pjesë të shtratit të tij. Në fotot e shkrepura duket qartë që mbetjet janë të hedhura prej kohësh aty dhe janë në masë të madhe. Për të mësuar më shumë pyetëm disa prej banorëve të fshatit Kotë (fshati ku kalon lumi dhe ku mbizotëron ndotja). Sipas dëshmive të tyre mësuam se aty hidhen mbetjet e çdo lokali që është aty afër. Nga Bashkia Selenicë sot (dhe Komuna Kotë dikur), është lejuar ndotja dhe nuk është vendosur asnjë gjobë. Banorët treguan se kjo pjesë e lumit dhe përroit është koshi i për një pjesë të madhe të fshatit.

Problemi që zgjerohet

Të gjitha këto mbetje në muajt e vjeshtës dhe të dimrit, kur reshjet janë të shumta dhe prurjet e ujit të mëdha, rrëmben dhe mbetjet pasi niveli i ujit rritet. Të gjitha këto mbetje nga rrjedha e lumit shkojnë në det dhe ndotja kalon në një nivel më të lartë. Të gjithë institucionet që paguhen për menaxhimin e mbetjeve, janë në dijeni të këtij problemi dhe e lejojnë. Por më e keqja është hedhja nga vet bashkia në shtratit e lumit. Banorët na treguan se bashkia mbledh në kazanët në fshatra dhe më pas me makinë i shkarkon në shtrat të lumit, në afërsi të urës që lidh disa fshatra. Sipas informacioneve që kemi nuk është faturuar asnjë gjobë nga Ministria e Mjedisit për institucionin përgjegjës. Këta të fundit justifikohen me mungesën e fondeve, për këtë masakër mjedisore.

Print