Binomi Evropë-Mjedis i këtij 9 maji

Deklarata e 9 majit 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Por që prej asaj kohe, sfidat e BE-së kanë ndryshuar dhe tashmë BE-së i duhet të mbrohet me përpjekje kreative kundrejt rreziqeve që e kërcënojnë, dhe alarmi më i madh është mjedisi. Aktualisht Bashkimi Evropian aplikon disa nga standardet më të larta mjedisore në të gjithë botën. Këto politika mjedisore ndihmojnë në gjelbërimin e ekonomisë së BE-së, për të mbrojtur natyrën, shëndetin dhe cilësinë e jetës së njerëzve që jetojnë në BE.

Rritja e gjelbër

Mbrojtja e mjedisit dhe qëndrimi konkurrues i BE-së në tregun botëror mund të jenë dy realitete të njëkohshme, madje politikat mjedisore mund të luajnë një rol kyç në krijimin e vendeve të punës dhe stimulimin e investimeve.

"Rritja e gjelbër" nënkupton zhvillimin e politikave të integruara që promovojnë një kuadër të qëndrueshëm mjedisor. Risitë me qasje pro-mjedisore mund të zbatohen dhe të eksportohen, duke e bërë Evropën më konkurruese dhe duke përmirësuar vazhdimisht cilësinë e jetës së evropianëve.

Mbrojtja e natyrës

Natyra është sistemi ynë jetik mbështetës, prandaj edhe ne duhet të kujdesemi për të. Ne njerëzit ndajmë së bashku burime si uji, ajri, habitatet natyrore dhe speciet që jetojnë në to, siç gjithashtu ndajmë bashkarisht standardet mjedisore për t'i mbrojtur të gjitha këto burime jete.

Evropa është vazhdimisht duke punuar për t’i mbrojtur këto burime natyrore dhe për të ndalur numrin në rënie te specieve dhe habitateve të rrezikuara.

Natura 2000 është rrjeti i 26.000 zonave të mbrojtura natyrore, duke mbuluar pothuajse 20% të masës tokësore të BE-së, ku aktivitetet e qëndrueshme te njeriut mund të bashkëjetojnë me speciet dhe habitatet e rralla dhe të rrezikuara.

Ruajtja e shëndetit dhe mirëqenia e njerëzve që jetojnë në BE

Disponueshmëria e ujit, ndotja e ajrit dhe kimikatet janë ndër shqetësimet kryesore mjedisore me të cilat perballen njerëzit sot. Për t’i mbrojtur njerëzit nga keto presione mjedisore të lidhura drejtpërdrejtë me shëndetin dhe mirëqenien e tyre, politikat e BE-së kanë për qëllim:

• të garantojnë ujë të pijshëm të sigurtë dhe ujë të bollshëm për higjenën e përditshme

• përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe zvogëlimin e ndotjes akustike

• reduktimin ose eliminimin e efekteve të kimikateve të dëmshme.

Sfidat globale

Me rritjen e popullësisë botërore dhe me afrimin e tyre gjithmonë e më tepër drejt zonave urbane, sfidat globale mjedisore bëhen akoma më te ngutshme.

Nevojiten më shumë veprime për të siguruar që:

• ajri, oqeanet dhe burimet e tjera ujore të mos ndoten

• toka dhe ekosistemet të përdoren në mënyrë të qëndrueshme

• ndryshimi i klimës të mbahet në nivele të menaxhueshme.

Si një aktor global, BE-ja luan një rol kyç në përpjekjet ndërkombëtare për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm në nivel global. Politika aktuale e BE-së për vitin 2020 bazohet në Programin e Shtatë të Veprimit Mjedisor - përgjegjësitë e dyfishta të institucioneve të BE-së dhe qeverive kombëtare.

Print