• Kreu
  • Mbetjet
  • Menaxhimi i mbetjeve, një problematikë e pazgjidhur

Menaxhimi i mbetjeve, një problematikë e pazgjidhur

Monitorimi dhe vlerësimi i shërbimit të menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Krujë, Sarandë dhe Përmet është projekti i cili synon përmirësimin e situatës së menaxhimit të mbetjeve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbajtjen pastër të mjediseve ku jetojnë.

Menaxhimi i mbetjeve është një ndër problematikat mjedisore më emergjente që duhet t’i jepet zgjidhje. Janë bërë ligje, strategji, regullore për menaxhimin e mbetjeve, por situata në terren nuk ngjason fare me atë të shkruar në letër.

Problematikat e vërejtura deri më tani janë tejmbushja e landfilleve, mungesa e financave për menaxhimin e mbetjeve, krijimi i hotspote-ve nga hedhja e pakontrolluar e mbetjeve, mungesa e stafit të specializuar dhe numër i ulët i punonjësve në sektorin e shërbimeve. Ende ka zona të cilave nuk i ofrohet fare shërbimi i pastrimit, apo mungesa e përgjegjësisë nga ana e firmave të pastrimit për të realizuar shërbimin sipas kushteve të kontratës. Gjithashtu vlen të përmendet që në asnjë nga bashkitë e monitoruara nuk ka iniciativa të riciklimit të mbetjeve dhe apo kompostimit të mbetjeve organike.

Grupi i punës i cili ka më shumë se 2 muaj që po vijon monitorimin e situatës së pastrimit në këto 3 bashki ka raportuar dhe dokumentuar me anë të tabelave të monitorimit dhe fotove shumë zona të cilat nuk pastrohen rregullisht nga ana e firmave të kontraktuara nga bashkitë përkatëse. Monitorimi i shërbimit nga grupi i punës bëhet duke u bazuar tek kontrata e shërbimit që bashkitë kanë me subjektet private apo në rastine bashkisë Përmet me planin e punës të raportuar.

Në faqen tonë të facebook-ut “Mbroni Mjedisin Raportoni Ndotjen” kemi pasqyruar zonat e papastruara, të cilat janë detyrim i firmës së kontraktuar për kryerjen e këtij shërbimi. Gjatë monitorimit në terren është konstatuar edhe papërgjegjshmëri civile; raste ku qytetarët hedhin mbeturina jashtë kontenierëve. Por, ka edhe zona ku nuk ka fare konteniere, Kjo është një një ndër arsyet e shumta, e cila shkakton një ndotje të madhe jo vetëm në qytetet e monitoruara, përgjatë shtrateve të lumenjve por edhe më tej. Në rastin e Bashkisë Krujë shoqëria civile dhe aktorë të tjerë reaguan, duke pastruar një nga zonat problematike të vërejtura gjatë monitorimit. Por, përsa i përket bashkive të tjera akoma nuk kemi reagime konkrete.

Milieukontakt me ndihmën e partnerëve Klubi Ekologjik Krujë, Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit Sarandë dhe CESVI në Përmet po analizojnë në mënyrë të detajuar të gjithë informacionin e vëne në dispozicion nga bashkitë, mbi ofrimin e shërbimit të pastrimit dhe së shpejti do të dalin dhe rezultatet e pyetsorëve, që janë bërë me qytetarët e tre qyteteve. Pyetësorët synojnë të përthithin perceptimin që kanë qytetarët, përsa i përket ofrimit të shërbimit të pastrimit.

Projekti mbështetet financiarisht nga Zyra Zviceriane për Zhvillim dhe bashkëpunim (SDC) në Tiranë përmes LevizAlbania.

Print