• Kreu
  • Mbetjet
  • Plehrat jashtë kontrollit! Në Manzë hidhen edhe ato spitalore

Plehrat jashtë kontrollit! Në Manzë hidhen edhe ato spitalore

Jo vetëm landfilli i qytetit të Durrësit, por dhe ai i Manzës, pjesë e së njëjtës bashki, është jashtë çdo kontrolli. Mbetjet urbane hidhen nga makinat e grumbullimit rrëzë shpatit të kodrinës dhe buzë rrugës që të çon në ish-minierën e Manzës.

Përballë tyre jeton një familje që e detyruar bashkëjeton me ndotjen, po çdo ditë e më shumë ndjehet e pafuqishme përballë morisë së mbetjeve që kanë shtuar frikshëm volumin e tyre.

“Nuk kemi se çfarë të bëjmë, vetëm të zihemi me ta. Vjen një erë që nuk rrihet këtu”, thonë dy banorë të zonës.

I dëshpëruar nga situata, një banor na tregon se këtu depozitohen edhe mbetje spitalore dhe ngre gjithashtu shqetësimin e rritjes së volumit të plehrave, si pasojë e jetesës së një komuniteti të ri në zonën e Manzës, atij të muxhahedinëve iranianë.

“Të rrethohet, të mbulohet. Këtu vijnë të gjitha mbeturinat e shumë fshatrave”, shton një tjetër.

Ashtu si dhe në Durrës,edhe këtu nevoja e trajtimit të mbetjeve urbane është emergjente. Megjithatë, banorët kërkojnë së paku një disiplinim, rrethim të këtij vendgrumbullimi që mbetjet të mos u futen në shtëpi, në të kundërt deklarojnë se së shpejti do të bllokojnë rrugën duke moslejuar më depozitimin e mbetjeve.

“Vetëm të zëmë rrugën tek bashkia dhe këtu të mos hedhë mbeturina. Ose t’i rrethojë, ose do të ngrihemi si fshat”, thotë një banor i zonës.

Jo vetëm ajri është i ndotur nga toksinat që çlirohen nga dekompozimi i mbetjeve në natyrë që prodhon një zonë me mbi 13 mijë banorë.

Përmes shirave dhe ujërave nëntokësore, e ndotur është dhe toka e nëntoka, produktet bujqësore të zonës dhe kullotat e bagëtive përreth të cilat përmes banorëve të zonës tregtohen më pas në Durrës e Tiranë.

Print