• Kreu
  • Natyra
  • Shpërthimet në Marinzë, prokuroria kërkon ekspertë të pavarur

Shpërthimet në Marinzë, prokuroria kërkon ekspertë të pavarur

Pas rihapjes së dosjes hetimore ndaj kompanisë kanadeze “Banker’s Petroleum” për dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fontanave të gazit natyror në Marinzë të Fierit më 1 Prill të vitit 2015, Prokuroria e Fierit do të kërkojë ekspertë të pavarur për të vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe për të konstatuar përgjegjësit e katastrofës mjedisore. Ndërkohë, organi i akuzës mësohet se u ka komunikuar rinisjen e procedimit ish-Drejtorit të Përgjithshëm të “Banker’s” Leonidha Çobo dhe gjashtë shtetasve të huaj që punonin për këtë kompani e për shoqëritë nënkotraktore.

Ekspertët

Burime të gazetës “Shqip” kanë pohuar se Prokuroria e Fierit do të kërkojë ngritjen e një grupi ekspertësh të pavarur me qëllim shmangien e ndonjë anshmërie të mundshme. Burimet theksojnë se do të jenë pikërisht konkluzionet e grupit të ekspertëve të pavarur që do të vendosin për fatin e mëtejshëm të hetimeve. Sipas burimeve, ekspertëve të pavarur do t’u kërkohet që do të nxjerrin konkluzion përfundimtar për të dyja dosjet hetimore të mëparshme, si për shkaktimin e lëkundjeve të tokës, ashtu edhe për shpërthimin e fontanës së gazit.

Pavarësisht se gjatë hetimit të mëparshëm, ekspertët konkluduan në faktin se shpërthimet ndodhën për shkak të pakujdesisë dhe mos respektimit të të gjithë rregullave teknikë gjatë kryerjes së shpimit, dosja u mbyll për t’u rihapur disa muaj më vonë. Sipas raportit të atëhershëm të ekspertëve të gjeologjisë, procesi i nxjerrjes së naftës gjatë viteve të fundit në zonën e Marinzës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtresat nëntokësore, duke i bërë ato të paqëndrueshme. Mësohet se në raport theksohej fakti se, shpimet horizontale kishin devijuar disa herë nga këndet në të cilat duhej të kryheshin, duke sjellë pasoja të rënda për nëntokën.

Ekspertët ngritën atëherë dyshimet se dëmet e shkaktuara në shtresat nëntokësore arrijnë deri në dy mijë metra thellësi dhe mund ta bëjnë terrenin sipërfaqësor të paqëndrueshëm në të ardhmen.

Të proceduarit

Prokuroria e Fierit ka rinisur procedimin penal ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Kompanisë “Banker’s Petroleum” dhe gjashtë drejtuesve e teknikëve të dy kompanive të tjera nënkontraktuese, që të gjithë me shtetësi të huaj, të cilët kanë kryer e menaxhuar punimet e shpimit të pusit P29A në Marinzë të Fierit, ku më datë 1 Prill 2015 shpërtheu fontana e gazit e cila dëmtoi qindra banesa e sipërfaqe të mëdha të terrenit sipërfaqësor e nëntokësor. Bëhet fjalë për të gjithë personat që ishin në procedim penal gjatë hetimit të parë. Prokuroria njoftoi atëherë se personat nën hetim ishin; ish-Drejtori i Përgjithshëm i “Banker’s Petroleum”, Leonidha Çobo, Lane Gardipee, në atë kohë me detyrë supervizor shpimi për operacionet ditore të sondës 504, Wayne Gaunt, me detyrë menaxher për operacionet e shpimit në “Banker’s”, Steve Hrushka, menaxher i sondës së shoqërisë “Simmons” në pusin 5761; Mike Davy, përgjegjës për mbikqyrjen e operacioneve të ekipit të shpimit i “Simmons”, Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary” dhe Tibor Vargon, inxhinier po i operacioneve të çimentimit.

Sipas burimeve të gazetës, personave të sipërcituar ju është komunikuar fakti se janë në procedim për veprat penale të “shkatërrimit të pronës” nga pakujdesia dhe “ndotja e ajrit”, në adresat përkatëse që gjenden në dosjen hetimore.

Raporti

Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) së bashku me AKBN-në dhe “Albpetrolin”, hartuan atëherë një raport lidhur me shkaqet që çuan në shpërhtimin e fontanave në pusin P29A si dhe të masave që duhej të ishin marrë për parandalimin e përsëritjes së këtyre aksidenteve. Në raport evidentoheshin katër shkaqe kryesore, si ajo e mos montimit të linjës së dytë të mbrojtësve, pavarësisht se ishin të parashikuara në projekt. Një tjetër shkak rezultonte të ishte krijuar nga personeli i sondës që menjëherë pas shpërthimit të fontanës ka lejuar rritjen e presionit të gazit.

Gjithashtu në raport evidentohej fakti se, kompania në fillim kishte menduar se kishte të bënte me gaz hidrokarbur dhe kishte zbatuar të gjitha procedurat standarde për këtë fushë naftëmbajtëse. Por, nga matjet e kompanisë “Bankers Petroleum” ka rezultuar se gazi i çliruar ishte gaz karbonik, që nuk është shoqërues i naftës dhe prania e tij nuk është karakteristikë e kësaj zone naftëmbajtëse. Sipas grupit të punës, “Banker’s” nuk kishte studiuar paraprakisht historikun e puseve përreth, të shpuar më përpara nga kompania “Albpetrol”, duke neglizhuar këtë informacion shumë të rëndësishëm.

Gjithashtu, nga verifikimet u konstatua se solucioni argjilor izolues i përdorur në pusin ku ndodhi shpërthimi, nuk ishte në parametrat e duhura për të mbytur fontanën. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan qindra banesa dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Si pasojë e çlirimit të gazit karbonik në ajër, dhjetëra banorë patën shqetësime të ndryshme shëndetësore.

Print