• Kreu
  • Natyra
  • “Moratorium” apo legalizim i katastrofës mbi pyjet dhe pylltarinë shqiptare

“Moratorium” apo legalizim i katastrofës mbi pyjet dhe pylltarinë shqiptare

“Në vend të një letre për Parlamentin shqiptar”

Marrëdhëniet e shoqërisë shqiptare me natyrën në përgjithësi e me pyjet në veçanti janë përkeqësuar më shumë se kurrë ndonjë herë në dekadën e fundit. Shkatërimi i institucioneve, konfuzioni ligjor i krijuar nga ndryshimet e shpeshta dhe klienteliste, mungesa e investimeve nga shteti dhe keqpërdorimi i pamatshëm i investimeve të huaja, ka sjellë që 63 % e sipërfaqes së territorit të vendit, të jetë sot jashtë kontrollit të shtetit.

Pyjet, që nga viti 2006, fillimisht u “agrarizuan”, pastaj u “republikanizuan” dhe tani së fundi u “lsizuan”, nëpërmes shprofesionalizimit dhe keqpërdorimit, deri në barabar, të burimeve njerëzore. Administrata pyjore u bë bazë e ekzistencës së këtyre partive, nëpërmjet anëtarësisë në këto parti dhe jo vetëm.

Strategjia per zhvillimin e ekonomise Pyjore e miratuar me VKM nr 247, datë 23.04.2004, një dokument historik për pylltarinë shqiptare i hartuar me konsulencën dhe mbështetje të Bankës Botërore, FAO-s USAID, mbeti në sitaret e Ministrisë së Mjedisit, dhe që nga viti 2006 e në vazhdim asgjë e parashikuar atje nuk gjeti zbatim. Ligji për pyjet dhe shërbimin Pyjor nr 9385 datë 4.05 2005 i ndryshuar mbi 7 herë deri tani nuk ka gjetur asnjë zbatim gjatë kesaj periudhe.

Në qoftë se në strukturat e vitit 2010, numri total i punonjësve të pyjeve, prej 1.121 vetë, 807 vetë ose 72 % ishin specialiste pyjesh, të lartë dhe të mesëm dhe 314 vetë, ose 28 % ishin personel mbështetës, në strukturat e sotme Inspektoriali i Policisë Pyjore, që ka rreth 126 vetë, nga të cilët vetëm rreth 30 vetë, ose rreth 26 % janë me arsim pyjor, pjesa tjetër, rreth 74 %, nuk kanë asnjë lidhje me pyjet apo arsimin pyjor. Sot në total, numri i punonjësve të menaxhimit të pyjeve e kullotave dhe i Inspektoriatit të Pyjeve, arrijnë në 592 vetë, nga të cilët 223 punonjës ose rreth 38 % janë me arsim pyjor dhe 369 % të tjerët, ose 62 %, janë pa arsim pyjor, për më tepër dhe të pa arsimuar fare.

Theksojmë se rreth 500 punonjës, të gjithë specialiste pyjesh, u shkurtuan nga strukturat e administratës pyjore, duke kaluar në sektorët e mjedisit, pa shkurtim organike për këtë Ministri dhe u zëvëndësuan të gjithë me punonjës jashtë profesionit.

Sot shërbimi pyjor shqiptar është inekzistent. Vlen të përmendet shkresa e fundit e Ministrit, nr 6567, date 11.11. 2015, nëpërmjet të cilës, pezullohet nga puna i gjithë personeli pyjor ne DSHP e qarqeve. Sipas kësaj shkrese pritet te miratohet ligji i ri dhe pyjet do kalojnë në pronësi të bashkive, ndërkohë që në të gjithë vendin vazhdojnë ankandet për shitjen e lëndës drusore.

Ministria e Mjedisit, që nga viti 2006 e tani, vazhdon të ushtrojë funksionet e saj në konflikt të hapur interesi. Mjedisi “fizik” në Shqipëri janë pyjet kullotat dhe ujrat dhe kjo Ministri, në veprimtarinë e saj ka punuar dhe punon për shkatërrimin e këtij mjedisi. Shfrytëzimi i lëndës drusore, i prodhimeve pyjore, eksporti i druve të zjarrit dhe qymyrit, lejet për veprimtari të ndryshme në fondin pyjor (miniera, gurore, etj.) janë veprimtaritë legale që kryen kjo Ministri, që kanë çuar në shkatërrimin e pasurisë pyjore, pa përmendur këtu gjithë veprimtaritë ilegale, të cilat janë jashtë kontrollit të kësaj Ministrie, që ka për detyrë funksionale kontrollin e tyre por dhe jashtë kontrollit të strukturave të tjera të shtetit. Nuk ka asnjë Ministri Mjedisi në rajon e më gjërë, që të përfshijë në veprimtarinë e saj, veprimtari menaxhuese e aq më pak veprimtari prodhuese. Sot kjo Ministri nuk ka asnjë drejtues, që nga Minstri, Zv/ministrat, Drejtori i Përgjithshëm e deri tek 12 Drejtorët Rajonalë, që të kenë lidhje me arsimin pyjor dhe eksperiencë konkrete në pyje.

Konfuzioni në strukturat e Ministrisë së Mjedisit është i pashëmbullt. Brenda këtyre strukturave ka:

- Drejtori të Pyje dhe Kullotave,

- Drejtori të Zonave të Mbrojtura dhe Biodiversitetit,

- Inspektoriat të Policisë Pyjore,

- Agjenci Kombëtare të Zonave të Mbrojtura,

- Drejtori të Pyjeve, në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Në terrenin konkret (fondi pyjor e kullosor) aktivitetet ilegale janë më të shumta se ato ilegale dhe vetë veprimtaritë legale janë më të paligjëshme se të paligjëshmet. Më tej një ndërgjegje e rënuar pyjore, pyjet, nga pronë e të gjithëve (shtet + komunë), tanimë janë pronë e askujt. Sot ato janë një mall belik, që kushdo në Shqipëri mund të bëjë çfarë të dojë.

Çdo vit llogaritet të hiqet nga fondi pyjor mbi 2 milionë m3 material drusor. Legalisht priten 100-150 mijë m3, ndërsa e gjithë pjesa tjetër, “legalizohet” nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të Ministrisë së Mjedisit. Shkatërrimi i vërtetë i pyjeve, vjen sepse rreth 250-300 mijë m3 lëndë punimi, që rezulton nga kjo masakër në pyje, eksportohet si dru zjarri, me liçenca që jepen nga Ministria e Mjedisit. Liçenca të tilla jepen edhe nga Ministria e Bujqësisë, gjasme për drurin e ullirit. që rezulton nga rikonstruksioni i ullishteve.

Që nga viti 2006, në doganat tona nuk kërkohet më çertifikata e origjinës. Lejet e transportit të materialit drusor u janë dorëzuar subjekteve shfrytëzues, të cilët tashmë janë pronarë të pyjeve që shfrytëzojnë. Me lejet e transportit të Ersekës, transportohet lënda e Kukësit, pa përmendur faktin se këto leje nuk kanë asnjë element sigurie dhe më e keqja, që askush nga personeli pyjor nuk kontrollon lëndën që rezulton nga pylli, gjatë këtij procesi.

Në këtë proces 10 vjeçar, të shkatërrimit të administratës dhe pasurisë pyjore, kulmi arriti me dhënien në pronësi, me Vendime të KM, të rreth 47 % të sipërfaqes pyjore e kullosore, pushtetit vendor, një kalim i paligjshëm, i pambështetur në asnjë lloj studimi paraprak, pa mbështetje me fonde dhe personel teknik. Lukunisë së kontrabandistëve në pyje, i u shtuan edhe kryetarë komunash, që prenë shaktërruar çdo m2 të vlerave të mbetura në pyje.

Me Vendimin të Këshillit të Ministrave ne periudhen 2006-2015, sipërfaqja e zonave të mbrojtura u shtua nga rreth 6 % në rreth 16 %, pa u mbështetur në asnjë kriter të përcaktuar, për përfshirjen e sipërfaqeve pyjore në zona të mbrojtura, natyrisht pa përfilluar as edhe kriteret e IUCN-së. Mbi bazën e kësaj sipërfaqeje, tashmë jo të vogël, ku në përgjithësi kanë mbetur sipërfaqet pyjore me vlera turistike e mjedisore, përfshirë edhe parqet kombëtarë, në vitin 2015, u krijua një strukturë e re, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, një strukturë që nuk ekziston në asnjë nga vendet e rajonit dhe që administron zonat e mbrojtura, duke mos patur asnjë m2 si të tillë.

Pjesë e pasurisë pyjore, është edhe bimësia e florës së egër, bimët mjekësore, tanifere dhe eterovajore. Me mijëra ton cdo vit të kësaj bimësie grumbullohen në fondin pyjor e kullosor të vendit, jashtë çdo kontrolli teknik. Ato nuk evidentohen nga askush, nuk ruhen nga askush dhe mbi të gjitha shteti nuk merr asnjë qindarkë, nga kjo pasuri që përgjithësisht eksportohet.

Gjuetia e ndaluar para dy vitesh, me moratorium, duke pas dore ligjin e miratuar në vitin 2008, i cili nuk është zbatuar në asnjë nen të tij dhe që vazhdon të mos zbatohet. Pra gjuetia, tashmë e ndaluar, vazhdon të ushtrohet në të gjithë vendin jashte zezionit dhe gjitha mjetet.

Nga viti 1998 deri në vitin 2005, Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave, e asaj kohe, siguronte rreth 400 milionë lekë të ardhura vjetore, para që sot i mungojnë arkës së shtetit. Nëse gjithë veprimtaritë informale kontrabanda që zhvillohet për produktet pyjore dhe jopyjore do ti neshtrohej zbatimit të ligjit ekzistues për pyjet-grumbullimit te tarifave, kjo vlerë arrin në rreth 50 milion euro ne vit. Në dekadën, për të cilën flasim, zjarret në pyje kanë përshkuar dhe djegur rreth 20 % të sipërfaqes së tyre. Në shumicën e rasteve, të vëna me qëllim, për të ligjëruar vëllimin e prerë, ndërsa në evidencat e Ministrisë së Mjedisit rezultojnë jo më shumë se 1 % e kësaj sipërfaqje, pa vlerë dëmi ekonomik dhe thjesht si një statistikë që nuk tregon asgjë.

Shfrytëzimi barbar i pyjeve, prerja legale dhe ilegale, dëmtimi i bimësisë spontane dhe djegiet kanë sjellë pasoja katastrofike në ekosistemin pyjor. Erozioni është në nivelet maksimale, pasojë e të cilit janë edhe përmbytjet që kanë ndodhur e po ndodhur në ultësirën perëndimore.

Po çfarë ka ndodhur në këto 10 vjet, me inventarin e kësaj pasurie, Kadastrën e Pyjeve dhe të Kullotave?

Sot kemi një kadastër formale, mbështetur në Inventarin Kombëtar të Pyjeve, të vitit 1985 si dhe në planet e mbarështrimit, të cilëve u kanë kaluar afatet e përdorimit prej 15-20 vite më parë. Kadastra pyjore nuk përditësohet dhe është tërësisht e pa përdorëshme. Shifrat që ajo përmban janë të pasakta, si për sa i përket sipërfaqes ashtu edhe vëllimeve.

Në programin elektoral të Partisë Socialiste, tre kanë qënë objektivat kryesorë:

- krijimi i një autoriteti të pavaruar për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave (Agjenci Kombëtare),

- kryerja e Inventari Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave dhe krijimi i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave,

- moratorium për eksportin e druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit.

Deri më tani askush nuk është marrë me këto objektiva, përkundrazi, sot në projekt-ligjin e ri, na paraqiten objektiva të tjerë, tashmë ligjorë, që përligjin gjithë veprimtarinë që permëndëm më lart:

- Së pari, moratoriumi për shfrytëzimin e pyjeve, neni 63, është antikushtetues, referuar nenit 59, germa “dh”, të Kushtetutës, që sanksionon “shfrytëzimin racional të pyjeve, ujrave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore, mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm”.

- Së dyti ky moratorium bie ndesh me nenet 18 dhe 32, të po këtij projekt-ligji, si dhe me të gjitha angazhimet ndërkombëtare të marra nga shteti shqiptar, në kuadrin e konventave, protokolleve e marrëveshje të nënshkruara.

Neni 11 i këtij projekt-ligji, i jep të drejtën e pronësisë Ministrisë së Mjedisit dhe bashkive, kur me Kushtetutë, pronar i të gjitha pasurive kombëtare është Ministria e Ekonomisë. Me këtë projekt-ligj, pronarë të pasurisë shtetërore, bëhen bashkitë e vendit (përveç zonave të mbrojtura), pa patur asnjë kriter dhe asnjë dokumentacion të vlefshëm ligjor. Ato nuk mund të bëhen pronarë me Vendime të KM, Qeverisë së kaluar, të cilët u a kanë dhënë pushtetit vendor (komunave dhe bashkive) në mënyrë të paligjëshme.

Në qoftë se kjo pasuri pyjore, do kalonte me ligj të veçantë për administrim nga bashkitë e krijura sipas ndarjes së re, normalisht duhet kaluar dhe territori zonave të mbrojtura, këto sipas një inventari të saktë kombëtar.

Nuk duhet të ndalemi në pjesë të veçanta të projekt-ligjit, ku ka përsëritje, shprehje parazitare dhe nene të panevojshëm.

Propozojme: që Kuvendi i Shqipërisë,

1. Të miratojë në mënyrë urgjente nje moratoriumin “Per ndalimin e eksportit të druve të zjarrit, qymyrit të drurit dhe cdo produkti drusor te paperpunuar.

2.Të mosmiratojë projekt-ligjin e paraqitur “Për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor kombetare në Republikën e Shqipërisë”. Të mos zbatohet reforma e për shkrirjen e shërbimit pyjor shqiptar.

 

Kolë MALAJ. Kryetar, Shoqata e Specialistëve të Pyjeve

Print