• Kreu
  • Mbetjet
  • Ja i ndaluam qeset (më në fund), po bidonave si do ua bëjmë?

Ja i ndaluam qeset (më në fund), po bidonave si do ua bëjmë?

Unë jam shumë dakord për ndalimin e qeseve të vogla që përdoren masivisht në tregje. 7 vjet më parë, në ditën e mjedisit, me një grup njerëzish që u dhëmb ky vend, ne kërkuam miratimin e një ligji për këtë gjë. Por nuk na dëgjoi njeri.

Unë jam nga ata njerëz që kam shkruar kaq shumë për këtë problem, për lumenjtë e mbushur me mbeturina, për pemët e veshura me qese e rraqe, për detin e mbushur me bidona… Dhe po kaq shumë kam punuar për të pastruar këtë mizerje.

Por kur e dëgjoj këtë nismë, më duket me shumë një eufori për të qenë “vendi i parë në Evropë pa qese”, sesa një përpjekje serioze për ta zgjidhur këtë problem që na ka zënë frymën. Jo, ne s’mund të jemi vendi i parë në Evropë për asgjë të mirë. Ndajeni mendjen. Nëse do të ishte një gjë e mirë kjo, do ta kishin bërë të tjerë para nesh, nuk jemi ne të zgjuarit që na vajti mendja tani.

Dakord, qeset e holla ti ndalojmë. Po bidonat që mbushin detin? Po kanaçet, shapkat, rraqet e vjetra….? A duhet ti ndalojmë të gjitha? Jo! Sepse nuk mundemi. Sepse nuk është faji i tyre që mbushet vendi, por është faji jonë që i hedhim vend e pa vend. Është faji i qeverisë dhe bashkive që nuk i mbledh mbetjet, është faji i të gjithëve që nuk i ndajmë sipas kategorive, është faji ynë që nuk i riciklojmë…

Ja pra që ndalimi i qeseve nuk zgjidh asgjë, ose zgjidh shumë pak. Ndaj pas qeseve, të merremi seriozisht me këtë çështje, pasi me ndalime nuk i dilet.

Print