• Kreu
  • Mbetjet
  • Plehrat pranë qytetit; katastrofë mjedisore në Lushnje

Plehrat pranë qytetit; katastrofë mjedisore në Lushnje

Fusha ku derdhen mbetjet në Lushnje daton që në vitin 1980. Në atë kohë fusha ishte e shkretë dhe qyteti nuk kishte më shumë se 50 mijë banorë. Me lëvizjet demografike që ndodhen pas viteve ‘90, edhe rrethinat e fushës së mbetjeve u populluan. Bashkë me numrin e banorëve u rrit mirëqenia dhe konsumi. Sot shtëpia më e afërt me vendgrumbullimin është vetëm 20 metra larg. Por fusha vazhdon të mbetet një venddepozitim pa struktura përpunuese , e cila nuk rrezikon vetëm banorët e lagjes 18 nëntori, por me tymin dhe depozitimin e substancave të rrezkshime në ujë rrezikon gjithë qytetin me 90 mijë banorë.

“Këto mbetje trajtohen duke u shtypur e ngjeshur me traktorë me zinxhirë e mjete të tjera të rënda”, thotë Ergest Krakulli, Drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Lushnjes.

Sipas burimeve nga Bashkia, çdo muaj këtu hidhen rreth 1800 tonë mbetje urbane. Ndërtimi i landfillit të Fierit, ku do të derdhen edhe mbetjet e Lushnjes do të bënte që kjo zonë të rehabilitohej e të kthehej në një hapësirë të gjelbër.

Fushë-Sporti ka qenë një hapësirë në fshatin Grabjan, ku sot çdo ditë prej 5 vjetësh depozitohen të gjitha mbetjet e Bashkisë së Divjakës. Era e rëndë nga djegia e mbeturinave dhe balta e qeset plastike të shpërndara nga era janë makthi i çdo dite për banorët.

“Erë e qelbur vjen! Sëmundje të gjitha janë! Ke frikë të kalosh se të shpohen gomat e makinave dhe frikë edhe nga zjarri”, thonë banorët.

Gjendjen e rëndë në fshatin Grabjan Top Channel e ka trajtuar disa herë në kronika lajmesh. Një mbledhje Këshillit Bashkiak të Divjakës pak muaj më parë përfundoi me premtimin se do të ketë një zgjidhje. Por, deri më sot ndërhyrja nga bashkia nuk ka ndodhur dhe bazuar mbi deklaratat jashtë kamerave të zyrtarëve se nuk kanë mundësi ta realizojnë, duket se zgjidhja nuk do të jetë e afërt.

Print