• Kreu
  • Mbetjet
  • Kur ligjet ekzistojnë, por sërish jetojmë në mes të plehrave

Kur ligjet ekzistojnë, por sërish jetojmë në mes të plehrave

Situata në vend depozitimin e mbetjeve në Sheq, Fier

Prej vitit 2015 Këshilli Bashkiak në qytetin e Fierit ka shpallur emergjencën mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane. Kjo situatë emergjente për qytetin e Fierit vazhdon të jetë e tillë duke u përqendruar në vend depozitimin e mbetjeve urbane në Sheq, Fier. Vend depozitimi i mbetjeve ndodhet në hyrje të qytetit të Fierit, 50 m nga lagja “Sheq” dhe 4 km nga qendra e Fierit. Jo pak herë gjendja alarmante ka tërhequr vëmendjen e medias sidomos në periudhën e verës ku era është e padurueshme për banorët në afërsi të vend depozitimit, por dhe për gjithë qytetin e Fierit. Banorët në mënyrë të vazhdueshme kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën ku ndodhet qyteti dhe asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje nga Bashkia Fier për zgjidhjen e saj. Në këto kushte banorët kanë filluar të braktisin lagjet dhe shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur në zona më të largëta nga vend depozitimi. Familjet e mbetura në lagjen Sheq, aq të pakta sa mund të numërohen, nuk janë zhvendosur për arsyen e thjeshtë ekonomike. Këto dhe fakte të tjera qendra EDEN i ka përmbledhur në një letër faktesh

Investigimi i qendrës EDEN

Vend depozitimi i mbetjeve në Sheq është shembulli konkret që tregon se gjendemi në kushtet më ekstreme të mungesës së trajtimit (keq menaxhimit) të mbetjeve urbane në vend depozitimet ekzistuese.  Gjithashtu preken ndjeshëm të drejtat e njeriut për banorët e Sheqit dhe ka mungesë transparence dhe përgjegjshmërie institucionale. Nën këtë logjikë, qendra EDEN në bashkëpunim me Klinkën Ligjore SOROS ka ndjekur rastin konkret në mbështetje të banorëve përmes vigjilencës mjedisore dhe ankimit administrative duke iu referuar ligjit “Për të drejtën e informimit”. Kjo është bërë për 8 muaj rrjesht dhe del se Bashkia Fier nuk ka proceduar me lejen mjedisore e cila është përgjegjësi e Kryetarit të Bashkisë Fier, si vijim vend depozitimi ekzistues është pa leje mjedisore. Në vendimin e emergjences mjedisore “Mbi Shpalljen e Emergjencës Mjedisore në Fushën e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve Urbane në Qytetin Fier”: nuk përmendet vend depozitimi i mbetjeve urbane në Sheq, Fier; Nuk përcaktohet asnjë masë për mbylljen e këtij vend depozitimi të paligjshëm; Nuk përcaktohet asnjë masë për rehabilitimin e këtij vend depozitimi. Sipas procesverbaleve të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave, Dega Rajonale Fier (2014 dhe 2017), vend depozitimi është jashtë çdo kushti teknik mjedisor dhe shkakton ndotje të mëdha mjedisore. Nga ana tjetër Inspektoriati nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi bazën e inspektimit për vendosjen e masave administrative kundrejt Bashkisë Fier për gjendjen e rëndë të vend depozitimit të Sheqit, i cili është funksional dhe nuk ka leje mjedisore.

Në këto kushte më datë 15.05.2018 banorët e Sheqit dhe qendra EDEN i drejtuan Kryetarit të Bashkisë Fier letrën “Kërkesë për marrjen e masave që parashikohen nga kuadri ligjor në fuqi në lidhje me fushën e paligjshme të grumbullimit të mbetjeve në Sheq, Fier” me dy kërkesa:

1) mbylljen e vend depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq, Fier

2) rehabilitimit të plotë si një vend depozitim i cili funksionon pa leje mjedisore, në kundërshtim të plotë me kuadrin ligjor dhe që shkakton ndotje mjedisore të jashtëzakonshme.

Analiza ligjore e zhvilluar tregon se legjislacioni mjedisor dhe më konkretisht në lidhje me rastin konkret të vend depozitimit të mbetjeve është i pasur dhe të gjitha detyrat e insitucioneve janë të mirë shpjeguara dhe nuk lë hapësirë për keqkuptime. Megjithatë zbatimi i ligjeve duket se ka vështirësi në praktike dhe në ndarjen e përgjegjësive, duke i lënë banorët në Sheq, të jetojnë mes plehrave.

Këto dy kërkesa të paraqitura i ngarkohen dhe me më shumë përgjegjësi Bashkisë Fier, në sajë të vendimit të fundit Nr. 389, datë 27.6.2018 ndryshim në ligjin “Për lendfillet”. Operatori i një venddepozitimi ekzistues (Bashkia Fier në rastin konkret), pavarësisht nëse ka ose jo leje mjedisi, deri në datën 31 dhjetor 2018 duhet të përgatisë një plan përmirësimi të vend depozitimit dhe duhet ta paraqesë për miratim në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Periudha e parashikuar në ligjin e vitit 2012 (dy vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit) nuk është ndjekur dhe si vijim ndryshimi në ligj përcakton një afat të ri të përshpejtuar deri në fund të këtij viti për përgatitjen e një plani përmirësimi. Komiteti Ndërministror për Mbetjet, pas miratimit të planit nga AKM vendos për masat e përmirësimit që duhet të ndërmerren brenda datës 31 dhjetor 2020.

Tryeza e dialogut

Qendra EDEN dhe banorët e lagjes Sheq, më datë 27 qershor 2018, në Fier, ftuan në një tryezë aktorët e interesit dhe institucionet përgjegjëse me qëllim krijjimin e mundësisë dhe hapësirës së një dialogu konstruktiv midis aktorëve të interesit dhe institucioneve përgjegjëse, për zgjidhjen e problemit mjedisor të shkaktuar nga veprimtaria e pa ligjshme e vend depozitimit ekzistues në Sheq.

Në takim morrën pjesë rreth 30 pjesëmarrës nga institucionet (Bashkia Fier, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, dega rajonale Fier, Drejtoria Rajonale e Mjedisit Fier, Qendra Shëndetësore Nr.1, Avokati i Popullit) gazetarë, organizata dhe banorë të qytetit të Fierit. Prania e lartë e institucioneve në këtë tryezë është një tregues interesi, por edhe rëndësie për tematikën e menaxhimit të mbetjeve në tërësi dhe në qytetin e Fierit në veçanti. Pavarësisht se dialogu shpesh morri tone të ashpra dhe deri në kërcënime për anëtarët e organizatave dhe banorët të cilët ata mbështesnin, pati momente konstruktive, të cilat fatkeqësisht nuk ishin të forta për të arritur në një mirëkuptim të përbashkët në interes të zbatimit të ligjit dhe të drejtave qytetare.  

Specialisti i Nivelit të Lartë i Bashkisë Fier, u shpreh se “Bashkia Fier ka një plan rehabilitimi për vend depozitimin e Sheqit, por pritet të përfundojë ndërtimi i Incineratorit të Fierit, si zgjidhje e situatës alarmante”.

“Nëse kompania e kontraktuar për ndërtimin e incineratorit do të bashkëpunojë me Bashkinë Fier, për rehabilitimin e zonës në vend depozitimin e mbetjeve në Sheq, (në vijim të diskutimit të specialistit) kjo mund të ishte një zgjidhje për ti dhënë fund situatës së krijuar”, por jo zgjidhja më e mirë e mundëshme.  Plani i rehabilitimit nuk i është vendosur në dispozicion qendrës EDEN në letër kërkesat e dërguara, pra nuk është transparent as për publikun. Në të njëjtën kohë incineratori, është për të ardhur keq që shihet si shpresa e vetme e situatës së Sheqit.

Ndërkohë Drejtoria Rajonale e Mjedisit, Fier konfirmoi faktin e paraqitura nga qendra EDEN, se vend depozitimi i Sheqit është i jashtë ligjshëm, ai nuk ka leje mjedisore. Nga monitorimi ynë në terren duket qartë se vend depozitimi funksionon me një kapacitete ditor të paktës 3 makina të shkarkuara në çdo dy orë (shkurt 2018). 

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave, dega rajonale Fier theksoi “Situata e rënduar është krijuar në mënyrë progresive në vend depozitimin e mbetjeve. Nuk është një vendim i thjeshtë që të kërkohet mbyllja e një vend depozitimi”.  Theksojmë se ky institucion ka për detyrë sipas ligjit “Për inspektimin në RSH”, nenet 45-47 duhet të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me inspektimet në terren. Përveç hartimit të procesverbaleve, nuk është marrë asnjë veprim i tillë nga Inspektoriati duke shkelur bazën ligjore.

Ndër të tjera u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit midis institucioneve në Fier. Kjo gjë u vu re dhe në takim ku nuk shihej një frymë bashkëpunimi dhe profesionalizimi, por kalohej në diskutime personale.

Qendra Shëndetësore Nr.1, Fier, në një komunikim me e-mail drejtuar qendrës EDEN komunikon se Qendra Shëndetësore nr.1 mbulon me shërbim shëndetësor 8 lagje me rreth 32 600 banorë. Në mjekët e familjes janë regjistruar rreth 570 pacientë kronikë me probleme shëndetësore në rrugët e frymëmarrjes. Në takim Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr.1, u shpreh se “Shqetësimet në rrugët e frymëmarrjes nuk mund të lidhen detyrimisht me vend depozitimin e mbetjeve”. Drejtoresha gjithashtu u shpreh se përgjegjësinë për të dhënë informacionin për numrin e pacientëve me probleme shëndetësore në rrugët e frymëmarrjes e ka Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Fier. Kjo e fundit ka adresuar qendrën EDEN pikërisht te qëndrës Shëndetësore nr.1, duke treguar dhe njëherë mos koordinimin e institucioneve dhe kalimin e përgjegjësive.

Banorët e pranishëm në tryezë përballë analizës së paraqitur nga qendra EDEN, shkeljeve ligjore, dhe mungesës së vazhdueshme të transparencës, theksuan me forcë se situata është vërtët e rënduar, pavarësisht nëse jetohet në afërsi të vend depozitimit apo më afër qendrës së Fierit. “Shqetësimet shëndetësore, apo të rrugëve të frymëmarrjes kanë fakrorë të ndryshëm që i ndikojnë, por vend depozitimit është një element plus negativ që rëndon gjendën aktuale shëndetësore që kemi” u shpreh një banore në qytetin e Fierit. 

Banorët të zhgënjyer theksuan se asnjë veprim nuk është marrë nga Bashkia Fier për të përmirësuar gjendjen dhe për t’ju përgjigjur nevojës së banorëve për mbrojtjen e shëndetit dhe për sigurimin e një jetese më të mirë në qytet.

Çfarë do vijojë?

Ndërkohë qëndrojmë ende në pritje të përgjigjes zyrtare (brenda datës 15.07.2018) nga Bashkia Fier për letrën e datës 15.05.2018. Qendra mjedisore EDEN është e angazhuar për të ndjekur këtë rast deri në përfundimin e zgjidhjes së tij në rrugë administrative apo gjyqësore.

Korrespondencën e plotë e gjeni këtu: http://www.eden-al.org/index.php/al/publikime/korrespondenca/542-zona-e-mbetjeve-sheq-fier 

Fotografi të tryezës së datës 27.06.2018 “Dialog për mbylljen dhe rehabilitimin e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve urbane në Sheq” i gjeni në facebookun e qendrës EDEN: https://www.facebook.com/pg/Qendra-EDEN-EDEN-Center-319334287560/photos/?tab=album&album_id=10156084645337561 

Në kuadër të projektit “E drejta mjedisore për banorët e Sheqit” i cili mbështetet financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-OSFA.

Print