• Kreu
  • Mbetjet
  • Java e tokës në Elbasan, Prefekti: Ndotja më e madhe në shtretërit e lumenjve

Java e tokës në Elbasan, Prefekti: Ndotja më e madhe në shtretërit e lumenjve

Në kuadër të javës për mbrojtjen e tokës në Elbasan është zhvilluar një takim mes Prefektit të këtij qarku dhe me 7 kryetar të bashkive të qarkut Elbasan. Në këtë takim nuk kanë munguar replikat mes kryetarëve të bashkive dhe institucioneve me ndikim në ndotje dhe në mbrojtje të mjedisit.

Në prag të javës sensibilizuese të mbrojtjes së Tokës, kur do të nisë edhe aksioni kombëtar për pastrimin e territorit nga qeveria, Prefekti i qarkut të Elbasanit Maksim Malaj, mblodhi në një takim kryetarët e 7 bashkive, drejtues të institucioneve shtetërore dhe  përfaqësues nga drejtoria vendore e policisë së qarkut. Prefekti Malaj tha: "Shqetësimi kryesor mbetet  ndotja e shtretërve të lumenjve, Shkumbin dhe Devoll, por edhe të përrenjve, ndaj kërkoi marrjen e masave, pasi imazhi trishtues që lë ndotja ndikon negativisht edhe te sektori i turizmit."

Tema e ndotjes prodhoi replika mes kryetarit të Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra dhe përgjegjëses së Inspektoriatit të mbrojtjes së Mjedisit Ada Guzi, e cila iu  përgjigj  deklaratës së Kryebashkiakut Gurra se inspektoriati i mjedisit ka mëse një vit që nuk ka shkuar në Librazhd. Replikat nuk munguan as mes kryetarit të Bashkisë Cërrik, Altin Toska dhe drejtorit të OSHEE, Bukurosh Maçi, ku sipas Toskës prezenca e kabujve elektrik pengon futjen e mjeteve të pastrimit.

Takimi me krerët e bashkive u pasua me paraqitjen në monitor të vendeve më të ndotura që kanë 7 bashkitë në qarkun e Elbasanit, sidomos ato që kanë lidhje me shtratin e lumit Shkumbin. Gjithashtu u pasqyrua edhe ndotja që mbizotëron në bashkinë e Gramshit dhe Belshit për të cilët u lanë detyra konkrete.

Print