• Kreu
  • Natyra
  • Ksamil, nis puna për rehabilitimin e gjelbër të ishujve të dëmtuar

Ksamil, nis puna për rehabilitimin e gjelbër të ishujve të dëmtuar

Këtë të shtunë (19 nëntor), në Ksamil ka filluar mbjellja e 300 fidanëve të parë në ishullin e djegur në vitin 2015. Këto fidane të zgjedhur me kujdes në zonat përreth, janë të llojit dafinë, prrall, sqinde, shqopa, rrushkull, gjeshtër e ullastra, bimësi e njëjtë me ato që u dëmtuan nga pakujdesia një vit më parë. Kësaj veprimtarie në terrenqë u zhvillua në kuadër të projekti të AJMMI-t:” Sensibilizim mjedisor dhe rehabilitimi i gjelbër i ishujve të dëmtuar të Ksamilit”; mbështetur nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me financim të BE, i parapriu një punë disa ditore me punëtorë dhe vullnetarë nga komuniteti i qytezës së Ksamilit.

Mbjellja e fidanave u krye në kushte të mira teknike sipas udhëzimeve të specialistit të AJMMI-t, Hanefi Braho, me qëllim që të garantohet një përqindje maksimale të zënieve. Sipas projektit teknik hartuar nga ing.Kristo Kauri, më parë u kryen ricungime të shkurreve dhe pemëve të djegura dhe largimi i tyre nga ishulli. Gjithashtu, ditë më parë, mbi 50 vullnetarë, mjedisorë, nga komuniteti i banorëve dhe nxënësve të klasave të larta të shkollës së bashkuar: “5 Dëshmorët” Ksamil kryen një aksion për grumbullimin e mbetjeve plastike dhe prej qelqi të shpërndara në të tri ishujt, nga pushuesit, gjatë verës që lamë pas. Brenda ditës u grumbulluan mbi 150 thasë me mbetje, të cilat, me mjete detare, u transportuan drejt qytezës së Ksamilit dhe prej andej, drejt landfillit rajonal, pranë fshatit Bajkaj.

Në fund të ditës, drejtori ekzekutiv i AJMMI-t Shkëlqim Hajno, ndau me mediat hapat e mëtejshëm që do të hidhen për zbatimin e projektit. Kjo ndërhyrje do të vazhdojë menjëherë javët e ardhshme, për të kryer operacionin më të vështirë nga ana teknike, për rehabilitimin e gjelbër të sipërfaqes së zhveshur në ishullin tjetër të Ksamilit.

Për kryerjen e këtyre punëve, krahas kontributit vullnetar të stafit të AjMMI-t nga banorët dhe nxënësit e shkollës, janë punësuar edhe rreth 10 banorë të qytezës, duke ndikuar në këtë mënyrë pozitivisht në zbutjen e papunësisë në komunitet.

Print