• Kreu
  • Mbetjet
  • Tirana do t’a paguajë shtrenjtë koncesionin e inceneratorit të plehrave

Tirana do t’a paguajë shtrenjtë koncesionin e inceneratorit të plehrave

Në prag të Krishtlindjeve, një njoftim i ngjitur pas portës së hekurt në landfilldin e Sharrës shpjegonte se në janar 2018 hynin në fuqi rregulla të reja për përpunimin e plehrave të kryeqytetit. Sipas njoftimit, personat e vetëpunësuar në industrinë e riciklimit në Sharrë si dhe kompanitë që depozitojnë mbetje aty duhet të kontaktojnë me kompaninë koncesionare para se të vazhdojnë aktivitetin e tyre.

BIRN mësoi se landfilli i Sharrës iu dorëzua kompanisë koncesionare “Integrated Energy” B.V më 7 dhjetor dhe prej fillimit të vitit, askush nga personat që siguron mbijetesën me mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme nuk është lejuar që të hyjë në landfill. “Integrated Energy” B.V u shpall fituese e koncesionit 30 vjeçar për administrimin e mbetjeve në qarkun e Tiranës në gusht të vitit 2017, pasi premtoi se do të ndërtonte një incenerator, një venddepozitim të hirit të prodhuar nga djegia e plehrave si dhe një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura.

Kompania me seli në Amsterdam, e cila zotërohet nga “Integrated Technology Services” e Klodian Zotos si dhe me aksionerë kompanitë italiane “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Energy Recuperator S.P.A” ka premtuar 128 milionë euro investime në Sharrë. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania koncesionare do të ketë mundësinë që t’i rikuperojë shpejt investimet e premtuara, ndërkohë që fatura e shtrenjtë do të paguhet nga qytetarët e Tiranës. Kontrata koncesionare të cilën BIRN e disponon është nënshkruar më 31 gusht 2017 nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe administratori i kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Giuseppe Ciaffaglione. Kjo kontratë e faturon bashkinë e Tiranës me 29 euro [pa TVSH] për çdo ton mbetje që do të depozitohet në Sharrë. Kontrata e detyron gjithashtu bashkinë që t’i sigurojë koncesionarit çdo ditë një sasi minimale të garantuar mbetjesh urbane. Ajo nuk e specifikon sasinë minimale të garantuar të mbetjeve urbane.

Por zyra e shtypit e kompanisë “Integrated Energy” B.V i tha BIRN se kjo sasi është 550 ton mbetje urbane në ditë. “Bazuar në kontratën koncesionare, minimumi i depozitimit të mbetjeve urbane do të jete 550 ton/ ditë,” u përgjigj përmes emailit zyra e shtypit të kompanisë. Kontrata e mësipërme e detyron bashkinë e Tiranës që të paguajë minimalisht 5.8 milionë euro në vit në llogaritë e kompanisë “Integrated Energy” B.V për 30 vitet e ardhshme. Megjithatë, vlera reale e kontratës pritet të kushtojë thuajse trefish më shumë. Sasia minimale e garantuar përfshin në total rreth 200 mijë ton mbetjeve në vit.

Sipas INSTAT, territori i mbuluar nga qarku Tiranë prodhoi rreth 492 mijë ton mbetje gjatë 2016-s, sasi kjo që rritet nga viti në vit. Nëse e gjithë sasia e mbetjeve urbane do të depozitohet në inceneratorin e Tiranës, kompania koncesionare do të përfitojë mesatarisht 14.4 milionë euro çdo vit nga të gjitha njësitë administrative të qarkut, ku peshën kryesore pritet ta mbajë bashkia Tiranë.

Kontrata koncesionare parashikon gjithashtu penalitete për bashkinë e kryeqytetit, në rast se ajo nuk përmbush detyrimet ndaj “Integrated Energy” B.V. “Në rast se sasia e mbetjeve urbane të dorëzuara koncesionarit është më pak se sasia minimale e garantuar e mbetjeve, atëherë Bashkia Tiranë do t’i paguajë koncesionarit diferencën mes vlerës totale të çmimit për ton mbetje me sasinë e mbetjeve të dorëzuara,” thuhet në pikën 7.3/1 të kontratës.

Bashkia e Tiranës mohoi të ishte pjesë e marrëveshjes koncesionare për inceneratorin e Tiranës. “Impianti i përpunimit është një projekt i qeverisë shqiptare dhe autoriteti përgjegjës tashmë është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Bashkia e Tiranës e ka dorëzuar të gjithë asetin që i ishte dhënë në përdorim nga Qeveria qendrore, pasi nuk ishte pronë e Bashkisë së Tiranës,” tha zëdhënësi Renato Kalemi. “Marrëveshja është një marrëdhënie dy palëshe dhe Bashkia nuk është pjesë e kësaj marrëveshje, përveçse territorit ku shtrihet ky projekt,” shtoi ai.

Megjithatë, kontrata e detyron bashkinë e Tiranës dhe njësitë e tjera vendore të qarkut Tiranë që të fillojnë menjëherë pagesat për kompaninë koncesionare. “Koncesionari duke filluar menjëherë nga data efektive e kësaj kontrate dhe dorëzimi i venddepozitimit ekzistues nga bashkia Tiranë, do të faturojë njësitë vendore të qarkut Tiranë mbi baza mujore, në bazë të sasive të mbetjeve urbane që do të pranojë,” thuhet në pikën 7.4.1 të kontratës.

Koncesioni i inceneratorit të Tiranës është i treti dhe më i kushtueshmi i këtij lloji në Shqipëri, pas atyre të Elbasanit dhe Fierit. Ndryshimi i menjëhershëm i strategjisë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve nga qeveria si dhe përfshirja e të njëjtit rrjet kompanish në të tria projektet ka ngritur dyshime për motivime klienteliste pas këtyre projekteve.

Qeveria është kritikuar për këtë lëvizje edhe nga ekspertët dhe aktivitet mjedisorë, të cilët i thanë BIRN në një shkrim të mëparshëm se kalimi i menaxhimit të mbetjeve me inceneratorë do të shumëfishojë kostot dhe do të shtojë rrezikun e ndotjeve në mjedis. Para se t’i dorëzohej kompanisë koncesionare, landfilli i Sharrës shërbeu për vite me radhë si një burim mbijetese për dhjetra familje në nevojë, të cilat siguronin të ardhura përmes industrisë së riciklimit. Ndërsa në gusht 2016, vdekja tragjike e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj ekspozoi kushtet çnjerëzore dhe shfrytëzimin e njerëzve që mbijetonin në këtë industri. E pyetur për fatin e personave që do të humbasin vendin e punës nga implementimi i marrëveshjes koncesionare, bashkia e Tiranës u përgjigj se do të vazhdojë mbështetjen e tyre me projekte strehimi, si “dy shembujt model në Lanabregas dhe Shkozë”.

Ndërsa zyra e shtypit e kompanisë “Integrated Energy” deklaroi se do të shohë mundësinë e punësimit të tyre, vetëm pasi të ketë siguruar kushte të plota sigurie dhe pune. “Ata kanë punuar në landfill jashtë çdo kushti minimal njerëzor, gjë e cila përbën një problematikë të patolerueshme nga kompania jonë. Në politikat e saj, shoqëria ka në plan punësimin për një numër të caktuar njerëzish nga ky komunitet, por vetëm pasi të ketë krijuar kushtet e plota për sigurinë dhe shëndetin në pune,” u përgjigj kompania koncesionare.

Print