Lisi dhe lashtësia jonë

“Pyjet i paraprijnë qytetërimit, kurse shkretëtirat e pasojnë atë” - Fransua-Rene Shatobrian.

Gjithmonë më ka intriguar fakti pse në mitologjinë tonë shqiptare ‘LISI’ është druri më i përmendur, druri më i njohur, që haset thuajse në krejt traditën tonë folklorike që nga lashtësia e deri më sot. Pse vallë kjo vëmendje e posaçme për një dru si Lisi?! Kur nis njeriu e thellohet në kërkim, gjëja e parë që shkon në mendje është Lisi i Dodonës. Pse Lisi është konsideruar kaq i shenjtë në të kaluarën?! Pse Lisi ishte druri simbol i Zeusit?!

Pse Orakujt e Dodonës i merrnin kumtet e Zeusit pikërisht nga Lisi, (Lisi i Dodonës), kumte që përcilleshin përmes fëshfërimes së gjetheve të Lisit të shenjtë, kumte që kuptoheshin vetëm nga priftërinjtë dhe priftëreshat e Dodonës!? Po pse ka pasur gjithëherë këtë peshë të kaq rëndësishme Lisi?! Druri quhet “Lis-/i”, Lis - në shumicën e krahinave shqiptare, por ka edhe tjera sinonime si “Bung-/u” kryesisht në Gegni, apo “Dushk-/u” kryesisht në Toskëri. Por, përdorimi i këtyre emrave nuk është i ndarë prerazi sepse edhe në gegnishte përdoret gjithashtu “Dushk”, por më tepër në rastet kur është fjala për gjethet e Lisit. Por, si në Gegni ashtu edhe në Toskëri përdoret njësoj Lis. Pra janë sinonime që emërtojnë të njëjtin dru. Interesante është të theksohet se trajta dialektore e gegnishtes “Bung-/u” haset edhe ne Keltishten e vjetër, fjalë arkaike, kryesisht si emër për vozat (butet), e verës që bëheshin prej drurit të lisit. Si duket emri “Bung-/u” vjen nga kohët e lashta kur të parët tanë Ilirë ndanin kufinjtë me Keltët.

Në këtë sprovë mendova të lë mënjanë mitologjinë dhe të përqendrohem në një rrafsh tjetër, në rrafshin praktik, duke u rrekur të gjej pse ka gjithë këtë rëndësi Lisi. Lisi është druri më i përhapur në botë. I përket familjes “Fagaceae”, që rritet në hemisferën veriore. Në familjen “Fagaceae” përfshihen drurët dhe shkurret, lendet (farat) e të cilëve janë të mbështjella me lëvozhgë. Kjo familje gjithashtu përfshin Ahun, Gështenjën, të gjitha gështenjat e Amerikës së Veriut. Kjo familje “Fagaceae” e ka origjinën nga Azia. Për herë të parë ndeshet në fosilet e gjetura të epokës "Cretaceous i Hershëm", më shumë se 100 milionë vjet më parë. Ndryshimet klimaterike si rezultat i rrezatimit diellor në rritje, ngrohja në Evropë dhe Amerikë të Veriut ndikuan në shfaqjen e llojeve të reja. Lloji “Dryophyllum” është, një nga llojet më të hershme dhe më të njohur të “Fagaceae” në Evropë dhe mendohet të jetë paraardhës i Lisit të sotëm. Bazuar në analizat gjenetike molekulare, lloji “Quercus” gjykohet të jetë ndarë nga “Castanea” rreth 60 milionë vjet më parë. Lisat e parë shfaqen në fosilet e gjetura në Amerikën e Veriut gjatë epokës “Paleogene” diku mes 55 milionë deri në 50 milionë vjet më parë. Brenda specieve “Quercus” në harkun kohor prej 22 milionë deri në 3 milionë vjet më parë kanë ndodhur dhe ndarjet me specifike. Gjatë kësaj periudhe, Lisi/Dushku u bë lloji më dominues i drurit të familjes “Fagaceae”. Në varësi të skemës së klasifikimit, mendohet se janë diku nja 450 deri në 600 specie Lisi; megjithëse ka disa pika konfuzioni dhe një nga pikat kryesore të konfuzionit është statusi taksonomik tek lisat hibridë. Amerika e Veriut përmban numrin më të madh të llojeve të lisit, me rreth 90 lloje vetëm në Shtetet e Bashkuara. Meksika ka 160 lloje, nga të cilat 109 janë endemike. Qendra e dytë më e madhe e diversitetit të lisit është Kina, e cila përmban rreth 100 lloje. Megjithatë shkencëtarët janë dakordësuar që të gjithë llojet e lisave mund të ndahen në dy grupe të gjëra, në :

-1- Lisat të bardhë .

-2- Lista e kuq dhe të zi.

Lisi i bardhë gjendet në Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Lendet e këtij Lisi duan 6 muaj të piqen dhe kanë shije të ëmbël (paksa të hidhur). Mbasi hiqet lëvozhga lendja e lisit të bardhë është pa push. Gjethet e këtij lloji janë më shumë të rrumbullakosura. Ndërsa për Dushkun e Kuq dhe të Zi në Evropë, Amerikë dhe Azi lendet e tyre duan 18 muaj për t’u pjekur dhe kanë shije shumë të hidhur. Përbrenda, mbasi hiqet lëvozhga mund të jenë pa push, por në shumicën e rasteve kanë push. Gjethet e këtyre llojeve kanë ngjyrë të gjelbër të errët dhe maja të mprehta. Në Evropë, janë gjetur edhe fosile poleni që tregojnë se gjatë fundit të “Glacial Maximum”, dmth fazës së fundit akullnajore rreth 20 mijë vjet më parë, speciet e lisit ishin përmbledhur në tre lloje - "Pleistocene refugia”- dhe gjendeshin në Evropën Jugore, në Iberi, në Itali dhe në Gadishullin Ballkanik, ku shkencëtarët janë të mendimit se filloi të shfaqet Lisi, menjëherë sa filluan të shkrihen akujt në fillim të epokës “Holocen”, 12 mijë vjet më parë. Që atëherë druri i Lisit ka qenë një element i rëndësishëm i vegjetacionit në shumicën e Evropës. Dominimi i Lisit në pyje gjatë prehistorisë dëshmohet nga gjetjet e shumta arkeologjike në qymyr dhe është i pranishëm në të gjithë të dhënat arkeologjike të shumicës së kulturave pre-historike. Në periudhën “Boreal”, 9 mijë – 7 mijë e 500 vjet më parë, pyjet e përziera të lisit mbisundonin Evropën.

Pyjet e përziera zgjeroheshin që nga ligatinat ku u shfaq lloji i lisave “Acidophilous”, Qarri (Quercus cerris), Verri (Quercus trojana), Valanidhi (Quercus aegilops), Vidhi (Ulmus foliacea), e deri te pyjet masive të dushkut - BUNGAJAT - si i thonë në Shqipërinë e Veriut dhe Kosovë për Bungën, (Quercus petraea) dhe Bungëbuta, (Quercus pubescens)… Një lloj i ri fillon të dominojë pyjet në periudhën “Subboreal”, kohë në të cilën Ahu dhe Bredhi bëhen llojet dominante, kjo ngjet më vonë në Epokën e Bronzit dhe në fillim të Epokës së Hekurit, 5700-2600 vjet më parë. Megjithëse shkencëtarët pajtohen se procesi i degradimit të pyjeve të përziera të dushkut dhe përhapja e pyllnajave moderne nuk ka ndodhur gjithkund në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin ritëm. Në trojet shqiptare, pyjet e lashta të Lisit mbijetuan ashtu masive deri në shekullin e 19-të. Lisi si çdo lloj tjetër ka arealin e vet të përhapjes që përkon më lartësinë mbi nivelin e detit në kuadrin e zonave fitoklimatike. Nisur nga përhapja e tij në zonat e ulta kodrinore dhe malore i takon të zerë një hapsirë të konsiderueshme ku zhvillohet veprimtaria njerëzore. Nuk gjindet as në ekstremet klimatike të klimës së ashpër malore dhe as në atë të butë bregdetare. Në ndarjen e zonave të bimësisë në vendin tonë, nga përhapja e tij e madhe zona kë marrë edhe emrin "Zona e Dushqeve" (e Lisit). Kërkesat e Lisit ndaj tokës janë të konsiderueshme dhe në vendet ku gjen shtrirje të kënaqshme pylli i Lisit do të thotë se është i vendosur mbi toka me cilësi, mesatarisht të thella e të pasura me elementë ushqyes. Duke qenë një lloj i përhapur në këto kushte klimatike e në këto lloje tokash, Lisit i ka takuar që të jetë shoqëruesi kryesor i njeriut në të gjithë veprimtarinë e tij jetësore. Prandaj ka një lidhje të fortë ndërmjet qytetërimeve njerëzore dhe Lisit (Dushkut/Bungut), të paktën që 30 mijë vjet më parë në Evropë dhe Azi, si dhe 14 mijë vjet më parë në Amerikën e Veriut. Këtë lidhje të qyteterimeve me Lisin e dëshmon shumë bukur një shprehje malësore, shprehje që është përdorur nga malësorët shqiptarë, të cilët Lisin e merrnin si referencë kohore të fillimit (gjenezës), kur shpreheshin: -"Prej se ka mbi Lisi!" Shprehje që dëshmon se si malësorët tanë e përdornin Lisin si pikë referimi për zanafillën e jetës! Në folklorin e Malësive të Veriut, simbolika e Lisit ndeshet shpesh, jo vetëm në mite e legjenda, por edhe në veshje siç janë zbukurimet e Xhubletës mijëra vjeçare. Fjalë të urta mbi Lisin hasen kudo ndër viset shqiptare, siç është shprehja proverbiale: -“Dru LISI dhe vajzë FISI”.

Kaq shumë e kanë shenjtëruar shqiptarët Lisin sa e kanë parë si simbol të qëndrueshmërisë dhe virtyteve njerëzore! Sipas shumë etimologëve edhe emri i qytetit të lashtë të Lezhës vjen nga Lisi, si e quanin Ilirët Lisitan. Kjo tezë nuk është pranuar plotësisht, por siç e thashë mbrohet nga shumë studiues. Nuk është e rastit që poeti ynë i madh, Jeronim De Rada e fillon me Lisin poemën "Këngët e Milosaos" : -"Ljis jeta kishe ndërruar,/ uj të ri ndë dejtit/ kaljtheruar të dit e re;/ por llumbardh e Anakreontit/"... Simboli i Lisit gjendet edhe në Heraldikën shqiptare, siç është Emblema e Katafiqit që ka në qendër të saj një Shqiponjë dykrenare me tre gjethe Lisi. Kjo emblemë është gjetur në kalanë e Katafiqit në Kuç, Vlorë dhe vlerësohet të jetë e shekujve 12-14-të. Ka qenë në dorëzim të Muzeut të Vlorës prej nga është transferuar në Tiranë. Në vitet 1980-1981 ky artifakt i jashtëzakonshëm zhduket nga mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dhimitër Pilika e përmend këtë pllakë guri, kur flet për shqiponjën dykrerëshe.

Edhe Keltët e lashtë adhuronin me të madhe Lisin në besimin pagan Druid. Ata adhuronin jetëgjatësine e Lisit dhe e konsideronin si fisnike praninë madhështore të tij. Te Keltët një person nderohej duke i vendosur kurorë me gjethe Lisi, shenjë e statusit të veçantë. E njëjta gjë ndeshet edhe te Grekët e Lashtë dhe më vonë te romakët. Gjatë Republikës Romake dhe Principatës pasuese të saj, "Kurora Civile", (Latinisht "Corona Civica") ishte kurorë e thurur me gjethe Lisi dhe konsiderohej si dekorata e dytë më e lartë ushtarake për të cilën mund të aspironte një qytetar romak. Mbas reformës kushtetuese të gjeneralit Sulla u vendos që mbajtësit të "Kurorës Civile", (Kurorës së Lisit"), t’i lejohej hyrja në Senatin Romak. Arsyeja përse Lisi ka gjithë këtë vëmendje është krejt e thjeshtë: -"Lisi është një nga drurët më të dobishëm në botë!"

Druri i Lisit është një nga drurët me fortësinë më të madhe që mund të gjindet sepse ka densitetin më të lartë, çka i jep qëndrueshmëri shumë të lartë – siç kanë konkluduar studiuesit. I fortë e rezistent, druri i Lisi është gdhendur për mjete pune siç janë plugjet e drurit për të pluguar tokën, po ashtu për vegla pune si bishta sopatash dhe kmesash (kosoresh). Përmbajtja e lartë e taninës e bën rezistent ndaj të dy shkaktarëve kryesore që sjellin sëmundje në pyje - kërpudhave dhe insekteve - gjë që e bën të rezistojë dhe të jetë i përhapur anembanë. Për shkak të të gjitha këtyre cilësive, Lisi ka gjetur përdorim që nga kohërat më të lashta në ndërtimtari, si shtylla për kasollet, furkëza për kulme shtëpie, lëndë bunge për dërrasa mbuloje të çatisë dhe dërrasa shtroje (dyshemeje) të odave. Po ashtu, edhe për orenditë shtëpiake nga enët e kuzhinës e deri te mobiljet si: arkat, sënduqet, magjet e bukës, fundat e bukës, sofrat, etj. Gjetjet arkeologjike kanë provuar se Lisi ka qenë materiali kryesor drunor i përdorur për shtëpitë dhe orenditë shtepiake që nga kohët e Neolitit. Mjafton të kundrohen me vëmendje kullat e vjetra në malësitë tona me çardakun, ahurin për kafshët, mjafton të shikohen mjetet e transportit, qerret (kerret), të shikohen plugjet që janë përdorur për lërimin e tokës. Çardaqet e kullave kanë qenë gdhendur prej drurit të Lisit. Në ndërtimet e hershme të shtëpive, përpara se të përdorej gëlqerja, muret ndërtoheshin me gurë të thatë dhe përforcoheshin nga trenë, (trarë) lisi për qëndrueshmëri dhe stabilizim. Sidomos kjo ka qenë përdorur në stanet në bjeshkë.

Lënda e Lisit është përdorur që mijëra vjet më parë për ndërtimin e lundrave, varkave dhe anijeve – kujtojmë këtu fiset Ilire si Liburnët që u bënë të famshëm për anijet e tyre, të cilat ndërtoheshin me dru Lisi. Flotat detare të kombeve evropiane deri vonë ndërtoheshin me dru Lisi. Në kohën e Perandorisë Romake pyje të tëra u pastruan për të përmbushur kërkesat e ndërtuesve të anijeve të flotes romake. Për shekuj me radhë portat hijerënda të kështjellave bëheshin me dru Lisi. Druri i Lisit është përdorur për ngrohje, si dru zjarri, pasi bëjnë zjarrin më të mirë. Në kullat shqiptare mikpritja fillonte me një zjarr buçitës me dru bunge! Gacat e zjarrit me dru bunge qëndrojnë gjatë para se të bëhen hi. Dihet që në shekuj zjarri ka mbajtur gjallë njerëzimin në dimërat e acartë. Prej drurit të Lisit përgatitet lloji më i mirë i qymyrit të drurit. Qymyri i drurit është prodhuar zakonisht përmes procesit të pirolizës që kryhet nga ngrohja graduale e drurit, në kushte të caktuara dhe në mungesë të oksigjenit. Për këtë qëllim ngrihet një kaminë ku stivosen drutë e Lisit që mbulohen me dhé deri sa izolohen plotësisht dhe u vihet zjarri. Pastaj për ditë me radhë ndodh piroloza, karbonizimi i drurit deri sa kthehet në qymyr druri. Prodhimi i qymyrit të drurit është bërë në vendet ku ka Lisa me bollëk dhe kjo praktikë daton nga periudha shumë të lashta, gjë që është provuar nga gjetjet arkeologjike. Malësoret në Malësi të Gjakovës, në Dukagjin dhe në Malësi të Madhe edhe sot e kësaj dite ende e praktikojnë përgatitjen e qymyrit të drurit. Përmendëm më sipër se Lisi është i pasur me "taninë" që gjendet në lëvozhgën e tij, ndaj për këtë gjë është përdorur edhe për regjien e lëkurëve të kafshëve. Kur lëkura e bagëtive regjet me "taninë" ajo është më e qëndrueshme dhe nuk dekompozohet lehtë. Shekuj më parë malësorët tanë e dinin vlerën e “taninës”, njihnin ndikimin kimik të saj përmes acidit që kryente regjien më të mirë të lekurës së bagëtisë! Një tjetër përdorim i dobishëm i Lisit janë goglat, (gogliqat), ndryshe njihen si mollëzat e Lisit që kanë madhësisë 2 deri ne 5 cm diametër. Goglat (gogliqat), shkaktohen nga larva e grenzës së familjes “Cynipidae”, kjo grenzë lëshon vezët e veta në gjethet e lisit, larvat e grenzës që ushqehen në indet e tëmthit të Lisit krijojnë një soj mutacioni që prodhon Gogliqat. Gogliqat e Lisit janë përdorur për prodhimin e bojës së shkrimit të paktën që në kohën e Perandorisë Romake. Nga mesjeta deri në fillim të shekullit XX, boja që përdorej për të shkruar në botën perëndimore vinte nga gogliqat e Lisit.

Një tjetër dobi e Lisit është eshka, një lloj kërpudhe që rritet në Lis, (Bungë), "Eshka e Bungit” si quhet në Malësitë tona, ka emrin shkencor “Fomes fomentarius” dhe është një specie e “Patogjen fungal” e bimëve dhe gjendet në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën e Veriut. Rritet në trungjet e shumë lisave, rritet mbasi kërpudha i infekton duke shkaktuar kalbjen. Kjo specie zakonisht vazhdon të vegjetojë në lisa për një kohë të gjatë edhe pasi Lisi është tharë, duke ndryshuar nga një parazit në një dekompozues. Kërpudha "Fomentarius”, nuk është e ngrënshme, por ka pasur një përdorim mjaft të dobishëm në historinë e njerëzimit. Pasi thahej, eshka kthehej në material që përdorej për të ndezur zjarrin. Zjarri ndizej nga fërkimi i dy drurëve ose ndizej nga përplasja e dy gurëve të gurgacit (kuarcit), përplasja shkaktonte shkëndijën dhe shkëndija binte në eshkën e tharë që mbahej pranë për të kapur shkëndijëzën. Mënyra e ndezjes me dy gurë kuarci ka qenë mënyra më e përhapur me të cilën është ndezur zjarri në lashtësi! Me Gurgac dhe Eshkë Lisi! Malësorët e kanë quajtur “Gurgac” gurin që bën gacat, është interesante të theksohet se emri me të cilin e njeh bota është “Quartz-Kuarc” ka ngjashmëri onomatopeike me emrin “Gurgac”, mund të thuhet se vijnë nga një rrënjë! Gjithsesi “Kuarc” apo “Gurgac”, ashtu me ato gurë është ndezur zjarri në shekujt mbas “Epokës së Akullit” dhe këtë përfundim e bën krejt bindës gjetja e kësaj eshke në mes gjërave që ju gjetën “Njeriut Ötzi”. Kur u gjet Njeriu Ötzi , njeriu i ngrirë në akull në kufirin italiano-austriak, që u gjet në Alpe dhe pasi ishte ngrirë dikund në vitet 3359 dhe 3105 para Krishtit, mes tjerash u gjet se ai kishte eshkën e Lisit me vete. Pra ai njihte përdorimin e eshkës në ndezjen e zjarrit dhe e mbante me vete si mbajmë ne shkrepsen sot! Pyjet e Bungajave (dushnjet), krijojnë kushte ideale për rritjen e kërpudhave. Disa prej këtyre kërpudhave rriten në trungjet e pemëve të rëna, të rrëzuara, disa pranë rrënjëve, disa nën gjethe. Lloje të ndryshme piqen në kohë të ndryshme të vitit. Në varësi të klimës gjithëherë do të gjendet të paktën një lloj i përzier kërpudhash pyjore – kërpurdha Lisi – çka do të thotë që kërpurdhat mund të mblidhen në çdo kohë të vitit, por sezoni kryesor i kërpudhave është nga fundi i pranverës deri në fund të vjeshtës. Kërpudhat kanë qenë një nga burimet kryesore të ushqimit gjatë kohërave të lashta, ato kanë pasur proteina të mjaftueshme për ushqimin e njerëzve. Në viset Ilirike lloji më i njohur i kërpudhave të ngrënshme që gjinden në Bungaja janë: -“Truffles” (Tartuf - "Ascomycete Fungus", se çfarë vlere ka turtufi të gjithë e dimë, - Porcini, ("Boletus Edulis"), - "Amanita Caesarea", -"Trametes Gibbosa", -"Butyriboletus Regius", -"Clitopilus Prunulus", -"Russula", etj. Tjetër vlerë e Lisit janë gjethet e thara, dushku! Në Malësitë tona ende është ruajtur dhe ende gjallon tradita e “Premjes së Dushkit”, Lisave të Bungit u krasiten degët çdo tre-katër vjet, degët lihen të thahen për disa ditë dhe pastaj palosen dhe vihen në mullarë njësoj si vihet në mullarë sana e livadheve. Quhen "Dushk" njëjës, "Dushnje" në shumës, (njësoj si mullarë) dhe ruhen si ushqim për bagëtinë gjatë dimrit. Në Dukagjin, në Pukë dhe Tropojë ende mund të shihen edhe sot Dushnjet nëpër Bungaja. Kjo soj zahireje është jetike për bagëtinë, zahire që përgatitet nga gjethet e Bungut, (Lisit).

Print