• Kreu
  • Mbetjet
  • Rama: “Shqipëria të jetë një vend pa qese plastike”

Rama: “Shqipëria të jetë një vend pa qese plastike”

Po studiojmë marrjen e një vendimi radikal për ndalimin e qeseve plastike në Republikën e Shqipërisë. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp të martën në Durrës, pas mbledhjes së Qeverisë, ku theksoi se, jemi duke studiuar këtë proces i cili ka anë pozitive të panumërta, por sigurisht ka dhe disa anë që duhen parë me kujdes.

Unë jam i prirur, të shkojmë drejt këtij vendimi, tha Kryeministri.

“Të marrim një vendim që Shqipëria të jetë një vend pa qese plastike për përdorim të përditshëm dhe kështu të sfidojmë vetveten, për të bërë më në fund diçka për natyrën që ja kemi borxh fëmijëve tanë”, – tha Rama.

Historia e qeseve plastike që fluturojnë në ajër e rrinë nëpër pemë, që bukosin grykat e lumenjve, që shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve tanë, është një histori së cilës ne duhet t’i japim fund, vijoi Kryeministri.

Rama tha se, ka ardhur koha që të sillemi me vendin tonë siç sillemi kur shkojmë në Gjermani apo Francë, që nuk na shkon mendja se mund të hedhim përtokë çfarë kemi në dorë. Duhet të marrim një vendim radikal e t’i japim fund këtij filmi të shëmtuar që luhet në kurriz të fëmijëve tanë, theksoi Kryeministri.

Print