• Kreu
  • Mbetjet
  • Aksioni: #SuperShkumbini, 50 të rinj pastrojnë lumin Shkumbin në Librazhd.

Aksioni: #SuperShkumbini, 50 të rinj pastrojnë lumin Shkumbin në Librazhd.

Panvarësisht se janë gjatë ditëve të pushimit dhe motit të keq e të paqendrueshëm, Aktivistët e Lumit Shkumbin (grup vullnetarësh ambienti) nuk u stepën për pastruar një segment të lumit Shkumbin në Librazhd. 50 të rinj u bënë bashkë për të pastruar lumin e qytetit të tyre.

Në bashkëpunim të ngushtë më Qendrën Mjedisore Për Studime dhe Zbatime, e me grupin e tyre të ambientalistëve të vegjël si dhe me Vullnetarët e Korpusit të Paqjes, Nigel Stinson, Michael Black, Josephine Pacheco dhe Jhena Kowaleski, pastruan për rreth dy orë disa ‘hot spote’ tejet të ndotura. Aksioni ndodhi buzë urës së Çotës, një pikë strategjike që bie në sy të turistëve por jo vetëm, të gjithë atyre që duan të shijojnë një kafe në natyrë apo shëtitjen e pasdites. Pemë të mbushura prej plastikës, letra çokollatash, patatinash, e mbeturina të tjera për shkak të kapaciteteve në numër u pastruan me sukses brenda një kohe të shkurtër. Në harkun kohor prej 2 orësh, u grumbulluan 19 qese plastike, të cilat nuk u lanë si disa herë të tjera, rëndom aty ku pastrohen, por u morën dhe u depozituan në koshat përkatëse të mbeturinave. Është mbresëlënëse sesi gjithë këta fëmijë kishin dëshirën për tu larë në një lumë të pastër këtë verë dhe të kontribojnë për një qytet më të mirë’’ – shprehet Arlis Alikaj, aktivist mjedisi gjithashtu dhe drejtuesi i ‘’Nismës Për Mbrojtjen e Lumit Shkumbin’’. Grupmoshat ishin nga më të ndryshme që tek të rinj e deri tek student, të gjithë të mbledhur për një qëllim. Ky pastrim ndodhi e do përsëritet vazhdimisht, pa pritur ndonjë ditë të veçantë ‘’Mjedisi’’ ose ndonjë projekt, pasi vullnetarët punojnë për pasionin e tyre edhe kur nuk i sheh njeri. Disa të rinj shprehen të zhgënjyer sesi shpeshherë edhe të rriturit ndotin lumin sa herë kalojnë urën duke pasur mentalitetin e vjetër se lumi mund të jetë dhe shesh pushimi për mbeturinat. Ndërsa disa fëmijë në fund të ditës ishin të kënaqur që mbushën kohën e tyre me diçka me vlerë për qytetin dhe do kishin çfarë tu tregonin prindërve në fund të ditës. Tek e fundit, ata janë e ardhmja dhe edukimi që në vogëli sjell një siguri dhe ndërgjegje për një të nesërme më të pastër, pasi çfarë mbjell do korrësh. Ky pastrim ishte një shembull i mirë bashkëpunimi midis vullnetarëve shqiptarë e atyre të huaj si dhe aktivizmit rinor.

Për më shumë gjëra inovative që do ndodhin në vazhdim, ndiqni grupin e tyre në Fejsbuk: https://www.facebook.com/NismaMbroLuminShkumbinLibrazhd

Print